Shkarkimi i Metës/ Seanca shtyhet për ditën e hënë, arsyeja





Është shtyrë sërish seanca për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Seanca e radhës do të mbahet ditën e hënë në orën 10.00.
Vendimi erdhi pas kërkesës së këshilltarit të ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj. Ky i fundit kërkoi 48 orë kohë për t’u përgjigjur pyetjeve, pasi vetëm realatori i çështjes, Përparim Kalo i drejtoi rreth 30.





Nga ana tjetër përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka deklaroi se dy orë janë të mjaftueshme. Në përfundim të seancës Dervishaj tha për gazetarët se nuk ka shkak për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
“Nuk ka pasur, nuk ka lëndë për të iniciuar procesin e shkarkimit të presidentit. Ju i dëgjuat të gjitha ‘live’. Presidenti ka kërkuar që prej datës 1 korrik që ky proces të përfundonte brenda legjislaturës së Kuvendit të vjetër.
Komisionet e vjetra nuk ishin në periudhë fundore, ky i fundit u ngrit pas zgjedhjeve që nuk lejohet”, deklaroi Dervishaj.





Më herët Kreu i Shtetit kërkoi dorëheqjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga kjo çështje me arsyetimin se kishin konflikt interesi dhe se u kishte përfunduar mandate. Gjithashtu kërkoi përjashtimin e përfaqësuesve të Kuvendit.
Meta ka paralajmëruar se çështjen mund të dërgojë edhe në Gjykatën Evropiane, si institucion mbi atë Kushtetuesen. Ai është shprehur i bindur se detyrën do të vazhdojë deri në përfundimin e mandatit, 24 korrik të këtij viti.
Kuvendi miratoi më 9 qershor me 104 voto pro shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Meta është presidenti i parë i Republikës që u shkarkua me një nismë të tillë nga Kuvendi.
Tani është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë përfundimisht nëse gjetjet e Parlamentit, për shkelje të rënda të Kushtetues nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo.
Për shkarkimin e tij, socialistët ngritëm Komisionin Hetimor, i cili për disa javë mblodhi fakte, që sipas tij, vërtetonin shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit Ilir Meta, dhe që ishin kryesisht deklarata të bëra nga ky i fundit në media apo në rrjetet sociale.