Lajmet E fundit

Letra për Enverin: Bani vdiq në qeli nga torturat, doktorit e raportoi turbekuloz

Raporti sekret i majorit të Sigurimit të Shtetit për Kadri Hazbiun
Publikohen disa dokumenta të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi 14, Ap. i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një raport sekret i vitit 1949, ku gjeneral-major Mehmet Shehu, informon Enver Hoxhën dhe Komitetin Qendror të Partisë Komuniste, për torturat që u ishin bërë gjatë hetuesisë ing.

Lutfi Strazimirit e Pavllo Margaritit, që akuzoheshin si agjentë të amerikanëve dhe Abdyl Banit, shoqëruesit të kolonel Islam Radovickës, ku në mes të tjerash, majori i Sigurimit të Shtetit, Zymer Jerina, shkruan: “Abdyli gjatë hetuesisë nuk ka deponuar asgjë as për Islam Radovickën dhe as për veten e tij, sado që është torturuar nga një ish-kapter dhe mbajtje në presion, pa gjumë, pa bukë, në këmbë nga një n/toger”!

Që nga nëntori i vitit 1948-të kur Enver Hoxha filloi goditjen ndaj Koci Xoxes, në Kongresin e parë të PKSH-së e në muajit në vijim, deri sa ai doli në gjyq në majin e vitit 1949-të, me porosi direkt të Enverit, nga Ministria e Brendshme dhe kryesisht Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, u morën një numër i madh dosjesh sekrete, të cilat u dërguan në kabinetin e tij, në Komitetin Qendror të PKSH-së. Në ato dosje që i përkisnin një periudhe kohore katër vjeçare (1945-1948), kishte dokumente me proces-verbale, relacione, raporte, informacione, letra të ndryshme etj, të cilat kishin të bënin kryesisht me veprimtarinë dhe punën e ish-Ministrit të Brendshëm, gjeneral-leitnant, Koçi Xoxes, i cili ndodhej në procesin hetimor, në qelitë e Burgut të vjetër të Tiranës. Pjesa më e madhe e këtyre dosjeve përmbanin arrestime, eliminime personash, tortura ndaj tyre, vdekje në qeli, pushkatime, me dhe pa gjyq, fshehje kufomash etj etj krime nga më të përbindshmet, që ishin bërë deri në atë periudhë kohe, nga Ministria e Brendshme. Qëllimi i Enver Hoxhës ishte që ato “prova dhe fakte” t’ja “faturonte” ish-ministrit Koçi Xoxe dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, zv/ ministra të Brendshëm, Drejtorë të Sigurimit të Shtetit, e zyrtarë të tjerë, të rangjeve më të ulta të asaj ministrie, duke i akuzuar ata për të gjitha krimet që kishin ndodhur në atë periudhë kohore, që ata kishin qenë në krye të Ministrisë së Brendshme. Dhe për ta bërë sa më të besueshme luftën dhe “denoncimin e krimeve të Koçi Xoxes”, Enver Hoxha shpalli një amnisti, duke liruar nga burgu, disa persona dhe duke rehabilituar disa të tjerë, gjë e cila është e njohur tashmë edhe në Historinë e PPSH-së si “Kthesa e Partisë”. Lidhur me sa më sipër, bën fjalë edhe ky dokument arkivor, i cili i përket shkurtit të vitit 1949 dhe që përmban një raport-informacion, i përpiluar nga majori i Sigurimit të Shtetit (Zymer Jerina) dhe që u bëhet me dije, udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste dhe disa prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enver Hoxhës, si: Mehmet Shehut, Tuk Jakovës, Liri Belishovës, Kadri Hazbiut, etj., të cilën e ka parë dhe sigluar me firmën e tij edhe Enveri. Dokumenti në fjalë ku pasqyrohen qartë krimet monstruoze, të ndodhura në atë periudhë kohe, publikohen ekskluzivisht nga Memorie.al

Raporti sekret i majorit të Sigurimit të Shtetit për Kadri Hazbiun LETRA PËR KOLONEL KADRI HAZBIUN

Shoku Kolonel

Si mbas materialit që disponoj, këtu po rreshtoj disa materiale mbi personat mbi të cilët interesohet dhe shoku Tuk dhe shoqja Liri.

Ingj. Lutfi Strazimiri është arrestuar në muajin Gusht 1947, i akuzuar si spiun në shërbim të spiunazhit Amerikan (S.B.S.) i rekrutuar nga Fultzi, që në vitin 1923-‘27 ndërsa ka qenë nxënës në shkollën Teknike të Tiranës. Gjatë kohës që ka qenë në shkollën Teknike, ka frekuentuar një kurs spiunazhi për shumë kohë së bashku me shumë bashkënxënës (afro 15 vetave emnat e të cilëve i shënon në proces-verbalin e tij).
Mbasi mbaroi shkollën, u vu në shërbim aktiv të informacionit Amerikan, mbas pak kohe shkoj për të vazhduar studimet si Inxhinier në Gjermani. Mbas tre vjetësh që ndeji në Gjermani, erdhi në Shqipëri ku përsëri ra në kontakt me Fultzin, i cili n’atë kohë ishte përgatitur të lente Shqipërinë, se u përzu nga shteti Shqiptar. Përpara se të ikte Fultzi e prezantoi Lutfinë, me njeriun e spiunazhit Amerikan në Legatën Amerikane, Hofmman me të cilin bashkëpunoj deri sa u largua Legata Amerikane nga Shqipëria. Në këtë rast Lutfiu, nënshkroi kontratën dhe u bë spiun i rregullt, i cili për shërbimet që kryente, u shpërblente me 200 Fr. Ari në muaj. Këtë rrogë e merrte rregullisht edhe mbas largimit të Legatës, nëpërmes Ahmet Çelës (bashkënxënës i Lutfiut), të cilit Lutfiu i jepte informata dhe këto informata Ahmeti i çonte në Legatën Turke. D.m.th. se Lutfiu, në këtë rast i ka shërbyer edhe spiunazhit Turk. Në vitin 1936, d.m.th. mbas tre vjetëve që është kthyer nga Gjermania, ka ra në lidhje me tre oficerë Gjermanë të Gestapos, që ishin civilë në Shqipëri si teknikë, por me mision spiunazhi. Këto lidhje duke i shërbye me informata të ndryshme Lutfiu i ka mbajtur deri nga fundi i vitit 1944, (disa muaj para kapitullimit të Gjermanisë). Gjatë kësaj kohe ka pas lidhje me shumë oficerë të Gestapos, deri më në fund edhe me Gjeneralin Fiztum.

Mbas çlirimit përsëri filloj aktivitetin e tij prej spiunazhi, në shërbim t’Amerikanëve. (U lidh me njerëzit që i kishte dërguar Fultzi S.B.S në Shqipëri). Në bazë të direktivave të Fulztit, u organizua Organizata Tekniko-Intelektuale ku dhe Lutfiu u bë pjesëmarrës aktiv i saj deri sa u godit.

Në bazë të materialit që ka proçesi i tij, mendoj se dënimi i tij është politikisht i drejtë, ndonëse n’hetuesi t’asaj kohe, mund të ketë pas sugjerime, ekzagjerime jashtë mase etj.

Pavllo Margariti, nga Vlora ish N/Toger i Ushtrisë Kombëtare. Asht arrestua në majin e vitit 1947 për aktivitet spiunazhi në shërbim të imperializmit Amerikan.
Në Gushtin e vitit 1942 për arsye të qëndrimit të tij pro L.N.Ç. u arrestua nga italianët dhe u internua në Kampin e Barit, ku qëndroj deri në kohën e kapitullimit të Italisë para trupave Anglo-Amerikane. Dy muaj më vonë u largua nga kampi i Barit nga Anglezët dhe u dërgua në një kamp 20. km larg Barit. Aty ra në kontakt me agjentin Lari Post dhe me një kapter Amerikan me origjinë Shqiptare. Meqenëse ishte i sëmurë me ndërmjetësinë e këtyre u nxor nga kampi dhe u dërgua në Sanatorium. Këtu shpesh vizitohesh prej Lari Postos dhe kapterit të cilët e ndihmojshin materialisht dhe e edukojshin, në shërbim të spiunazhit Amerikan. Gjithë shokët e tij, që kishte qenë me ta në kamp i kishte organizuar Fultzi, në kurse speciale për informacion, si Galip Hatibi, Kol Berisha, Sinan Gjoni, Hasan Reçi, Spiro Dhima, etj. Ndërsa Pavllua edukohej individualisht, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Gjatë kohës që ka qenë atje, pohon se është rekrutuar Agjent i rregullt i S.B.S dhe po me këto detyra, është përcjellë për në Shqipëri. Këtu ka mbajt lidhje të rregullta me njerëzit që i kanë rekomanduar amerikanët, ka marrë udhëzime prej tyre e direket prej Lari Posto.

U ka dhënë informata të gjithfarshme ka tradhtuar detyrën që ka qenë besue në zyrën e Censurës së Komandës së Përgjithshme që tue përfitue, nga kjo asht lejue që të shkoj korrespondencën e Lari Postos në Itali, pa çensurën e cila ka pas karakter thjesht informative.

Ka zhvillue një punë armiqësore t’organizueme deri sa asht arrestue. Mbas arrestimit të gjitha i ka pohue vetë. Nuk dihet nëse asht torturuar.

Nga materiali që ka në proçes, mendoj se dënimi i tij është i drejtë.

Abdyl Bani, nga Vlora i cili ka qenë prapa Islam Radovickës. – Asht arrestue me qëllim që të nxirrej diçka rreth aktivitetit të Islamit si dhe për shkak se implikohej në procesin e hajdutit Adem Çoku, si nxitës i këtij për vjedhje dhe arratisje. Gjatë hetuesisë nuk ka deponuar asgjë, qoftë për Islamin dhe qoftë për Ademin dhe as për veten e tij, sado që është torturuar, nga një ish-Kapter dhe mbajtje në presion (pa gjumë, pa bukë, në këmbë nga një N/Toger). Mbas një dite që është torturuar nga Kapteri, ka vdek. Si mbas raportit që ka lëshue Dr. Ibrahim Dervishi, rezulton se ky ka qenë T.B.C në shkallën e fundit e sigurisht për vdekjen, ja kanë shpejtuar torturat e jeta e keqe në birucë. Po atë natë (natën pa e parë njeri, asht varros nga Toger Zydi Aga, në bregun e lumit ku varroseshin Armiqtë e Popullit. Kufoma para se të varrosej, nuk ka qenë dërgue në Garnizon, siç thuhet në letër. Vendin ekzakt të varrimit të tij e di Toger Zydi Aga.
Në lidhje me çështjen e këtij, Kapiten i I-rë Stavri Xhara, mbas Kongresit të I-rë të P.K.Sh. ka përpiluar një relacion të hollësishëm i cili u paraqit ose në Komitetin Qendror ose në Prokurorinë Ushtarake.

M a j o r (Zymer Jerina)-Shoku Tuk-Po ju dërgoj informatën që kini kërkuar Kol. Kadriut, me anën e sekretarit.–Ndoshta s’janë të plota, por tash për tash, këto kemi.-22.12.’49.

Mehmet Shehu-Familja e Abaz Kupit u internua, për ato të tjerat po hetojmë.