Lajmet E fundit

Protesta e vezë/ Basha: Modeli i së keqes dhe hijet e së shkuarës po na shkatërrojnë

TIRANË – Vijojnë përplasjet në Partinë Demokratike. Këtë herë nga selia e saj qendrore, skena e ‘luftës’ politike Basha – Berisha është zhvendosur te Kryqëzimi i RTSH, në njërin prej lokaleve të zonës, ku Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me gra e vajza në kuadër të procesit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare.

Pak para se të niste ky takim, situata ishte e tensionuar, pasi mbështetës të Berishës e pritën Bashën me pankarta në duar dhe me thirrje ‘Basha ik’. Teksa makina e kryedemokratit po afrohej drejt godinës ku do të zhvillohej takimi me gratë e Partisë Demokratike, qëllohet me vezë.

Në këtë takim Basha është shprehur se ka ardhur momenti që të shkëputemi përfundimisht nga ky model i së keqes, i cili po na shkatërron. Sipas Bashës, fatkeqësisht ky model i së keqes është akoma në krye të punëve të vendit, jo me votën e shqiptarëve, por që vazhdon dhe mbulohet edhe nga disa hijet të së shkuarës, që kemi vendosur t’i lëmë pas pikërisht sepse na kanë rikthyer 30 mos them 300 vjet mbrapa me gjuhën e urrejtjes.

Basha tha se ai e ka zgjidhur prej kohësh problemin e gjuhës së urrejtjes, që ditën e parë në politikë kur ka nisur të merret me politikë, ndërsa shtoi se vetëm një gjë nuk e shpërfillte dot, dhe ajo është gjuha e urrejtjes ndaj grave. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se dëshiron më shumë zonja në drektimim e PD në të gjitha nivelet. Sipas Bashës, gjuha e përdorur kundër grave nga një grup njerëzisht është një ves i shëmtuar i së shkuarës. Basha nuk nguroi pa sulmuar edhe kundërshtarin e tij politik, Kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste, që sipas tij në fokus nuk kanë gratë dhe vajzat, ndërsa shtoi se vizioni i tyre i vetëm ishte pikërisht përdorimi i grave për fasadë.

Në bashkëbisedimin me gratë mori fjalën e saj edhe Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, e cila zbuloi se njëra nga gratë i dërgon në momentet e vështira lule dhe këngë. Por, duke treguar këtë detaj, Duma u ndërpre për një moment nga kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili i bëri një kërkesë të pazakontë demokrates për të cilën po fliste nënkryetarja e PD, duke i thënë që t’ia niste atij ato sms të bukura. Sipas Bashës, atij i nisin mesazhe vetëm me grushte, zjarr e flakë.

Ndërkohë, pas bashkëbisedimit me gratë dhe vajzat demokrate në kuadër të procesit zgjedhor të LDGSH, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është pyetur nga gazetarët se nëse do të vijojë të drejtojë Partinë Demokratike edhe pse demokratët e ndjekin kudo duke protestuar kundra tij. Kësaj pyetjeje, Basha iu përgjigj me shprehjen: “syri sheh atë që do mendja”, ndërsa ka vijuar më tej komentin për aktivitetin e zhvilluar.