




Sali Berisha ka zhvilluar një takim me demokratët e Patosit për 31-vjetorin e themelimit të PD-së në këtë zonë.
Gjatë fjalës së tij, ish-kreu i PD-së vijoi sulmet ndaj ambasadores Amerikane, Yuri Kim, teksa e konsideroi këtë të fundit si sekretare ideologjike të Partisë Socialiste dhe zëdhënësve e “Lul Bravës”.





I irrituar nga dështimet e njëpasnjëshme, ku planet e tij, pavarësisht përdorimit të dhunës, nuk i siguruan dot karrigen e shumëdëshiruar të kryesimit të PD-së, Berisha ka vendosur të luaj kartën e blofit përballë Yuri Kim. Në fund të fundit, në këtë pikë të pakthyeshme, nuk ka gjë për të humbur.
Nën akuzë për korrupsion, ish-kreu i PD-së i dha disa “leksione” antikorrupsioni ambasadores Amerikane, duke i rekomanduar që në vend që të inkurajojë prokurimet direkte, duhet të këmbëngul në tenderat e hapur.





“Kam hapur një padi për shpifje dhe ju garantoj se edhe sikur 100 vite të rrëmojnë nuk do gjejnë kurrë një fakt të vetëm. Kjo përbën një motiv të fuqishëm për mua për të vazhduar betejën pa u përkulur. Në një intervistë zonja Yuri Kim e cila kalon nga sekretare ideologjike e PS në zëdhënëse të Lul Bravës sipas klimës po mburrej me investimet amerikane gjatë kohës së saj. Do t’i them dy fjalë. Ne këtu jemi më pro amerikanë se të gjithë të tjerët. Ne mirëpresim me kënaqësi investitorët amerikanë. Por kompania më e fuqishme amerikane që ka punuar në Shqipëri ishte Bektel. Bektel fitoi Rrugën e Kombit me një tender ndërkombëtar të shpallur në Londër ku morën pjesë 7 kompani gjigante evropiane dhe botërore. Të gjashtë kompanitë e tjera nuk patën asnjë ankesë për tenderin. Zonjë mos inkurajoni prokurimet direkte në këtë vend. Se pavarësisht nga vendi nga ato vijnë, për definicion prokurimet direkte janë korruptive. Nëse jeni i interesuar për luftën ndaj korrupsionin insistoni në tendera të hapur”- tha Berisha.