Lajmet E fundit

Përse gjejnë kënaqësi në urrejtje?

Cilët janë ata që godasin më tepër me gurë? Njerëzit e shtypur, të ndrydhur, të përjashtuarit. . .
Ka disa muaj që jo vetëm nëpër studio televizive, rrjete sociale, gazeta, portale, forume partie, por edhe nëpër tryeza kafenesh, mes shokësh e miqsh është ndezur një debat se cili ka të drejtë Basha apo Berisha, Berisha apo Basha.

Fanatizmi në këto debate është kaq i ashpër saqë njerëzit janë ndarë në kampe të kundërta dhe përdorin një gjuhë të tillë urrejtjeje, saqë jo vetëm dy liderët e përfshirë në debat, por edhe funksionarët e tyre anatemohen, mallkohen, madje në një gradë të tillë saqë çdo shpifje apo meme merret si e mirëqenë dhe shpërndahet me aq shpejtësi sa është e pamundur të frenohet. Gjuha e urrejtjes ka arritur në një gradë të tillë saqë përçarja është jo vetëm evidente, por ka degraduar në dhunë jo vetëm verbale, por edhe fizike, karakteristike për vendet e “botës së tretë”. Por çfarë mësimesh nxjerrim nga kjo situatë? Mësime të shumta e të vyera. Por mbi të gjitha, të trishta!

Së pari, që ka njerëz jo vetëm të paarsimuar, por edhe të mirëarsimuar, të cilët e kanë të pamundur të ndajnë realitetin nga ajo që dëgjojnë apo shohin. Të cilët besojnë se anëtarët apo simpatizantët e partisë duhet që të identifikohen domosdoshmërish me “liderin” që ata mendojnë se besojnë. Përpara shumë dekadash spektatorët e shfaqjeve të ndryshme besonin gjithçka që ndodhte në skenë. Madje shanin, fyenin dhe shtinin me armë mbi aktorët që luanin rolet që nuk u pëlqenin. Ziheshin e rriheshin për vdekje njëri me tjetrin. Por sot?

Së dyti. Në shënjestrën e fanatikëve militantë të partisë janë vënë të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ata, pavarësisht se deri para pak javësh ishin bashkë e shokë të ngushtë. Kushedi se çfarë plagësh bartin që nga fëmijëria e tyre, saqë nuk e pranojnë mendimin e tjetrit, por e mallkojnë, madje janë gati ta vrasin pa një, pa dy! A nuk e dinë se njëra nga arritjet e demokracisë është respektimi e debatit dhe i mendimit ndryshe?

Së treti. Këto javë ka munguar argumenti, mendimi i kthjellët, kokat e ftohta. Kanë mbizotëruar ata njerëz, të cilët uronin që shokët e tyre kundërshtarë të “pështynin qumështin e nënës”. Të vareshin kokëposhtë si Juda. Të vuanin dhimbjen më të madhe, zinë më universale. Vetëm kështu do të kënaqeshin e ndiheshin të plotësuar. . .

“Malet të mësuara janë me borën!”- do të më thoni. Këtu e tridhjetë vite, që nga koha e shpalljes së pluralizmit politik, jo pak bashkëqytetarët tanë eksitohen duke fyer, duke sharë, duke shpifur, duke shqyer nëpër rrjete sociale gjithçka e gjithkënd që nuk e pëlqen. Në emër të lirisë së fjalës; besimit; parasë; revolucionit, politikës, besnikërisë apo detyrimit ndaj liderit. . .

Ndërkohë që në fakt, nuk janë veçse disa mjeranë kolerikë. . .

E gjithë kjo lëvizje, e cila mund të emërtohet fare mirë “Vdis” (politikisht, moralisht, shoqërisht e fizikisht), ka evoluuar në një “cancel culture”, në një “kulturë anulimi”! Të anulosh, pra, diçka që bëhet, thuhet apo të gjen në kahun e kundërt. Të fshish personalitete, vepra jete, mendime, ide. . .

Së katërti. Në këto javë përçarja dhe ndarja është kaq e madhe, saqë vështirë se mund të gjenden së shpejti ura bashkimi apo bashkëpunimi. Aq më tepër në bazë ku prej fanatizmit të elektoratit të thjeshtë mbahet gjallë e frymojnë liderët politikë. . .

Së pesti. Cilët janë ata që godasin më tepër me gurë?

Njerëzit e shtypur, të ndrydhur, të përjashtuarit. . . Ata të cilëve në përditshmërinë e tyre ua ka fajin gjithçka. Godasin ata për të cilët puna është skllavëri. Shtëpia është qeli burgu. Armiqtë e dukshëm e të padukshëm, armiqtë realë e ata imagjinarë, në fakt miqtë, me të cilët gjithmonë është në një luftë të ftohtë e të padeklaruar. Dhe të pazotë të dalin nga ky qerthull zinxhirësh, të pazotët të kenë guxim dhe një mendim të guximshëm pavarësisht pasojave, bashkohen me turmën. Shpërthejnë si kanibalë. Gjejnë kënaqësi në urrejtje. . .

“Le të godasë i pari ai që nuk ka mëkatuar ndonjëherë!” tha dikur Jezu Krishti dhe qëndroi në mes të Maria Magdalenës dhe turmës së vetëemëruar ndëshkuese të saj. . .

“Get a life!” do të thosha sot. Në vend që të skandalizoheni nga shkopi në syrin e vëllait apo shokut tuaj, nxirrni më mirë traun nga syri juaj! Dhe shikoni jetën! Kapni jetën! Shijojeni jetën!