Lajmet E fundit

“Një familjar ka kandiduar në zgjedhje dhe duan të më prishin imazhin”/ Dubai…!

Gjykata e Apelit në Dubai ka rrëzuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Florec Çapjas, i akuzuar për vrasje të dyfishtë. Gjykata në Dubai ka vlerësuar se mungojnë provat.
Autoritetet shqiptare paraqitën një kërkesë në fillim të vitit të kaluar duke kërkuar ekstradimin e tij me akuzën e bashkëpunimit në vrasje, mbajtjes së armëve pa leje dhe përfshirjen në një grup kriminal.

Avokatja e tij, Awatif Mohammed tha se kërkesa u refuzua sepse Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shqipëria nuk kanë marrëveshje ekstradimi dhe se Çapja nuk ishte në Shqipëri kur u krye krimi.
Hetuesit në Shqipëri u thanë autoriteteve të Dubait se 40-vjeçari punësoi dy vrasës në vitin 2012 dhe u pagoi atyre 50,000 euro për të vrarë babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri.

Çapja u ndalua në Dubai në muajin maj dhe i mohoi të gjitha akuzat kundër tij. Ai u la i lirë dy muaj më vonë.

“Klienti im u mbajt në paraburgim për gati 60 ditë. Të dhënat vërtetuan se ai ishte në Maqedoni kur krimi u krye në Shqipëri”, tha Mohammed.

Mediat shkruajnë se Çapja ka thënë para trupit gjykues se kërkesa për ekstradim kishin për qëllim dëmtimin e reputacionit të familjes së tij, e cila po garonte në zgjedhjet në Shqipëri.

“Një nga familja e tij kandidoi për zgjedhjet në Shqipëri dhe klienti im beson se kërkesa për ekstradim për një vrasje që nuk e ka kryer në kohën e zgjedhjeve është një përpjekje për të shtrembëruar reputacionin e familjes së tij dhe për të ndikuar në opinionin publik”, tha Mohammed.

Ajo tha se ‘luftoi’ kundër rekomandimit të prokurorëve për të miratuar kërkesën për ekstradim.

“Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shqipëria nuk kanë një traktat të nënshkruar në lidhje me kërkesat për ekstradim dhe kjo kërkesë është paraqitur në bazë të zotimit të autoriteteve shqiptare për të vënë në praktikë parimin e reciprocitetit”, tha Mohammed.

Ajo i tha gjykatës se kjo praktikë përfshin të drejtën për barazi mes dy vendeve në mungesë të një traktati të nënshkruar, por, në këtë rast, nuk qëndron si arsyeja e vetme për të miratuar kërkesën.