Lajmet E fundit

Si ushtria e kuqe çliroi Vjenën

AUSTRI- Në natën midis 11 dhe 12 marsit 1938, njësitë e Wehrmacht hynë në territorin e Austrisë. Nuk pati rezistencë ndaj tyre, përkundrazi, banorët vendas i pritën nxehtësisht. Më 13 mars 1938, në orën 19 00, Adolf Hitleri hyri solemnisht në Vjenë, i shoqëruar nga kryekomandanti (Oberkommando) i Forcave të Armatosura gjermane, gjenerali Wilhelm Keitel.

Po atë ditë u botua ligji “Mbi ribashkimin e Austrisë me Perandorinë Gjermane”, sipas të cilit Austria u shpall “një prej territoreve të Perandorisë Gjermane” dhe qysh atëhere u mbiquajt “Ostmark”. Nga ai moment e deri në prillin e 1945, Austria qe pjesë e Rajhut të Tretë. Banorët e saj morrën pjesë aktive në agresionin kundër Bashkimit Sovjetik, qoftë si pjesë e Wehrmacht, qoftë duke shërbyer në njësitë SS. Nuk mund të thuhet se në Austria nuk pati një klandestinitet antinazist, por për të kuptuar ekuilibrin e forcave mjafton të citohen disa fakte. Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, rreth 500000 austriakë ju bashkuan radhëve të Wehrmacht.

Më 1942, Partia Nacionalsocialiste Gjermane e Punëtorëve (partia naziste) përbëhej nga rreth 688000 austriakë. Bashkë me anëtarët e organizatave të tjera hitleriane, deri ¼ e popullsisë së vendit mund të konsiderohej e përfshirë aktivisht në lëvizjen naziste në territorin e Austrisë. Kështu, kur më 1944 nisi formimi i shkëputjeve antinaziste të vullnetarëve austriakë në territorin e Jugosllavisë, u arritën të krijohen vetëm 3 batalione. Prandaj, në bazë të këtyre të dhënave dhe në funksion të rrethanave të tilla do të ishte e ligjshme t’u atribuohen austriakëve të njëjtat përgjegjësi që kanë pasur gjermanë në Luftën e Dytë Botërore.

Megjithatë, më 1943, në Konferencën e Moskës e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Sovjetik, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, vendet e koalicionit antihitlerian formuluan një pozicion lehtësisht ndryshe, i reflektuar në “Deklaratën për Austrinë”: “Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuara, të Bashkimit Sovjetik dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord që Austria, vendi i parë që ra viktimë e agresionit të Hitlerit, duhet të çlirohet nga dominimi gjerman”, pohon dokumenti. E konsideruan inekzistent dhe invalid aneksimin e imponuar Austrisë nga Gjermania më 15 mars 1938. Nuk u konsideruan në asnjë mënyrë të detyruar nga modifikime eventuale të kryera në Austri pas një date të tillë. Deklaruan se donin të shikonin në Austri të restauruar, të lirë e të pavarur dhe, për pasojë, t’i mundësonin popullit austriak, ashti si shteteve të tjera fqinje që ndodheshin në situata të ngjashme, që të gjenin atë siguri politike dhe ekonomike, që përbënte bazën e vetme për një paqe jetëgjatë. Megjithatë, i tërhiqej vëmendja Austrisë për faktin që duke pasur një përgjegjësi të madhe në pjesëmarrjen në luftë përkrah Gjermanisë naziste, në zgjidhjen finale, kontributi i saj ndaj kauzës së çlirimit pashmangshmërisht që do të merrej në konsideratë.

Koha e çlirimit të Austrisë erdhi në pranverën e 1945. Më 17 shkurt 1945, me një direktivë të Komandës Supreme të Ushtrisë së Kuqe, Fronti i 2 dhe i 3 Ukrianas morën detyrën e përgatitjes së një sulmi ndaj Vjenës. Fillimi i sulmit sovjetik ishte parashikuar për 15 mar 1945. Thuajse njëkohësisht me vendimin e përgatitjes së këtij operacioni, komanda sovjetike mori informacione lidhur me sulmin e afër të fuqishëm nazist në zonën e Liqenit Balaton, në Hungari. U vendos që zmbrapsej sulmi gjerman në zonën e Liqenit Balaton, pa i ndërprerë përgatitjet për sulmin ndaj Vjenës. Operacioni “Zgjimi Pranveror” i Wehrmacht qe sulmi i fundit gjerman i Luftës së Dytë Botërore dhe operacioni i fundit mbrojtës i Ushtrisë së Kuqe. Gjatë 9 ditëve të sulmit, nazistët arritën të avanconin me 30 kilometra në drejtim të sulmit kryesor, por nuk arritën të siguronin një sukses vendimtar. Brenda 15 marsit, sulmi gjerman ishte ndalur, rezervat e tyre qenë ezauruar. Situata ishte e shkëlqyer për kalimin e trupave sovjetike në fazën e tyre sulmuese.

Ideja e operacionit sulmues sovjetik parashikonte sulmin kryesor e Armatës së 4 e të 9 nga zona në veri të qytetit hungarez Székesfehérvár në jugperëndim për të rrethuar Armatën e 6 SS Panzer. Në të ardhmen, forcat kryesore do të duhej të bënin një sulm në drejtim të qytetit hungarez Sopron dhe të kalonin përtej kufirit hungarezo – austriak, duke i avancuar pjesë të forcave në qytetet hungareze Szombathely dhe Zalaegerszeg, për të rrethuar nga veriu grupimin armik të ndodhur në qytetin hungarez Nagykanizsa. Armata e 26 dhe e 27 do të duhej të kryenin një sulm në vijim dhe të kontribuonin në shkatërrimin e armikut të rrethuar. Armata e 57 dhe Armata e 1 Bullgare, që operonin në krahun e majtë e Frontit të 3 Ukrainas, duhej të ndërmerrnin sulmin në jug të Liqenit Balaton me detyrën e thyerjes së armikut dhe zotërimin e rajonit naftëmbajtës të ndodhur në zonën e Nagykanizsa. Fronti i 3 Ukrainas komandohej nga gjenerali dhe Marshalli i Bashkimit Sovjetik Fëdor Ivanovič Tolbukhin. Fronti i 2 komandohej nga gjenerali dhe Marshalli i Bashkimit Sovjetik Rodion Jakovleviç Malinovskij. Armata e 1 Bullgare, aleate e Ushtrisë së Kuqe, komandohej nga gjenerali bullgar ladimir Dmitrov Stojçev.

Sulmi i trupave sovjetike nisi më 16 mars 1945 në orën 15 e 35 minuta. Mitralimi i ashpër i Ushtrisë së Kuqe qe aq i fuqishëm sa që si Armata e 4, ashtu edhe Armata e 9, që qenë njësitë e para që kaluan në sulm, në fillim nuk hasën asnjë rezistencë. Megjithatë, më pas armiku filloi me ngut të transferonte njësi të reja për të përballuar avancimin e Ushtrisë së Kuqe. Në fazën e parë u verifikuan beteja të ashpra pranë qytetit hungarez Székesfehérvár, një qendër e rëndësishme e mbrojtjes gjermane. Brenda mbrëmjes së 18 marsit, trupat sovjetike arritën ta avanconin vijën e frontit 36 kilometra të gjatë në një thellësi prej rreth 18 kilometrash. Armata e 6 Tankiste pati një rol vendimtar në këtë avancim të shpejtë. Në tentativën për ty zmbrapsur sulmin, gjermanët përdorën përforcime dhe i spostuan trupat e tyre nga fronte të tjera duke konvergjuar në vend 3 divizione tankiste dhe 1 këmbësorie. Pavarësisht kësaj, trupat sovjetike arritën që të avancojnë me 8 kilometra të tjera. Më 20 mars erdhi momenti i urdhërimit të Armatës së 26 dhe asaj të 27 që t’i godisnin fort trupat naziste.

Kërcënimi i rrethimit të plotë dhe i humbjes rëndonte mbi trupat naziste të ndodhura në afërsitë e Liqenit Balaton. Forca kryesore e gjermanëve në këtë zonë, Armata e 6 SS Panzer, u tërhoq nëpërmjet një korridori rreth 2 kilometrash, që mbeti në duart e tyre. Më 25 mars 1945, Fronti i 2 Ukrainas nisi një sulm kundër Bratislavës që e privoi komandën gjermane nga mundësia e transferimit të rezervave në drejtimin e Vjenës. 4 ditë më vonë, më 29 mars, në krahun e majtë e Frontit të 3 Ukrainas, Armata e 57 dhe Armata e 1 Bullgare kaluan në sulm në drejtim të Nagykanizsa. Të nesërmen u krye një sulm i befasishëm i Korpusit të 5 të Kavalerisë në pjesën e sipërme e grupit gjerman në zonën e Nagykanizsa. Shumë shpejt, trupat sovjetike dhe bullgare e kapën Nagykanizsa, qendrën e një prej rajoneve të fundit naftëmbajtëse të mbetura në duart e gjermanëve. Kështu, Wehrmacht u ndodh në një krizë zë rëndë furnizimi me karburant.

Më 1 prill 1945 Komanda e Lartë Supreme e Ushtrisë së Kuqe sqaroi detyrat: forcat kryesore e Frontit të 3 Ukrainas morën urdhërin që të shtinin në dorë kryeqytetin e Austrisë dhe, jo më tej se 12 – 15 prilli, të arrinin distriktin Tulln dhe qytetet Sankt Pölten e Neulengbach. Më 4 prill 1945, grupi goditës i Frontit të 3 Ukrainas arriti periferinë e Vjenës. Heroi i Bashkimit Sovjetik, gjenerali Semjon Pavloviç Ivanov, Shefi i Shtabit të Përgjithshën i Frontit të 3 Ukrainas, kujton: “Shtylla kurrizore e garnizonit armik qenë mbeturinat e Armatës së 6 SS Panzer. Nuk është rastësi që komandanti i saj, gjenerali i trupave SS Sepp Dietrich, është emëruar shef i mbrojtjes së Vjenës, i cili me arorgancë deklaroi: «Vjena do të shpëtohet për Gjermaninë»”. Përveç njësive të Armatës së 6 SS Panzer, kryeqyteti austriak mbrohej nga 15 batalione këmbësorie, nga disa batalione të kadetëve të Shkollës Ushtarake të Vjenës, nga “Volkssturm” (milici popullore nacionalsocialiste) dhe nga 4 regjimente të policisë së Vjenës të përbërë nga 1500 njerëz secili.

Mbrojtja e Vjenës lehtësohej edhe nga pozicioni gjeografik i saj: në perëndim Vjena mbulohej nga një zinxhir malesh dhe nga ana veriore e lindore nga një barrierë e fuqishme ujore, lumi i gjatë dhe i thellë Danub. Në anën jugore, në periferinë e qytetit, gjermanët krijuan nj zonë të fuqishme të fortifikuar, të përbërë nga llogore antitak dhe nga një sistem i zvilluar fortifikimesh të përbëra nga llogore dhe bunkerë. Nazistët e pagëzuan Vjenën “Fortesa Alpine”. Njësive të Ushtrisë së Kuqe ju besua një detyrë mjaft e vështirë: ta merrnin kontrollin e qytetit, duke e ruajtur këtë perlë europiane nga shkatërrimi.

Sulmi mbi Vjnë nisi më 5 prill 1945. Gjatë dy ditëve të para, beteja të ashpra u zhvilluan në lagjet jugore dhe juglindore të qytetit. Armiku kërkoi që të bëjë kundërsulme dhe zbatoi një rezistencë të dëshpëruar. Më 6 prill 1945, komandanti i Frontit të 3 Ukrainas, gjenerali dhe Marshalli i Bashkimit Sovjetik Fedor Ivanoviç Tolbukhin, duke folur në radio, ju drejtua banorëve të Vjenës: “Banorë të qytetit të Vjenës! Ka ardhur momenti i çlirimit të kryeqytetit të Austrisë nga dominimi gjerman, por trupat gjermane në tërheqje duan ta transformojnë Vjenën në një fushëbetejë. Qytetarë të Vjenës: ndihmojeni Ushtrinë e Kuqe në çlirimin e kryeqytetit të Austrisë! Bëni pjesën tuaj në çlirimin e Austrisë nga zgjedha naziste gjermane. Shumë austriakë i janë përgjigjur tashmë kësaj thirrjeje”.

Më 7 prill 1945, forcat kryesore e Armatës së 9 dhe formacionet e Armatës së 6 Tankiste, pasi kishin kaluar pyjet vjeneze, arritën Danubin. Kështu, trupat gjermane u rrethuan nga Ushtria e Kuqe. Në Vjenë, ditë e natë u bënë luftime të ashpra nëpër rrugë. Më 9 prill 1945, një batalion i Armatës së 6 Tankiste, nën komandën e kapitenit Dmitrij Fedoroviç Loza, hyri në qendër të Vjenës. Gjatë ditës, batalioni i mbajti pozicionet deri kur forcat kryesore e armatës së tij arritën të japin përforcimet. Për këtë ndërmarrje, kapitenit Dmitrij Fedoroviç Loza ju dha titulli i Heroit të Bashkimit Sovjetik.

Deri në mbrëmjen e 10 prillit, garnizoni gjerman i Vjenës vazhdoi të bëjë një rezistencë të fortë në qendër të qytetit, duke mbajtur nën kontrollin e tij Urën perandorake, ura e vetme mbi Danub e pa hedhur në erë nga nazistët. Ura Perandorake mundësonte ndërveprimin midis nyjeve perëndimore e lindore të mbrojtjes së Vjenës. Për të kapur urën perandorake, autoritetet ushtarake sovjetike vendosën të bënin një operacion të koordinuar midis lëshimit të parashutistëve dhe zbarkimit amfib, duke përdorur blindet e flotiljes ushtarake të Danubit, bëhej fjalë për një mision amfib jashtëzakonisht të vështirë: skafet e blindura e drejtuar nga vendi i zbarkimit duhej të kalonin përgjatë brigjeve të kontrolluara nga nazistët, të tejkalonin pikat e fortifikuara të zjarrit, të shmangnin urat e shkatërruara dhe anijet e mbytura, e gjitha kjo në ortë e ditës. Midis pjesëmarrësve në këtë operacion të guximshëm ishte 18 vjeçari Georgij Aleksandroviç Jumatov, i bërë më pas një autor shumë i famshëm sovjetik.

Gjatë jetës së tij, Georgij Aleksandroviç Jumatov deklaroi: “Të gjitha urat e Vjenës u hodhën në erë. Falë mjegullës arritëm t’i afroheshim urës së fundit ende në këmbë. Aviacioni nuk mund të vihej në funksionim përndryshe do ta kishte bombarduar urën që neve na shërbente e paprekur. Të dyja brigjet kontrolloheshin nga gjermanët që mbronin tërheqjen e SS Panzer Division. Me ndihmën e mjegullës, duke lundruar përgjatë lumit, arritëm në afërsitë e urës. Ne marinsat (këmbësoria detare) lëshuam rampat dhe me çantat plot me granata u kapëm pas litarëve. Qemë një 100 djem 19 dhe 20 vjeçarë, më i madhi ishte 25. Duke rrëshqitur nëpër mjegull arritëm t’i poziciononim granat në disa tanke gjermane. Radiotelegrafisti komunikoi: «Marinsat e morën urën». Por në një moment të caktar gjermanët e kuptuan se kishim zbarkuar dhe menjëherë nisën të na sulmonin. Luftimet qenë shumë të ashpra. Prej rreth 100 marinsave që patëm zbarkuar, mbetëm gjallë vetëm 15, por të gjithë qemë të plagosur, shumica dërrmuese ishte e plagosur rëndë. Pasi trupat tona arritën ta kalonin urën, u transportuam në spital. Mbijetuam vetëm 3!”.

Rrëfimi i Georgij Aleksandroviç Jumatov përshkruan një pjesë të operacionit, që në realitet qe shumë më kompleks. Siç përshkruan Jumatov, çdo marins i forcës zbarkuese sovjetike që tentoi të kapë Urën Perandorake, në një moment të caktuar u gjend nën zjarrin e vazhdueshëm armik. Askush nuk u kursye nga luftim dhe secili prej sovjetikëve që kishte marrë pjesë në zbarkim luftoi deri në vdekje, pa u dorezuar apo tërhequr.

Beteja e përgjakshme për Urën Perandorake, që u bë çelësi i betejës së Vjenës, zgjati 3 ditë. Fillimi i betejës ndodhi natën e 13 prillit 1945, kur një batalion parashutistësh i Divizionit të 7 Aerotransportues arriti që t’i zmbrapsë në praptokë trupat gjermane e rreshtuara në zonat përreth në mbrojtje të urës. Megjithatë të dyja palët pësuan humbje të rënda, por sakrifica dhe pushtimi i pozicioneve të rëndësishme nga ana e parashutistëve të Ushtrisë së Kuqe, qe vendimtare për të mundësuar arritjen e rezultatit fitimtar të të gjithë betejës. Kështu, pas pushtimit të pikave strategjike në zonat tokësore afër me urën, mëngjesin e 13 prillit 1945 një 100 djem që ishin pjesë e një detashmenti sulmues të kombinuar të korpusit të marinsave sovjetike (i të cilit ishte pjesë Jumatov), nën komandën e majorit Koçkin, zbarkoi nga anijet lumore dhe sulmoi urën.

Marinat rusë luftuan me heroizëm, por patjetër inferiorë në numër qenë të destinuar të nënshtrohen, aq sa pas luftimesh të paepura, prej 100 marinsave sovjetikë mbetën gjallë vetëm 15 dhe të gjithë të plagosur. Kthesa në rezultatin e betejës në favor të sovjetikëve qe përdorimi i aviotransportimi i një regjimenti pushkatarësh të Divizionit të 80 të Pushkatarëve të Gardës që u parashutuan në afërsitë e urës, të mbështetur nga një zjarr shumë i saktë artilierie i kryer nga topat vetëlëvizës e Brigadës së 2 të Mekanizuar të Gardës. Parashutistët sovjetikë arritën tamam në kohë për të shpëtuar jetetë e 15 marinsave të mbijetuar dhe asgjësuar ushtarët gjermanë të pranishëm, arritën ta marrin kontrollin e plotë të urës. Qe kështu që me shpejtësi të lartë, 16 njësi sovjetike artilerie vetëlëvizëse kaluan urën dhe krijuan një mbrojtje perimetrale në bregun perëndimor. Trupat xheniere hoqën nga ura të gjithë eksplozivët e vendosur nga nazistët. Ura u vu krejtësisht nën kontrollin e trupave sovjetike, kërcënimi i shkatërrimit të saj u eliminua përfundimisht.

Ndërkohë, mbrëmjen e 13 prillit 1945, trupat gjermane që mbronin urën u vendosën në qendër të Vjenës, por tentativa e rezistencës nga ana e tyre qe e kotë. Dy ditë më pas, më 15 prill 1945, qyteti kaloi krejtësisht nën kontrollin sovjetik. Vjena ishte çliruar, por sakrifica sovjetike në betejat për çlirimin e kryeqytetit austriak qe mbresëlënëse: në dy muaj, Ushtria e Kuqe humbi 38000 ushtarë dhe oficerë. Numri i saktë i humbjeve gjermane në betejat për Vjenën është i panjohur, por 130000 ushtarë dhe oficerë gjermanë ranë rob të Ushtrisë së Kuqe të lavdishme.

Banorët e Vjenës i përshëndetën luftëtarët sovjetikë si çlirimtarë. Një oficer i inteligjencës sovjetike me emrin Otar Chkheidze pas luftës kujton: “Në pasditen e 13 prillit 1945 kuptuam se tashmë Vjena ishte çliruar. Të nesërmen, ne eksploruesit u dërguam që të inspektojmë qytetin. Rrugët dhe sheshet e kryeqytetit austriak qenë plot me njerëz. Banorët i trajtonin me ngrohtësi ushtarët sovjetikë. Na pëlqeu arkitektura e Vjenës dhe shpirti miqësor e elegant i banorëve të saj. Më goditi sidomos Katedralja madhështore e Shën Stefanit. Austriakët qenë njerëz që e donin shumë muzikën, nga dritaret e hapura të apartamenteve vinin shpesh tingujt e ndonjë pianoje apo violine. Kemi vizituar edhe varrin e Johan Shtrausit. Marinarët e Danubit kan vendosur një kurorë me lule në varrin e kompozitorit të talentuar”.

Sigurisht, nuk qenë të gjithë të lumtur për hyrjen e Ushtrisë së Kuqe në Vjenë. Shumë simpatizantë apo pronazistë vjenezë, duke harruar me një të rënë të lapsit vitet e kaluara, vrapuan që ta përshëndesnin ngrohtësisht hyrjen e Ushtrisë së Kuqe, por ata më të bindur e më të përfshirë, ata që mbanin poste të rëndësishme politike apo qenë direkt ose indirekt të përfshirë në krime kundër popullsisë sovjetike, ata qenë edhe më të dëshpëruarit. Të vetëdijshëm për të ardhmen që i priste, të terrorizuara nga ndëshkimet më shumë se të drejta që Ushtria e Kuqe rezervonte për ta, disa familje naziste u vetëvranë tërësisht.

Njësitë ushtarake sovjetike që u dalluan në betejat për Vjenën morën titullin honorifik e “Vjenës”. Presidiumi i Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik krijoi gjithashtu një medalje “Për çlirimin e Vjenës”. Në gushtin e 1945 në Vjenë u ngrit një monument në nderim të ushtarëve sovjetikë të rënë në betejat për çlirimin e vendit. Me iniciativën e banorëve të Vjenës, nga 1946 deri më 1955, Ura Perandorake u mbiquajt “Ura e Ushtrisë së Kuqe”. Nga viti 1956 u vendos të kthehej tek emri fillestar, por kujtimi i kujt e ka shpëtuar nga shkatërrimi ka mbijetuar. Faktikisht, më 2010, banorët e Vjenës kanë vendosur një pllakat graniti në Urën Perandorake që paraqet sulmin ndaj vetë urës të ndodhur më 13 prill 1945. Teksti lexon: “1945. Ushtarëve kurajozë të trupave aerotransportuese. Banorët mirënjohës të Vjenës”.

Përgatiti Armin Tirana