Lajmet E fundit

Dosja e bujshme e ‘Thikave’ me ambasadat, solli ‘ftohjen’ e Enverit me Mehmetin

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), që janë shkëputur nga një dosje voluminoze me siglën “sekret” e cila i përket viteve 1980-1982 dhe bën fjalë për ngjarjen e bujshme, të çarjes së gomave të disa prej automjeteve të trupit të huaj diplomatik, të akredituara në Tiranë, ku pas shqetësimit të madh të Enver Hoxhës dhe telefonatës së tij, ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, të cilit në kulmin e zemërimit, “Komandanti” i tha: “Nëse për 24 orë nuk e gjeni se kush dhe përse i ka dëmtuar automjetet e ambasadave të huaja në Tiranë, gjej vrimë dhe futu”!

Alarmi i ministrit të Brendshëm Feçor Shehu, i cili thirri në një mbledhje urgjente, të gjithë drejtorët kryesorë të dikasterit që drejtonte dhe pasi iu bëri të qartë shqetësimin e madh të “Komandantit”, se mos ajo ngjarje do krijonte incident diplomatik me disa shtete, organet e Sigurimit të Shtetit dhe struktura të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda 24 orësh, arritën të zbulonin autoren e “krimit”, Prendushme Deda, punëtore e Ndërmarrjes Komunale të kryeqytetit, që punonte në pastrimin e rrugëve, e cila u kap në flagrancë përpara Hotel “Dajtit” teksa çante gomat e disa prej automjeteve, të trupit diplomatik në Tiranë.

Dëshmia e rrallë e ish-Drejtorit të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Neshat Tozaj, të dhënë pak kohë para se ai të ndahej nga jeta, lidhur me debatet e ashpra e përplasjen e tij, më ministrin Feçor Shehu, pasi ai, si titullar i laboratorit që drejtonte, nuk pranoi të firmoste akt-ekspertimin, për të konsideruar “armë të ftohtë” mjetin prerës, me të cilën punëtorja e pastrimit, kishte çarë gomat e disa prej automjeteve me targa “CD”! Kërcënimi i Feçor Shehut, për vartësin e tij që e shkarkoi menjëherë nga detyra, duke e dërguar si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe odiseja e gjatë e Tozajt, për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e tij, duke i dërguar letra ankesash kryeministrit Mehmet Shehu dhe më pas Enver Hoxhës.

Kjo u bë shkak e solli dhe ftohjen e përplasjen e parë, midis dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, të asaj kohe! Akuzat e Enverit ndaj Mehmet Shehut, se përse ai, e kishte mbajtur të fshehtë ngjarjen e bujshme, që tronditi Tiranën zyrtare, (nga frika e ndonjë incidenti diplomatik me disa shtete), ku pas vdekjes së tij dhe arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, ajo ngjarje ri doli “në skenë” dhe si rezultat, u liruan nga burgu dhe internimi të gjithë pjesëtarët e “grupit armiqësor”, që ishin akuzuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja e kthimin në vendin e punës së Neshat Tozajt, i cili disa vite më pas, shkroi romanin “Thikat”, që asokohe do të bënte një bujë të madhe!

Historia e panjohur e ngjarjes së ndodhur në vitin 1980, me automjetet e trupit diplomatik në Tiranë, që i gjenin gomat të çara, për të cilat Neshat Tozaj shkroi romanin “Thikat”!

Gjithashtu mund të lexoni
“Duke parë se piloti italian e kaloi vendin ku do zbarkonim me parashuta, Ndue Mëlyshi i tha ndihmësit të tij…”/ Historia e panjohur e “4 diversantëve” në Mirditë, mars ‘49
“Me urdhërin e Zylyftar Ramizit, na torturuan barbarisht te 313-ta në Tiranë, pasi na arrestuan për e bustin e Stalinit…”/ Dëshmia e Viktor Kasnecit, një prej organizatorëve
Diku nga vjeshta e vitit 1980, organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, morën një denoncim nga disa ambasada të huaja në kryeqytetin shqiptar, se automjetet e tyre, herë pas here gjendeshin, me goma të çara në mënyrë të qëllimshme, me mjete prerëse. Kjo gjë natyrisht vuri në lëvizje organet përkatëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat angazhuan strukturat e Policisë Popullore dhe Sigurimit të Shtetit, që fillimisht nuk e besuan atë gjë, duke menduar se mos ai denoncim, ishte ndonjë sajesë e tyre, por pak ditë më pas, ajo ngjarje shkaktoi alarm, duke shqetësuar vetë udhëheqësin kryesor të Partisë, Enver Hoxhën, i cili duke i’u druajtur ndonjë incidenti diplomatik, me një numër shtetesh të huaja, i telefonoi menjëherë ministrit Feçor Shehu, duke i thënë: “Ti je Feçor Shehu, se nuk jemi takuar dhe as kemi llafosur ndonjëherë bashkë”?

Ndërsa nga ana tjetër e receptorit u dëgjua: “Si urdhëron shoku komandant, unë jam”, Enveri vazhdoi: “Në rast se brenda 24 orëve, nuk zbuloni se kush dhe përse janë çarë gomat e automjeteve, të diplomatëve të huaj në Tiranë, gjej vrimë dhe futu”.

Ai thirri menjëherë në zyrën e tij një takim urgjent, të gjithë shefat dhe drejtorët kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, të cilëve, pasi u bëri prezent ngjarjen që kishte ndodhur, me automjetet e disa përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranë dhe ankesën që ata kishin bërë pranë asaj ministrie, në fund i’u tha: “Po nuk e gjetët për 24 orë, se kush dhe përse i ka çarë gomat e disa automjeteve, të trupit diplomatik në Tiranë, gjeni vrimë dhe futuni”, duke përsëritur kështu fjalë për fjalë, ato që i kishte thënë Enver Hoxha në telefon pak minuta më parë.

Po si dhe nga kush ishte informuar “Komandanti” për atë ngjarje të bujshme, për të cilën ishte shqetësuar seriozisht, duke i’u druajtur ndonjë incidenti të mundshëm diplomatik, me disa shtete të huaja, e aq më shumë për faktin se ajo ngjarje i ishte mbajtur e fshehtë dhe ndaj tij, nuk kishte shkuar asnjë raport-informacion zyrtar, siç ndodhte zakonisht edhe për gjëra fare të zakonshme dhe pa ndonjë vlerë?! Informacioni për ngjarjen në fjalë, Enverit i kishte shkuar nga bashkëshortja, Nexhmije Hoxha, e cila pasi ja kishte treguar, i kishte thënë se atë gjë i’a kishte thënë Klemi (dhëndrri, Klemenet Kolaneci), dhe ai e kishte mësuar nga i vëllai, Florjani (Kolaneci), që në atë kohë ishte shef sektori dhe hetues në Hetuesinë e Përgjithshme në Tiranë, gjë të cilën ai e kishte objekt të punës së tij dhe të vëllait, Klemit, ja kishte thënë fare spontanisht (vetëm me një fjali), teksa ishin duke pirë kafe së bashku në Hotel “Dajti”.

Ngjarja e rëndë që tronditi seriozisht Tiranën zyrtare të asaj kohe, u zbulua vërtet për 24 orë, personi që kishte shpuar me thikë, gomat e automjeteve të disa prej ambasadave të huaja në Tiranë, vazhdoi të kryente atë “rit”, duke “vazhduar punën” me po atë thikë, ndaj automjeteve të tjera që i dallonte nga targa “CD”!

“Agresori”, që me veprimin e tij, kishte shkaktuar alarm, duke vënë në lëvizje të gjitha strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, quhej Prendushe Deda dhe ajo ishte një punëtore (pastruese) e Ndërmarrjes Komunale të kryeqytetit, që zakonisht punonte turni i tretë, duke punuar në qendër të Tiranës dhe afër lagjes se bllokut të banesave të trupit diplomatik.

Atë veprim, ajo e kishte bërë dhe vazhdoi ta bënte deri në momentin, që u kap në flagrancë me thikë në dorë, diku para Hotel “Dajtit” (ku ishte parkuar një automjet me targën “CD”), nga ana e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme e kryesisht të Sigurimit të Shtetit, të cilat ishin angazhuar maksimalisht me të gjithë arsenalin tekniko-logjistik, që dispononte ajo ministri.

Gjatë procesit hetimor, ku krahas një grupi special hetuesish, merrte pjesë personalisht edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, ajo (Prendushe Deda), pohoi se: nuk ishte shtyrë nga askush dhe atë veprim e kishte bërë në shenjë hakmarrje, pasi para disa ditësh, një makinë e ambasadave, (duke treguar dhe ngjyrën e automjetit), e kishte përplasur në rrugë, teksa ajo ishte duke punuar dhe ishte larguar pa ndaluar, ndërsa ajo edhe pse ishte shembur në tokë.

Në atë moment asaj i kishte lindur ideja për hakmarrje, që t’u çante gomat e makinave me targën “CD”, kudo që t’i gjente ato në Tiranë. Pas kësaj, ajo kishte porositur një thikë, tek një njeriu i saj, i cili kishte mundur ta siguronte te një i afërm, që punonte në Uzinën “Traktori” dhe me të marrë thikën, ajo kishte vazhduar “aksionin” e ideuar më parë, duke çarë gomat e disa automjeteve të trupit diplomatik, deri në momentin që strukturat përkatëse të Ministrisë së Brendshme, e kishin kapur në flagrancë me thikën në dorë, pranë një automjeti (“CD”) të parkuar para tavernës së Hotel “Dajti”.

Si grupi special i hetuesve, ashtu dhe ministri Feçor Shehu, nuk u bindën në pohimet e të arrestuarës, Prendusha Deda dhe ata më pas arrestuan disa persona, duke filluar nga e afërmja e Prendushes, që kishte porositur thikën, personin në Uzinën “Traktori”, si dhe disa familjarë të tjerë të tyre, duke formuar kështu një “Grup të strukturuar kriminal armiqësor”. Por para se të zhvillohej gjyqi i këtij “Grupi armiqësor”, duheshin paraqitur prova, para trupit gjykues, ku me një akt-ekspertimi, të vërtetohej se mjeti prerës që Prendushja, përbente kriteret për t’u quajtur “armë e ftohë”.

Nga ana e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas akt-ekspertimit, erdhi përgjigja negative, pra që ai mjet prerës, mund të quhej thikë, por kurrsesi “armë e ftohtë”. Pas kësaj, ministri Feçor Shehu, thirri me urgjencë shefin e Laboratorit Qendror Kriminalistik, Neshat Tozajn, (që zyrtarisht ishte vartësi i tij), jo në zyrën e tij të ministrit, por në kafen kryesore të Hotel “Dajti” dhe aty i kërkoi llogari, duke i thënë se: përse Laboratori që ai drejtonte, nuk e kishte konsideruar atë, si armë të ftohtë, në një kohë që me të, mund të vrisje fare lehtë një njeri? Përgjigja e Neshat Tozajt ishte: “Shoku ministër, edhe me ketë tavëll që kam unë në dorë, mund të vrasësh fare lehtë një njeri, por kjo nuk është armë e ftohtë”!

Pas një debati që zgjati disa minuta, kur Feçor Shehu e pa se vartësi i tij, nuk po tërhiqej nga ajo që kishte nënshkruar me dorën e tij, në akt-ekspertimin e mjetit prerës, nuk ishte armë e ftohtë, i tha: “Shoku Neshat, ti nuk do ta ndihmosh Partinë dhe organet e Ministrisë së Brendshme, që po luftojnë prej kaq muajsh, për dënimin e këtij grupi kriminal armiqësor?!

Pas këtyre fjalëve që indirekt ishin një mënyrë presioni për shefin e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës, Neshat Tozaj, ai i’u përgjigj: “Shoku ministër, jo vetëm jam gati të ndihmoj Partinë, por edhe të luftoj duke dhënë jetën time, në luftë kundra armiqve, kushdo qofshin ata, por ndërgjegjja profesionale dhe përgjegjësia që kam, ndaj detyrës, që më ka ngarkuar dhe besuar Partia, nuk ma lejon që ta konsideroj atë mjet prerës, apo thikë siç e keni quajtur ju, si “armë të ftohtë”! Ndërkohë, ende pa mbaruar mirë fjalën Neshati, ministri Feçor Shehu, u ngrit në këmbë dhe e kërcënoi atë me shkarkim nga detyra.

Feçori,firmosi shkarkimin e tij nga detyra. Pas kësaj, nga ana e strukturave përkatëse, Tozajt i’u komunikua detyra e re, si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Sigurisht që ai e pranoi punën e re, por vendosi që të ankohej deri në instancat më të larta, për atë padrejtësi që i ishte bërë.

Ndërkohë, një nga miqtë e tij të ngushtë, (në atë kohë shef sektori në organet e Sigurimit të Shtetit), e këshilloi Neshatin, që t’i shkruante një letër, kryeministrit Mehmet Shehu, duke i marrë përsipër edhe personin që do t’ja jepte në dorë atë letër kryeministrit, i cili ishte sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë së asaj kohe, Kiço Kasapi. Por edhe pse Neshati e shkroi letrën dhe “garanti” ua bëri të ditur, se letra kishte mbërritur te kryeministrit Mehmet Shehu, ndaj Tozajt, nuk po vinte asnjë përgjigje?! Ndonëse të dy miqtë e tij, ngulnin këmbë se kryeministri nuk mund t’i kthente përgjigje autorit të letrës, pasi ajo nuk i kishte shkuar në rrugë zyrtare, siç e parashikonte ligji, duke kaluar nëpër të gjitha hallkat administrative që kishte kryeministria, Tozaj përsëri nuk ishte i qetë dhe në mendjen e tij vinin mendime dhe ide të tjera, për t’u ankuar më lart.

Këtë gjë, pra idenë për të shkruar një letër tjetër ankese, por kësaj radhe ndaj udhëheqësit kryesorë të Partisë, Enver Hoxhës, i’a nxiti edhe fakti, se ministri Feçor Shehu, me një urdhër dite, kishte caktuar shefin e Kabinetit të tij, Farudin Poçari dhe pedagogun e njohur të Fakultetit Juridik në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Skënder Begeja, (lektor i lëndës së kriminalistikës), për të bërë akt-ekspertimin e mjetit prerës, që i ishte kapur në flagrancë të pandehurës, Prendushe Deda, të cilët menjëherë kishin firmosur, ashtu siç kishte kërkuar ministri i Punëve të Brendshme, pra duke e klasifikuar atë thikë si “armë të ftohtë”! Por edhe pse kjo gjë ishte bërë tashmë fakt i kryer dhe vetëm në saj të atij dokumenti, Prendushe Deda, ishte arrestuar për “mbajtje arme të ftohë pa leje”, e ishte dënuar me disa akuza të tjera, së bashku edhe me disa nga të afërmit e saj dhe persona të tjerë që “dilnin të implikuar në atë veprimtari armiqësore”, ish-shefi i Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që tashmë ndodhej me punë si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ngulte këmbë që ai veprim i kryer nga ministri Feçor Shehu,nuk ishte i bazuar në ligj dhe binte ndesh me ligjet në fuqi.

Nisur edhe nga kjo shkelje e rëndë ligjore, prej së cilës tashmë ndodheshin të dënuar nëpër burgje dhe të internuar, disa shtetas me në krye Prendushe Dedën, Neshat Tozaj i shkroi një letër udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxha, duke i theksuar, se “…për atë ngjarje dhe padrejtësinë që i ishte bërë atij, ai kishte sinjalizuar disa kohë më parë edhe kryeministrin Mehmet Shehu, por me sa duke atij, nuk i kishte rënë në dorë letra e tij”?!

Pas kësaj, Enveri thirri në një takim urgjent në zyrën e shtëpisë së tij, ministrin Feçor Shehu, për “çështjen thikat”, kur i kishte thënë: “Nëse nuk e gjeni për 24 orë se kush dhe përse ka dëmtuar automjetet e ambasadave të huaja në Tiranë, gej vrimë dhe futu…”! Thuhet se pas atij takimi të shkurtër që kishte zgjatur vetëm disa minuta, Feçori kishte dhënë edhe shpjegimet e tij mbi “fejesën e Skënder Shehut”, Enveri i kishte thënë të largohej dhe në ditarin e tij sekret, kishte shkruar: “Kush na e solli këtë njeri që e vumë ministër…?! Një mediokritet i gjallë”!

Të gjitha këto, pra “fshehja e ngjarjes së thikave” nga ana e Mehmet Shehut, si dhe “faji i tij” me fejesën e djalit Skënderit, u bënë bashkë dhe ato ishin zanafilla, që e zëmëruan së tepërmi Enver Hoxhën, të cilat shkaktuan dhe krisjen e çarjen e madhe, që ndodhi më pas në mes tij dhe Mehmetit!

Para se ata eliminoheshin, ndaj tyre filluan mbledhjet në Ministrinë e Punëve të Brendshme e organizatat e Partisë ku ata militonin, si dhe Plenum i Komitetit Qendror të PPSH-së, që u mbajt në muajin tetor të vitit 1982, nga ku do të dilte në skenë edhe “çështja thikat”, në bazë të së cilës, ishte dënuar një “grup armiqësor”, ku u hodhën akuza se “ajo çështje ishte inskenuar nga Feçor Shehu, me porosi të Kadri Hazbiut, me qëllim për të krijuar incident diplomatik me disa shtete të huaja, që kishin ambasadat e tyre në Tiranë”. Në bazë të kësaj, u ngrit një grup pune, që të ri hetonte të gjithë “çështjen thikat” ku si rezultat, pas disa muajsh, u hartua dhe raporti për udhëheqjen e lartë të PPSH-së, duke dalë në konkluzionin se: “çështja thikat, ishte kurdisur nga Feçor Shehu e njerëzit e tij”!

Pas kësaj nga instancat përkatëse partiake dhe shtetëror, u muarr vendimi dhe u liruan nga burgu Prendushe Deda dhe gjithë “grupi armiqësor”, dhe pjesëtarët e tjerë të atij “grupi” që ndodheshin të internuar, u rikthyen në Tiranë, duke i sistemuar në punët e tyre, ku kishin qenë më parë dhe banesat që ata kishin pasur, para dënimit dhe internimit. Po kështu, u rikthye në detyrë edhe Neshat Tozaj, duke u riemëruar si shef i Laboratorit Qendror Kriminalistik, duke dorëzuar detyrën e skenaristit, që kishte mbajtur për disa vjet në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

E gjithë ngjarja në fjalë, nxiti Neshat Tozajn, të shkruante librin “Thikat” i cili o botua në vitin 1989 nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, pasi drejtuesit e saj, morën më parë aprovimin nga ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe dhe njëkohësisht sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, Hekuran Isai, i cili shënoi në dokumentin zyrtar: “Të botohet pa asnjë problem”.

Ngjarja sa më sipër, është ndërtuar në bazë të dëshmive të z. Neshat Tozaj, për autorin e këtij shkrimi (pak kohë para se ai të ndahej nga jeta në vitin 2008), dhe ajo bëhet publike për herë të parë, pasi në atë kohë, z. Tozaj, na kërkoi që dëshmia e tij, do të publikohej vetëm kur të gjendeshin dokumentet arkivore, që bënin fjalë mbi këtë ngjarje. Duke i’u përmbajtur kërkesës së tij, kjo dëshmi që na ka dhënë z. Tozaj, publikohet për herë të parë nga Memorie.al, duke publikuar krahas saj edhe dosjen arkivore të “çështjes thikat”, e cila do vijoj në numrat e ardhshëm.