Lajmet E fundit

Rama e Basha qeverisin si vëllezër e bëjnë opozitë si baxhanakë

Të pasurit mendojnë se ne ja fusim kot, të varfërit luten që dikush të bëjë publik mendimin e tyre
Të dy, Edi Rama dhe Lulzim Basha, kanë “nënë” PD-në e “baba” Sali Berishën. Kjo është e vërteta kokëfortë. “Fëmija” më i madh i kësaj “familjeje”, Edi Rama, u idhnua shpejt e u bë grykës i paparë. Doli “shtëpi” e bëri prokupinë e vet. “Fëmija” më i llastuar i Saliut, Lulzim Basha nuk tradhtoi “nënën”, Partinë Demokratike, por nxori jashtë “babain”. Saliu sot ka ngelur në rrugë, si gjynahqar dhe troket derë më derë për strehë në Kështjellën e Politikës, për t’u ngujuar të mos e kapë një ulkonjë që ja ka vënë syrin ta bëjë copë-copë.

Ia ka marrë “djalin” e vogël, Lulin. Por edhe Luli është pak zevzek. Në shpirt i ka xhan edhe baba Saliun edhe vëlla Edin.
Këtej poshtë, ku rrinë të varfërit, ky është perceptimi.
Në qeverisje ngjajnë si vëllezër që “zihen” t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit, në opozitë, kur ka votime, bëhen qengja e ngjajnë si baxhanakë. Votohet formalisht e bëhet opozitë fallco.

Edhe vetë ambasadorja Yuri Kim e ka thënë, se këta shtiren, por bashkë janë të gjithë.
E keni dëgjuar?

Meqë qënka kështu, fajësia dhe pafajsia janë në një rrugë, në një hap, si qeveria dhe opozita.

Modeli i 30 viteve vjedhje e sundim, në boshllëkun e qeverisjes Rama dhe fluturimin me presh të opozitës, është interesant.

Po shkohet në zgjedhjet e 6 bashkive, më datën 6 mars, për të rrëzuar 61 bashki dhe krejt ngrehinën e hajdutëve.

Të gjithë, edhe ndërkombëtarët, e dinë se ‘non grata’-t e kriminelët dalin publikisht me thes me para e votimet janë kot fare. Blejnë heshtjen e ndërkombëtarëve, pushtetin dhe publikun, për të vjedhur pasuritë publike. Edhe kjo panoramë, perceptim në masë është. Dilni e shihni nëpër “fshat”, se vetëm kështu flitet.

Secili ka dyshuar njëherë, apo jo?

Dyshimi e besimi shtyjnë njëri-tjetrin, ndryshe nuk do ishin në këmbë, por të rrëzuar përtokë 4 Klanet Mafioze që njihen nga gjithkush.

Njerëzia fajëson Ramën dhe Bashën.

Të dy po, nga presioni që është afër shpërthimit, ngjan se shtiren sikur kanë i lënë hajdutët në dorë të drejtësisë.

Lulzim Basha, ende nuk është i besuar se është shkëputur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Asnjë akuzë për korrupsion nuk ka lëshuar, as pritet ta lëshojë selia blu as për Ilir Metën, as për Sali Berishën, as për Fatmir Mediun, Adriatik Llallën apo Xhezair Zaganjorin, që ende vazhdon t’u japë leksione studentëve se si të vjedhin.

Të njëjtën melodi orkestron kryeministri. Rama po bën lojë me dy porta. Erion Veliaj ende nuk është shpallur publikisht ‘non grata’ dhe ende s’ka “Foltore”, por diçka ka ndodhur. Erioni njihet si hajdut, si anëtar i Ndrangheta’s që pastron paratë e mafias në ndërtimin e kullave me krye në “qiell”.

Do e lëshojë Edi Rama Erionin apo do e përdorë si gjoksore antiamerikane?

Në dukje, do ta lëshojë shumë shpejt, pasi janë të hetuara dosjet e tij të fryra me miliona euro korrupsion. Ndaj Rama po shpejton. Po e përgatitë që ta futë në fushë si lojtar antiamerikan.

Ka zëra, por të fortë ama, se rrëmuja, deri dhe mosbindja civile, u intereson të gjithëve, pasi publikimi i mënusë së pasurive në tavolinë, është detyrim për secilin që ka kapur më shumë se rroga.

Të pasurit mendojnë se ne ja fusim kot, të varfërit luten që dikush të bëjë publik mendimin e tyre se Rama e Basha qeverisin si vëllezër e bëjnë opozitë si baxhanakë