Ilir Metës i janë lagur “puplat”





Kur Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u “paketua” për në Hagë, nuk e ka patur dosjen kaq të rëndë sa Presidenti Ilir Meta.
Në Kosovë e nisën me Presidentin, edhe tek ne me Presidentin po fillon kapja e “Peshqve” të mëdhenj.
Tashmë Ilir Meta e ka kuptuar se është në fundin e pashmagshëm për të shkuar përpara drejtësisë, në transparencë të pasurive.
Prandaj është zbutur Ilir Meta.





Murit me kokë, bjeri sa të duash, veten dëmton, do të thoshte Lefter Koka po të ishte jashtë qelisë së burgut. Pra, Ilir Meta do arrestohet si “një e një që bëjnë dy”.
Vetvrasja ishte ngutje psikologjike, ndaj Presidenti i Republikës ka hequr dorë. Edhe grumbullimi i turmave për demonstrim antiamerikan është turravrap antipod me kohën ku jetojmë sot. Ato demonstrime kanë kosto të rëndë e të gjatë. Çdokush i “Foltores” ka lënë pas një dosje. Po, Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Amerika heton edhe një shprehje në facebook kundër saj. Ata futen në rreth të kuq përjetësisht.
Meta ka mbetë në rrjetë.





Presidenti ynë s’ka kërçik jo sa Hashim Thaçi, por as sa Sali Berisha.
Saliut, mjaftoi vetëm një mesazh prapa kthehu që t’i bënin sytë xixa. E harroi doktori vulën e partisë, e harroi shtëpinë e vjetër të demokratëve, e harroi dhunën. U çatrafilua, mori male e fusha, ka dalë kuturu e flet si proamerikan me “non-grata” në xhep e si demokrat pa parti. I çmendur thuaj…
U prin atyre në mes të katër rrugëve.
S’kanë timon, as timonier, kanë vetëm një tepsi boshe për zhurmë. Presin ç’u hedh për sevap në tepsi Edi Rama. Këtë gjendje e ka kaluar Ilir Meta, ndaj e ka ndalur “vrapin” antiamerikan dhe me duart lart, po shkon drejt burgut.
I rrëshqiti këmba Ilir Metës, apo eci shpejt Yuri Kim?
Që u rrëzua historia e pasanikëve hajdutë të politikës e pushtetit, s’ka dyshim, Që Ilir Meta ka tre mbiemra, shumë pasuri e fije të dukshme e të padukshme me krimin, edhe kjo dihet.
Por historia jonë ka prodhuar ekstreme paradoksale. Për shembull, ngjan normale që kriminelë, hajdutë, dhunues, mafiozë t’u prijnë turmave në emër të demokracisë e lirisë së munguar.
S’na mungojnë pasuritë, pasi po të konfiskohen ç’është vjedhur nga Ilir Meta, Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama dhe 20 familjet kriminale që këta drejtojnë, jemi në nivele ekonomike mjaft të lakmueshme. Shqipërisë, ose më qartë kohës së Shqipërisë, i mungon demokracia, beteja, armiku. Ka ndodhur, se kemi vetëm komandantë që bëjnë beteja kundër vetvetes. Edhe skllevërit kundër skllevërve i skërmoqin dhëmbët. “Kokëpalarët” e Ilir Metës i shikon ngado mitingjeve.
Ja, opozita, që sot e gjithë ditën e ka vendin pa qeveri, zihet mes vetes, vetëm të krijohet mjegullnajë që amerikanët të tërhiqen në kërkesën për transparencë pasurie të hajdutëve milionerë.
Kur shikon një tip Lorenc Luke që shkon shtëpi më shtëpi e kërkon të gjejë antiamerikanë për mitingje, thua, ky është kulmi i injorancës njerëzore.
Të nxjerrë Shkodra si esencë të saj fundërrina, këtë e kërkon vetëm një kriminel si Sali Berisha.
Emrin Lorenc Luka, askush nuk e njeh, megjithëse ka qënë kryebashkiak, deputet e nëpër fushata elektorale edhe si biçim intelektuali. Bëhej intelektual Loli, sa herë lexonte ca rreshta që ja bënin ca gazetarucë lokalë me nivel mjeran.
Pra, secili bën virgjëreshën lavire, ti je hajduti, ti je mashtruesi, ti je kodoshi, kur dihet se të gjithë janë të tillë.
Prandaj Ilir Metës i janë lagur “puplat”.
Në fakt, ka të drejtë. Pasi ambasadorja Yuri Kim i dërgoi mesazhim e fortë se hajdutët mund të ecin shpejt, por ne i kapim, ai e ndali “vrapin”. Po provon të ecë avash-avash, që të shtyjë ndonjë ditë arrestimin.
Pra, Ilir Meta, as do thërrasë turma antiamerikane, as do të vrasë veten. Thjeshtë, do të fshehë diçka nga ato që ka vjedhur, nëse mundet normalisht, pastaj, do të niset i qetë, ta kaloi pjesën tjetër të jetës në burg./Pamfleti