




Pasi përcjell agjendën dhe mesazhet e dhëna nga Erdogan gjatë vizitës në Tiranë, Zëri i Amerikës vë theksin edhe të anashkalimi i protokollit prej Presidentit turk, duke shmangur një takim me Presidentin Ilir Meta.





“Ajo që bie në sy gjatë kësaj vizite është anashkalimi i protokollit, me mungesën e takimit të presidentit turk me homologun e tij Ilir Meta. Ky i fundit e nisi ditën duke kujtuar 554 vjetorin e vdekjes së Heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shoqëruar dhe me pjesë nga një film dedikuar atij, ku ai shfaqej në beteja kundër turqve”, shkruan Zëri i Amerikës.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan zhvilloi vizitën në Shqipëri me një agjendë të ngjeshur, e cila përfshin që nga përurimi i veprave të financuara nga qeveria turke, deri te nënshkrimi i marrëveshjeve të përbashkëta, duke u mbyllur me një fjalim, që presidenti turk do të mbajë pasdite në parlamentin shqiptar.





Erdogan u prit në aeroportin “Nënë Tereza” me nderimet më të larta nga kryeministri Edi Rama, me të cilin u drejtuan për në Laç, ku u përurua një kompleks pallatesh me 522 apartamente, në të cilat do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.
Pallatet e reja ku përfshihen njësi shërbimi si dhe mjedise shplodhëse e sportive, u ndërtuan falë ndihmës së menjëhershme, që qeveria turke ofroi për përballimin e dëmeve, përmes një fondi prej 42 milion eurosh.
Presidenti turk e cilësoi realizimin e këtij kompleksi apartamentesh një shenjë tjetër të lidhjes së fortë mes dy vendeve.
“Shenja e vëllazërisë nuk është kur t’i vjen pasi të kanë thirrur, por të qëndrosh pranë vëllait tend kur ai ka nevojë. Dhe tani e në vijim ne do të jemi gjithmonë pranë. Shpresoj që kjo miqësi me baza kaq të forta do të vijojë në pafundësi”, deklaroi ai gjatë ceremonisë në Laç, ku sheshit pranë pallateve të reja të ndërtuara i është dhënë emri i tij.