




“Vendimi i Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR) për të krijuar një bazë të shtabit të forcave speciale në Shqipëri është një reflektim i interesit më të madh të Shteteve të Bashkuara në Ballkan dhe një vendim i tillë u ndikua në mënyrë vendimtare nga forcimi i Rusisë në Rajon”
Pas miratimit të ngritjes së shtabit të forcave speciale të trupave amerikane në Shqipëri, ka folur për herë të parë komanda, e cila do të caktojë si njerëzit, armatimet, logjistikën, si dhe do të bëjë planet operative përkatëse, në varësi të urdhrave që vijnë nga politika.





Kjo komandë, ka treguar jo për një media shqiptare, por malazeze, se cili do të jetë roli i saj. E duket se jo më kot është zgjedhur Podgorica, një vend i rrezikuar fort nga influence ruse.
Gazeta e Podgoricës “Pobjeda” është përzgjedhur me kujdes nga Uashingtoni për të ilustruar se baza amerikane në Shqipëri, nuk është vetëm për vendin tonë, por edhe për të gjithë rajonin.





Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR) bëri të ditur se kjo seli përfaqëson një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve në rajon, duke rritur kështu bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Ballkanit.
“Vendimi i Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR) për të krijuar një bazë të shtabit të forcave speciale në Shqipëri është një reflektim i interesit më të madh të Shteteve të Bashkuara në Ballkan dhe një vendim i tillë u ndikua në mënyrë vendimtare nga forcimi i Rusisë në Rajon”, ka deklaruar analisti i njohur ushtarak, Aleksandar Radiç, për ‘Pobjeda’-n e Podgoricës.





Komandanti i SOCEUR, David H. Tabor tha se ngritja e një baze në Shqipëri lejon forcimin e partneriteteve me aleatët e NATO-s në rajon dhe “rrit fleksibilitetin e forcave speciale dhe konvencionale në rajon”.
I pyetur nëse hapja e bazës do të thotë se ata shohin kërcënime evidente për stabilitetin e rajonit në Ballkan, komanda amerikane tha se pikëvështrimi i misionit është edhe më i gjerë se kaq.
“Vendimi për Shtabin e Përgjithshëm nuk ka të bëjë thjesht me stabilitetin në rajon. Ne kemi ngritur tashmë forca që stërviten rregullisht me aleatët dhe partnerët tanë në Ballkan. Krijimi i këtij shtabi na mundëson të kryejmë më shumë trajnime, të rrisim bashkëpunimin dhe të përgatitemi më mirë për përballimin e sfidave të paparashikuara në rajon”, tha Juan Martinez, drejtor i marrëdhënieve me publikun në Komandën e SHBA-së për Evropën.
Martinez shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk po hapin një bazë të re, por, siç tha ai, po vendosin selinë me rotacion në objektin ekzistues ushtarak shqiptar.
“SOCEUR vepron me ftesë dhe miratim të aleatëve dhe partnerëve tanë në të gjithë Evropën. Kjo është kryesisht për shkak të marrëdhënieve të forta që kemi ndërtuar përmes trajnimeve dhe operacioneve të përbashkëta me aleatët, partnerët dhe miqtë tanë në rajon”, theksoi Martinez.
Duke komentuar këtë vendim të ushtrisë amerikane, analisti ushtarak Aleksandar Radiç deklaroi se e gjitha është pasojë e forcimit të ndikimit rus në rajon.
“Kur bëhet fjalë për personelin e stafit, para së gjithash, amerikanët po tregojnë interes më të madh për Ballkanin, për të hapur hapësirën e Evropës Jugore drejt Lindjes. Ata duan të jenë më të pranishëm ushtarakisht se në të kaluarën, të ngrenë flamurin e tyre në Evropën Lindore dhe në këtë kontekst është interesant formimi i një shtabi të posaçëm të Komandës së Operacioneve Speciale, sepse është një staf që nuk do të jetë i madh, nuk do të ketë një numër të madh njerëzish. Këtu bëhet fjalë për elementin e shtabit që koordinon aktivitetet e mundshme të forcave speciale të vendosura në Britaninë e Madhe, Gjermani… Janë forcat e beretave jeshile që janë vazhdimisht të pranishme në rajon përmes stërvitjeve, por edhe janë të vendosura në sfond të thellë… Ata kanë një program, ata vizitojnë rajonin çdo vit dhe zakonisht mbajnë trajnime të përbashkëta me vendet partnere në rajon”, theksoi Radiç.
Sipas tij, këto njësi kanë qenë të pranishme në Ballkan gjatë mosmarrëveshjes në Bosnjë, pasuar nga KFOR-i në Kosovë.
“Pastaj ata nuk treguan interes për të qenë të pranishëm këtu për një kohë të gjatë, por forcimi i Rusisë ndryshoi qëndrimin e amerikanëve dhe ata filluan të dërgojnë njerëzit e tyre dhe disa vite më parë vendosën forcat në Union dhe u stërvitën më intensivisht me Ballkanin” i tha Radiq “Pobjeda”-s./Pamfleti