




Ditën e djeshme (25 mars) nisi zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, të cilat do të mbahen më 25 prill. Nisur nga kjo, realizuam një sondazh në Instagramin e Anabel Media për të krijuar një ide paksa më të qartë se si ~mund~ të jenë rezultatet e zgjedhjeve.





Përpara se të kalojmë te votimi, duam të theksojmë se ky sondazh nuk i përmbush të gjitha kriteret për t’u konsideruar një sondazh i mirëfilltë, megjithatë padyshim shërben për të kuptuar situatën para-zgjedhore. Vlen të përmendet se referuar statistikave të Instagramit, vetëm 1.8% e ndjekësve të Anabel janë nën moshën ligjore për të votuar, ndërkohë që pjesa tjetër është mbi 18 vjeç (pjesa dërrmuese, 48.5% janë të grupmoshës 25-34 vjeç, ndjekur nga 18-24 vjeç, të cilët përbëjnë 31.2% dhe 35-44 vjeç, 12%; grupmoshat 45-54, 55-64 dhe 64+ kanë më pak përqindje). Përpos kësaj, shpërndarja gjeografike veri-jug e ndihmon sondazhin tonë. Ndjekësit më të shumtë kanë si vendodhje Tiranën, pasuar nga Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Vlora.





Pyetjes “Për kë po mendoni të votoni” midis Partisë Socialiste dhe Opozitës, pjesa më e madhe iu përgjigj me “as nuk dua të votoj për asnjë nga këta”. Vihet re se një pjesë e mirë dëshiron të votojë për Opozitën sepse thjesht kërkon rotacion, jo se beson te programi i saj. Po kështu, me shifra pothuajse të ngjashme, disa thonë se do të votojnë PS-në sepse nuk besojnë te Opozita.
Vlen të theksohet se rezultati, për të njëjtën pyetje, ndryshon në favor të PS-së kur ndjekësit shohin fotot e kandidatëve më përfaqësues të dy kundërshtarëve kryesorë politikë.
E njëjta qasje si më sipër vihet re edhe në këto dy pyetje:
Patjetër që ka edhe nga ata që nuk dëshirojnë të votojnë sepse “kanë humbur çdo shpresë” ose “nuk u pëlqen asnjë”.
Në lidhje me aspektet pozitive të partive PS dhe PD, ndjekësit vlerësojnë më shumë Partinë Socialiste për ndryshimet nëpër qytete, ndjekur nga lehtësimi i proceseve si në rastin e e-albania dhe menaxhimi i pandemisë/tërmetit. Nga ana tjetër, vlerësojnë të Partia Demokratike heqjen e vizave me BE-në dhe hapësirat për bizneset.
Thënë të gjitha këto, referuar aspekteve pozitive/negative të qeverisë dhe opozitës, duket se do të ketë një përplasje të ashpër ku Partia Socialiste nuk do ta ketë të thjeshtë të sigurojë mandatin e tretë, por edhe Koalicioni Opozitar do të hasë vështirësi për të rrëzuar qeverinë aktuale, me vetëm 12 vota më shumë në favor të saj.