Lajmet E fundit

“Më thonin se Kosova nuk ekziston”, Dua Lipa flet për rrënjët kosovare: I di jetët që kanë humbur

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa ka folur për rrënjët e saj kosovare. Në një intervistë dhënë së fundmi për prestigjiozen WSJ, ajo tha se kujtimi i së kaluarës e ndihmon të jetë e kënaqur me jetën e saj.
“Është një pjesë e madhe e asaj që jam. Duke pasur parasysh prindërit e mi dhe mënyrën se si ata erdhën në Mbretërinë e Bashkuar, (situata e refugjatëve) ka qenë gjithmonë diçka që e mbaj shumë afër zemrës.

Kam lexuar shumë komente nga njerëzit që më thonë se nuk kam shtet, nuk kam identitet, Kosova nuk ekziston. Kam jetuar në Kosovë, i di jetët që kanë humbur. Kështu që dikush të më mohojë identitetin dhe përvojën timem është e vështirë për mua të mos flas për të. Kështu që kjo është diçka që do ta bëj gjithmonë”, u shpreh Dua.
Sakaq, këngëtarja ka treguar edhe marrëdhënien me njerëzit e saj më të afërt.

“Diçka që kam kuptuar me kalimin e kohës është se sa pak njerëzit e dinë në të vërtetë kush jam unë. Unë kam bërë paqe me faktin që njerëzit mund të mendojnë atë që duan të mendojnë, por askush nuk e di me të vërtetë se çfarë po ndodh pas dyerve të mbyllura”.