Lajmet E fundit

Balluku nga vila me oxhak, u thotë shqiptarëve: Mos harxhoni energji; por ja sa ka shkuar 1 m3 dru e gaz

Luksi i bën ministrat sheikë të “Rilindjes”, të mendojnë se dhe shqiptarët jetojnë si ata mes miliardave, bollëkut e shërbëtorëve; kur janë afro 300 mijë familje, që energjinë e kursejnë nga varfëria ekstreme; janë 110 mijë banorë në zonat rurale pa energji elektrike prej dëborës, mungesës së investimeve e furnizimit të dobët; kur vetë qeveria i mbylli shkollat sepse nuk u ka siguruar ngrohje as me energji dhe as me dru e gaz
Këtë fundjavë, moti i acartë e ka çuar ministreshën e Energji-Infrastrukturës, Belinda Balluku, për relaks dimëror në vilën e saj në Dardhë të Korçës.

Prej andej, ka dalë 3 minuta në mes të një rruge në mbrëmje, për të bërë show me video-mesazh mediatik, se gjoja është në krye të detyrës, shoqëruar me apelin drejtuar shqiptarëve, për kursimin e energjisë elektrike.
Ajo tha: – Do të kemi temperatura të ulëta, që do të krijojnë probleme. Po harxhojmë 14 mijë megavat/orë në ditë, por kjo shifër mund të shkojë 24 mijë megavat/orë kërkesë ditore, prandaj kërkoj të mos e shpërdorojmë energjinë, sepse është situatë e jashtëzakonshme…”.
Ministrja duhet pyetur, nëse shqiptarët duhet të ngrohen apo jo, në këtë dimër, sidomos në këto ditë që po vazhdojnë të jenë me ulje temperaturash minus disa gradë, ku rekord janë zonat Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Gjirokastër e Korçë.

Energjia është burimi kryesor energjetik për ngrohje në Shqipëri, jo se mijëra familje shqiptare me të ardhura të pakta, duan të harxhojnë e paguajnë, por sepse çmimi i druve të zjarrit e gazit janë dyfishuar këtë vit.
Edhe pse ministresha e cilëson të ftohtin e këtyre ditëve, si situatë të jashtëzakonshme për kursimin e energjisë, nuk i kërkon llogari vetes dhe kryeministrit, se përse ka lejuar oligarkët e importit të gazit dhe koncesionarët e pyjeve, që të rrisin çmimet.

Nuk e dimë, se sa energji harxhojnë për ngrohje Babloku, Balluku, ministrat dhe deputetët sheikë, dhe nëse i blejnë vetë apo u sjellin drutë për oxhaqet e sarajeve, vilave e apartamente-suitave që kanë në zonat malore, në bregdet e Tiranë.

Por duhet të dinë, se në Dibër e Kukës, 1 m3 dru zjarri ka shkuar 65-75 mijë lekë, në Shkodër 65 mijë lekë, në Gjirokastër 50 mijë lekë, ndërsa në Korçë 55 mijë lekë; që do të thotë se janë sa 25% e pagës minimale, sa 1 ndihmë ekonomike e sa 40-50% e deri në 1 pension pleqërie.

Ministresha e cila nga vila e saj me oxhak në Dardhë, u bëri 3 minuta video-apel shqiptarëve, për të kursyer energjinë, duhet ta di, se dhe populli ka ftohtë si ajo, ka njerëz të sëmurë kronikë e me “Covid 19”, të moshuar e fëmijë që duan ngrohje në këto ditë acari.

Mirëpo, luksi i bën ministrat sheikë të “Rilindjes”, të mendojnë se dhe shqiptarët jetojnë si ata mes miliardave, bollëkut e shërbëtorëve, madje dhe me ajër kondicionimi special në makina luksoze, që për 1 udhëtim, harxhojnë aq sa energji e gaz harxhon një familje e varfër në 2 muaj.

Nëse Balluku me vilë e disa apartamente në Londër dhe Greqi, nuk e ka lexuar akoma raportin e INSTAT, po ia kujtojmë se janë afro 300 mijë familje, që energjinë e kursejnë nga varfëria ekstreme; janë 110 mijë banorë në zonat rurale pa energji elektrike prej dëborës, mungesës infrastrukturës e voltazhit dobët.

Madje këtë fundjavë të acartë, që ministresha dhe kolegët e saj u relaksuan në vila malore apo në vilat e blera te resortet bregdetare të oligarkëve, qeveria mbylli shkollat sepse nuk u ka siguruar ngrohje as me energji dhe as me dru e gaz.i