




I dënuari Dalip Zhaboli ka zhvilluar veprimtarinë armiqësore në forma nga më të ndryshmet, me pikësynim që të çoroditi pikpamjet e drejta politike, ideologjike, ushtarake etj., të efektivit të Repartit 5900 Peshkopi ku ishte komandant brigade.
U provua, se shumë herë u është kundërvënë hapur vendimeve të rëndësishme të pleniumeve të IV-të, V-të, VI-të e VII-të të KQ të Partisë, duke agjituar e propaganduar kundër rolit udhëheqës të Partisë në ushtri; uljes së rëndësisë së detyrave të sekretarit të Partisë dhe komisarit politik dhe hyjnizimit të rolit dhe detyrave të komandantit si në kohë lufte, ashtu dhe në kohë paqjeje”.





Kështu thuhet ndërmjet të tjerash në një informacion të zv/prokurorit të përgjithshëm të Republikës, Sotir Samara, dërguar zv/ministrit të Mbrojtjes Llambi Gegëprifti, i cili mban datën 17 nëntor 1976 dhe që bën fjalë mbi dënimin që iu bë në atë kohë, si “armik i popullit”, komandantit të Korpusit të Pukës, Dalip Zhabolit.





Po çfarë thuhet më tej në atë informacion të zv/prokurorit të përgjithshëm për ushtarakun e lartë që komandonte Korpusin e Veriut të Shqipërisë dhe çfarë akuzash bëhen aty në drejtim të tij? Cila ishte biseda që bëri Zhaboli me Ramiz Alinë në dhomën e rezervuar të Shtëpisë së Oficerëve të Korpusit të Burrelit në vitin 1975 dhe përse ajo bisedë i përmendej shpesh gjatë procesit hetimor pas arrestimit të tij? Lidhur me këto e të tjera rreth kësaj çështjeje, na njeh dokumenti arkivor dhe vetë dëshmia e zotit Zhaboli, i cili rrëfen ekskluzivisht për Memorie.al, në këtë shkrim që po botojmë më poshtë.
Karriera ushtarake brilante e Zhabolit
Dalip Zhaboli u lind në 5 mars 1942 në Martanesh të Matit dhe u rrit në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës. Në vitin 1957 ai mbaroi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” (në degën gjithëarmësh), dhe u emërua në një repart të Tiranës e më pas në Peshkopi. Nga viti 1965 deri në ’68-ën, ai studioi në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë, duke e përfunduar atë me rezultate të shkëlqyera dhe në vitin 1970 (në moshën 28-vjeçare), Dalip Zhaboli u emërua shef i Degës Operative dhe njëkohësisht zv / shef shtabi në Korpusin e Burrelit. Ndërsa në vitin 1974, ai u emërua komandant i Korpusit të Pukës, i njohur ndryshe dhe si “Korpusi i Veriut”, (që presupozohej të ishte barriera e parë ndaj një sulmi eventual nga ish-Jugosllavia e asaj kohe), gjë e cila do të shënonte dhe kulmin e karrierës ushtarake të Zhabolit, pasi pas tre vjetësh në atë detyrë tepër të rëndësishme, në janarin e ‘76-ës ai u arrestua për motive politike me akuzën “sabotim i vijës politike në ushtri”, duke u dënuar me 15 vjet burg. Nga ai dënim i dhënë nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë në Tiranë, Zhaboli vuajti vetëm 11 vjet e gjysmë burg, duke përfituar uljen e pjesës tjetër të dënimit me punë dhe amnistitë e ndryshme që u dhanë asokohe. Pas daljes nga burgu në fund të vitit 1987, ai punoi si punëtor në poçerinë e Kavajës dhe pas fillimit të proceseve demokratike, në ’91-in, rikthehet në Ministrinë e Mbrojtjes si komandant divizioni dhe brigade, duke e mbyllur karrierën e tij ushtarake në vitin 1998 si drejtor i përgjithshëm i Administratës së Burgjeve të Shqipërisë, me gradën e kolonelit.