Lajmet E fundit

Banorët në protestë, reagon Rama: U është dhënë haku, madje më shumë sa u takon

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e banorëve të “5 Majit”, shtëpitë e të cilëve kanë nisur të shemben në kuadër të procesit të rindërtimit.
Rama ka zgjedhur të reagojë për këtë çështje, duke replikuar me ndjekësit në rrjetet sociale. Një prej tyre e ‘kritikon’ qeverinë për sjelljen ndaj banorëve të kësaj zone.

Ndërkohë Rama thotë se të gjithë banorëve u është dhënë “haku”, duke theksuar se kanë marrë edhe më shumë sesa u takon.
“Unë besoj se tek 5 maji te gjitheve u eshte haku qe u takon dhe disave madje edhe me shume se sa u takon, prandaj tani duhet vetem durim dhe besim, sepse njesoj sic po ndodh me te tere ata qe po perfitojne nga Rindertimi, do ndodhe edhe me ju atje, ndersa ate pjesen e votimit mos e thuaj te pakten, jo per mua, po per tere ata qe u vrane, u burgosen, u privuan nga e drejta e vote”, shkruan Rama.

Ndërkohë banorët e “5 Majit” dhe disa zonave të tjera si Lapraka e Paskuqani sot janë në protestë. Protesta e tyre nisi para parlamentit, u zhvendos tek ambasada amerikane dhe tashmë po shkojnë drejt asaj të Bashkimit Europian.