Lajmet E fundit

Gjuha shqipe dhe sfidat e saj në media

Nga : Kristina Jorgaqi
Gjuha shqipe është ballafaquar gjerësisht këto dy dekadat e fundit me modele të huaja gjuhësore dhe kulturore. Pjesë e këtij ballafaqimi ka qenë, pa dyshim, edhe gjuha e shtypit.
Si pasojë, në shkrimet e gazetave e të revistave kanë depërtuar me qindra fjalë, kuptime e struktura të huajtura apo “të frymëzuara” prej gjuhësh të huaja (sidomos italishtja e anglishtja).

Prurje të tilla i kanë dhënë shkas, madje edhe diskutimeve, ku gjuha e sotme e shtypit është demonizuar apo parë si një antimodel i shqipes.
A është normale kjo “mësymje” prej modelesh të huaja? Nëse kemi parasysh kontekstin e gjerë ku gjallon dhe kryen funksionet e tij shtypi sot, afërmendsh që po.
Jetojmë në një epokë me prirje të theksuara globalizuese, ku lëvizja dhe qarkullimi i ideve, i informacionit, por edhe i njerëzve ka arritur majat; në një epokë ku kontaktet mes gjuhëve të ndryshme, veçanërisht me anglishten, e kthyer tashmë në një “gjuhë globale”, nuk janë parë kurrë më parë në një shkallë të tillë.

Në këto kushte është krijuar në disa fusha edhe një leksik me të vërtetë ndërkombëtar, me prejardhje kryesisht nga anglishtja (në politikë, ekonomi, informatikë, sport, muzikë etj.), si: leader, leadership, bipartisan, performance, partner, marketing, business, sponsor, staff, blog, computer, dj, karioke, cd, bestseller, party, gay etj.

Çfarë qëndrimi duhet mbajtur, të paktën parimisht, ndaj prurjeve nga gjuhët e tjera? Përgjithësisht do të ishte e mirëpritur çdo fjalë që:
* mbush një zbrazëti emërtuese (kompjuter, marketing, partner, biznes etj.);
* sjell ngjyrime kuptimore që fjalët shqipe nuk i kanë (samit kundrejt mbledhje, fans ndaj tifoz, parti ndaj mbrëmje etj.)
* mbart ngjyrime stilistike, evokon vende, kohë, mjedise të caktuara, i jep variacion gjuhës (killer kundrejt vrasës, haker ndaj pirat, bos kundrejt pronar etj.).

Këto, megjithatë, nuk do t’i mjaftonin kujt shkruan në shtyp. Përdorimi i fjalës në ligjërimin gazetaresk ka një liri shumë më të madhe pasi përveçse të japë informacion, shtypi synon edhe të tërheqë vëmendjen e lexuesit, ta bindë atë, ta argëtojë etj.

E rëndësishme është që, me prurjet e huaja, të mos abuzohet.
Komunikimi dhe shprehësia duhet të përbëjnë kriteret e vetme të përdorimit.