Lajmet E fundit

Ndahet nga jeta, aktori i njohur si “Perikliu i Pallatit 176”

Ndahet nga jeta, Anastas Kristofori, aktori i njohur si “Perikliu i Pallatit 176”
Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare aktori shqiptar Anastas Kristofori.
Aktori njihet për rolin e ‘Perikliut’ në komedinë “Pallati 176”. Kristofori ka pasur një jetë aktive në kinematografi ku numëron mjaft shfaqje teatrale dhe filma shqiptarë.

Ai ka luajtur në filmin “Lulëkuqe mbi mure” në rolin e Stavrit, rolin e z.Antonio, Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi”, roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe”, por më i spikaturi është ai i Perikliut në komedinë e njohur “Pallati 176”.

Anastas Kristofori lindi më 28 nëntor të vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës. Ai kreu studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve dhe më pas filloi punë me Trupën Profesionale të Teatrit Popullor.

Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.