




Bibliografia për qytetin antik të Apolonisë është relativisht e gjerë dhe e shumanshme. Nuk pretendoj që në një kumtesë të jenë shfrytëzuar të gjitha burimet e shkruara që bëjnë fjalë për këtë qytet siç mund të kërkohet nga titulli. Kam hezituar në fillim të marr përsipër trajtimin e kësaj kumtese: “ Apolonia nëpër analet e historisë”, jo aq për shtrirjen dhe kompleksitetin e temës, se sa për vështirësinë që paraqet renditja e të gjitha të dhënave që mund të nxirren nga këto anale ose për të afruar interpretime të reja të tyre, që në shumë raste do të kërkonim studime të veçanta e më të thelluara.





Pra për aq sa na lejon koha po paraqes shkurtimisht atë që kam trajtuar më gjerësisht në një studim tjetër (Vështrime historike mbi Apoloninë e Ilirisë, në proces botimi).
Për historinë antike të Apolonisë ka të dhëna me vlerë nga autorët e lashtë grekë e latinë. Në përgjithësi ato janë të kufizuara, fragmentare dhe të përqendruara më tepër në ngjarjet politike dhe luftarake të kohës. Lajmet e para për Apoloninë e Ilirisë i kemi që në shekujt VI-V p. e. sonë nga historianë të shquar grekë: Hekateu i Miletit, historian dhe gjeograf i shek. VI p. e. s. në veprën e tij Europa, përmend Apoloninë si qytet me tipare të një polisi. Në veprën e Herodotit Historia (Libri IX, 92,93,94) gjejmë të dhëna me interes për tokat, kullotat, rritjen e dhenve, për legjendat, mitet, kultet, orakujt si dhe mënyrën e jetesës në Apoloni. Te Thuqididi kemi vetëm një njoftim të shkurtër në të cilin thuhet se Apolonia ishte koloni e korinthasve (Historia, libri I, 26,2). Në shekujt që pasojnë, gjatë periudhës helenistike dhe më vonë shtohet muri i lajmeve për këtë qytet.





Midis njoftimeve me karakter gjeografik për krahinat bregdetare të Ilirisë që japin Skylaksi (Ps. Seyl. Periplus Illyriai, 26); Skymni (orbis descriptio, 435); Straboni (strab. Geographica, Libri VII, 8,5,4,7,7,57, a; Libri VIII, 32,3) dhe Apollodori (Apollod. Epic. 12,5b), nuk lënë pa përmendur Apoloninë dhe interlandin e saj. Nga Aristoteli (Polit. Libri IV, 4; V, 1) kemi kumtime të rëndësishme mbi organizimin shtetëror të Apolonisë si dhe disa njoftime të tjera me karakter ekonomik për Taulantët dhe fise të tjera që banonim në afërsi të qytetit Apoloni (Aristot. De mirab. Ausc. 832 a; 833 a; 839 b, 104; 842 b, 127,128).
Të dhëna të rëndësishme historike na japin Polybi dhe Tit Livi të cilët trajtojnë luftërat iliro-romake dhe ngjarje të tjera të viteve 229-146 p. e. sonë që u zhvilluan në trojet e Ilirisë së Jugut. Polyb, Historiae, Libri II, 9,1; 11,5; Libri V, 109 (4-6); 110 (1-5); Libri VII, 9 (1-14); Liv. Ab. urbe condita, Libri XXIV, 40(1-17); Libri XXVI, 25(1-2); Libri XXIX, 12(1-14); Libri XXXI, 18(9); 27(1-8); 33(1-11); 40(4-6); Libri XXXIII, 3(9-10o), 34(1-11); Libri XXXVIII, 1,3(6-9); Libri XLII, 36(8); Libri XLIII, 21; Libri XLIV, 30(10-14); Libri XLV, 17(1-4), 18(3-8), 43(10). Në këto lajme bëhet fjalë dhe për, qëndrimin që mbajti Apolonia dhe banorët e saj gjatë kësaj periudhe plot me kontradikta të thella e konflikte të armatosura midis fuqive më të rëndësishme të botës mesdhetare, Ilirisë dhe Maqedonisë nga njëra anë dhe Romës nga ana tjetër. Në ligjëratat e oratorit të shquar Ciceroni kundër M. Antonit, (cicër. M. Anton, 11) veçojmë cilësimin e tij për Apoloninë si një qytet të madh e hijerëndë (“ Magna urbs et gravis”), ndërsa në një ligjëratë tjetër kundër Pisonit, oratori romak jep të dhëna me shumë vlerë për shfrytëzimin e egër dhe shkatërrimin që pësuan gjatë sundimit romak shumë krahina dhe qytete të Ilirisë, midis të cilave edhe Apolonia. (cicer. Pison. 35,40).
Ditari i Jul Cezarit mbi luftën civile paraqet interes të veçantë për historinë e Apolonisë në vitet 40-50 p. e. s. Lufta e përbashkët midis Cezarit dhe Pompeut, që kishte filluar në Itali, zhvillohet më pas në krahinat midis Apolonisë dhe Dyrrahut. Në këtë ditar gjejmë të dhëna të rëndësishme mbi gjendjen e rëndë ekonomike në krahinat ku ishin vendosur ushtritë ndërluftuese si dhe për përkrahjen që i dha paria apoloniate Cezarit gjatë luftës Civile.(Caes. B. Civ. Libri III, 5(12); 6(1-13); 11(1-0.4); 12(1-4); 13(1-6); 25(1-2); 42(1-5); 75(1-5); 78(1-6); 79(1-3). Nga fragmentet e ruajtura së biografisë prej August Oktavianit të Nikolla Damaskut (Fragmenta, 17,105) informohemi mbi disa privilegje dhe për një autonomi që iu dha Apolonisë nga perandori Oktavian Augusti, i cili kishte kryer dhe studimet në këtë qytet.(Paterc, Historia Romana, Libri II, 4; Svet. Aug. Libri II, 2(8); 1(89); 12(94).
Mirënjohjen ndaj qytetit, që i kishte dhënë arsim e kulturë, si dhe përkrahje në çaste të vështira, perandori i ri Oktaviani për këto do ta shpallte Apoloninë Civitus libera et immunis. Me dhënien e statusit “ të një qyteti të lirë” disa qyteteve e krahinave ilire, midis të cilave edhe Apolonisë, Roma synonte forcimin e pozitave të saj në Iliri dhe Ballkan, duke krijuar baza të rëndësishme ushtarake dhe aleatë të mundshëm për veprimet luftarake të mëvonshme në këto treva. Gjatë shekujve të parë të erës sonë sundimtarët romakë bëjnë përpjekje për të vendosur një stabilitet politik dhe ekonomik në krahianat e pushtuara. Tek autorët latinë të kësaj periudhe si Plini, Dion Kasi, Eliani etj., gjejmë të dhëna të rëndësishme mbi gjeografinë dhe ekonominë e Ilirisë, si dhe njoftime mbi praninë e asfaltit në trevën përrreth Apolonisë.(Plin, Naturalis Historia, Libri XVI, 12(23); libri XXIV, 7(25); Libri XXXV, 15(51); Cass. dio. Historia Romana, Frag. libri XLI, 1(45); Ael. Vara Historia, Libri XIII, 16).
Për shek. II-III të e. sonë kemi mungesë të ndjeshme të burimeve të shkruara për Apoloninë. Nga itineraret e shek. III-IV të Antoninit, Burdigales dhe Tabela Peuntigeria kemi burime të rëndësishme për studimin e rrugëve antike si p. sh. rruga Egnatia, që lidhej edhe me Apoloninë. Itinerarum Antonini Augusti. 329 (1-10). Cuntz. IR, f. 49-50; Itinerarum Burdigalense, 607(1-10)-Cuntz. IR, f. 49-50.; Tabula Pentingeriana, Miller IR. Col. 559-569. Gjatë antikitetit të vonë (shek. IV-V) kur perandoria Romake po përjetonte çastet më kritike të jetës së saj, veprimtaria e historianëve shtohet për të pasqyruar ngjarjet e kohës, ndërsa njoftimet për Apoloninë janë ende të pakta. Të dhëna indirekte për pasojet e dyndjeve barbare në Ilirik, mund të nxirren nga Marcelini, Hieronimi, Klaudiani, Orosi etj. Te kodeksi i Theodhorit dhe i Justinianit gjejmë dhe informata me karakter ekonomik, shoqëror dhe juridik për Apoloninë në shek. V-VI të erës sonë. (Amm. Marcel. Res gestae: Libri XVII, 13; Libri XIX, 7,9,10,12,13; Libri XXIV, 1; Libri XXVI, 5,7,8; Libri XXX, 7. Euseb. Epist., 16,14; De Viris, CVII, CXXXV, Sopli. I; chron 8, XXXVIII; Claud. Carmina V (36-50); XV(451); XX(213-218); XXII(184,185,190-207); XXVI (518-542); Oros, libri I(12) 54,55,57,59; Libri VII(22) 6,7(23) 1,3,4 (24) 10,15,16; Cod. Theod. Libri I, 29, 1; 32,5; Libri III 14,1; Libri VI, 2,14; 4,11; Libri VIII 5,28; Libri X 10,25; Libri XI 3,2; 11,1; 17,14; Libri XVI, 8,12,21; Just. Cod. Libri I, 3,35; 29,4; Libri II 4,43; Libri IV 41, 1,2,; 43 2; 63,2; Libri VI 38,5; Libri XI 38,5; Libri XI 53,1; Libri XII 57,9; NOV. VIII, XXXIII, kap. III, CXXXI; CLIII, kap. I.).
Në përgjithësi në literaturën ekzistuese pranohet ex silentio se rënia dhe shkatërimi i Apolonisë ka filluar në shek. III-IV të erës sonë, por kjo nuk do të thotë se u zhduk krejt. Të vetmin burim për Apoloninë në shek. VI të e. sonë na e jep Stefan Bizantini i cili e cilëson Apoloninë si qytet të Ilirisë. Është po ky autor që na informon për emrin Gylakea, që mori Apolonia nga Gylaku, i cili kryesonte 200 korintas të dërguar për kolonizimin e Apolonisë. Nuk ka dyshim se këto lajme të Stefan Bizantinit i referohen një periudhe kohe shumë më të hershme, shek. VI p. e. sonë.(Stef. Biz. Ethnica, S. V. Apolonia, Gylakea). Pas ndarjes së perandorisë Romake në vitin 395, Iliria e mesme dhe ajo jugore përfshihen në dy provinca që i përkisnin perandorisë së Lindjes; në jug Epiri i Vjetër (Epirus Vetus) me qendër Nikopolis dhe në veri Epiri i Ri (Epirus Novas) me kryeqendër Dyrrakionin. Kufiri midis këtyre dy provincave kalonte në jug të Vlorës (Aulona). Apolonia bënte pjesë në provincën e Epirit të Ri. Përsa i përket politikës kishtare të dyja provincat kishin lidhje me Papën dhe administroheshin nga Vikari i tij në Thesalonik, derisa në vitet 752-757, perandori Konstandin V, vuri në krye Patriarkun e Konstandinopolit, i cili administronte dhe dy provincat e Epirit (Heide und Helmut Buschhausen, Die Marien Kirche von Apolonia in Albanien, Wien 1976, f. 29; Shih dhe literaturën e cituar prej tyre në shënimin 27).
Për invazionet barbare dhe shkatërrimet që rrodhën prej tyre në Gadishullin Ballkanik në fund të shek. IV dhe në fillim të shek. V, nuk kemi të dhëna që ta kenë prekur drejtpërsëdrejti dhe Apoloninë, por nuk përjashtohet mundësia që edhe në territorin Apoloniat të kenë vërshuar një numër i konsidrueshëm të ikurish nga krahinat e ndryshme të Perandorisë. Në kohën e inkursioneve të gotëve në vitet 440-450 si edhe më vonë gjatë sundimit të tyre në fillim të shek. VI, Apolonia ka pësuar pak a shumë të njëjtin fat si dhe qytetet dhe provincat e tjera të Ballkanit perëndimor. Kështu kur Ostgoti Theadorik pushton Durrësin më 479, ka mundësi që në të njëjtën kohë ai të ketë vënë dorë edhe mbi Apoloninë. Në kohën e Justinianit, Apolonia vazhdon të bëjë pjesë në provincat e Epirit të Ri, por nuk kemi të dhëna që të ketë ndihmuar Durrësin në përgatitjen e flotës dhe në grumbullimin e ushtrive perandorake bizantine kundra gotëve. (Procopii, De bello Cothico V, 7 rec. Haury, Teubner 1905; G. Novak, L’historie de Dubrovnik, I partie, Dubrovnik 1967, f. 56,57. Dyndja e madhe e popujve që pati vend mbas v dekjes së Justinianit, lejoi në fillim të shekullit VII filtrimin e bandave të armatosura dhe të popullsive të tjera sllave të cilat siç dihet u përhapën dhe në territorin e Shqipërisë.
Është pikërisht kjo periudhë që shumë qytete e qendra antike braktisen dhe popullsia e tyre tërhiqet e krijon vendbanime të tjera më të mbrojtura. Kështu po t’u referohemi burimeve të kohës, rezulton se Apolonia në kohën pasantike, humbet dalëngadalë rëndësinë e saj të dikurshme dhe një pjesë e popullsisë tërhiqet në brendi të Mallakastrës, në Ballsh, ose në gjirin e mbrojtur të Vlorës. Është Aulona tashti që ka marrë plotësisht përsipër të luajë atë rol që kishte Apolonia në kohën antike në këtë zonë. Zvogëlimi i rolit dhe i rëndësisë së Apolonisë duket qartë në kohën justiniane. Për këtë mjafton t’i hedhim një vështrim historisë kishtare të kohës. Në koncilet kishtare të Efesit (v. 431) dhe në atë të Kalkedonit (v. 451), Apolonia përfaqësohet përkatësisht nga peshkopët e saj Feliks dhe Eusebius, ndërsa në koncilin e v. 458 në Kalkedoni përmendet peshkopi Filoharis i Bylisit. (Heide und Helmut Buschhausen, vep. cit…, f. 30). Një shekull më vonë Apolonia bie në vartësinë kishtare të Aulonës, pozita e së cilës rritet dalëngadalë. Kështu në koncilin e pestë ekumenik të Kostandinopolit (v. 553) është Aulona që dërgon peshkopin e saj Soterus.(Heide und Helmut Buschhausen, vep. cit…, f. 39). Por edhe pse Apolonia nuk ka atë shkëlqim dhe rëndësinë e dikurshme, prapseprapë jeta në këtë qendër, nuk u shua krejt, ajo ka vazhduar, sigurisht jo me atë të intensitet të shekujve të mëparshëm. Për ekzistencën e Apolonisë si qytet gjatë shekujve VI-X kemi tri burime: Hierokli, Anonimi i Ravenës dhe Konstandin Porfirogjeneti.
Po t’i hedhim një sy guidës së Hieroklit, vëmë re se provinca e Epirit të Ri në kohën e Perandorit bizantin Justinianit kishte 9 qytete midis të cilave përmendet dhe Apolonia (Hierocl. Synecdemus 8, XIII, 653, 3). Një autor tjetër i shek. VII-VIII, Anonimi i Ravenës, në veprën e tij “ Kosmografia” përmend shumë emra gjeografikë të Ilirisë midis të cilëve edhe qytetin e Apolonisë (Rev. Cosmografia V, 13,15). Konstandin Porfirogjeneti, perandor bizantin i shek. X në veprën e tij “ Mbi Themat” duke bërë fjalë për themën e Durrësit, përmend dhe Apoloninë si një nga 9 qytetet e kësaj theme (Constandin Porphyrogeneti, De Thematibus occidentis, libër II, f. 21). Në përgjithësi informatat për Shqipërinë e mesme në kohën e mesjetës së hershme janë shumë të varfëra. Rrjedhimisht edhe njoftimet për Apoloninë deri në shek. XV pothuajse shterojnë krejt. Megjithatë në këtë rast vijnë në ndihmë dokumentet bizantine që bëjnë fjalë për ngjarjet historike më të rëndësishme, që kanë përfshirë trojet shqiptare në këtë kohë, e sidomos ato që kanë të bëjnë me Myzeqenë dhe Mallakastrën. Po t’i referohemi mbishkrimit të Ballshit të vitit 866, rezulton se, bullgarët mbas paqes së vitit 864-865, që bëri Cari i tyre Boris Mihail, me perandorin bizantin Mihal III, kishin dalje në detin Adriatik.
Aty nga viti 896-Cari Simeoni i Bullgarisë pushtoi 30 kështjella në Dyrrakion, duke i zgjeruar edhe më shumë zotërimet bullgare në Shqipërinë e mesme. Megjithatë nuk është e sigurtë nëse përfshihej edhe Apolonia në pushtimet bullgare. Sipas Ana Komnenës, (Ana Comnene, Alexias, Libri I, 14; Libri III, 12 dhe libri XII, 9) e cila bën fjalë për pushtimet e normanëve në Shqipëri në vitet 1081 deri 1085 dhe 1107-1108) rezulton se e gjithë Shqipëria e mesme nga Vlora në Durrës bëhet objekt sulmesh, plaçkitjesh e shkatërrimesh prej normanëve. Nuk ka dyshim që edhe Apolonia të ketë pësuar një fat të tillë. Nën Manuelin I Komnenos, Shqipëria e Mesme, sidomos limani i Vlorës dhe ishulli i Korfuzit shërbyen si bazë për operacionet normane dhe bizantine në Epir dhe në Itali. Pas përmbysjes së Perandorisë Bizantine më 1204, në Epir krijohet një shtet i ri “ Despotati i Epirit” në pjesën veriore të të cilit përfshiheshin krahinat e Shqipërisë së sotme deri në Durrës. Sundimi i latinëve në Konstandinopol, solli ndryshime në raportin e forcave në Ballkan. Pikërisht në këtë kohë del në skenë dhe gjallërohet Republika e Venedikut, e cila kërkonte të kishte nën ndikimin e vet qytetet bregdetare përgjatë Adriatikut. Ajo fillon të zgjerojë zotërimet e veta edhe në bregdetin shqiptar, merr provincën e Durrësit bashkë me Glavenicën, Vlorën, Spinaricën (skelë mesjetare në derdhjen e lumit Vjosë) etj.
Ka shumë të ngjarë që Apolonia të ketë qenë përfshirë përkohësisht në zotërimet venedikase, megjithëse në dokumentet e kësaj kohe nuk del qartë se ku bënte pjesë territori i Apolonisë, nën sundimin e Venedikut, apo në atë të despotatit të Epirit (Acta et diplomata I, 129 e 130; shih dhe Burimet e zgjedhura për Historinë e Shqipërisë, f. 81, nr. 27 e 28). Edhe gjatë depërtimit të feudalëve të Evropës Perëndimore dhe sundimit të anzhuinëve në Shqipëri (1258-1336) kemi një situatë jo të qëndrueshme. Dokumentet mesjetare përmendin kryengritjet fshatare të viteve 1274 dhe 1336 kundra sundimit të nazhuinëve, të cilat u përhapën në tërë zonën nga Vlora, në Berat dhe në Durrës. Luftërat e vazhdueshme midis anzhuinëve dhe bizantit, kryengritjet e arbëreshëve dhe inkursionet e kryqëtarëve sollën shkatërrime dhe pasiguri në gjithë Shqipërinë e Jugut.
Në vorbullën e këtyre ngjarjeve është përfshirë edhe Apolonia. Monedhat e sundimtarëve anzhuinë të gjetura në rrënojat e teatrit antik të Apolonisë tregojnë qartë se edhe Apolonia nuk u ka shpëtuar ngjarjeve të kohës, plaçkitjeve dhe grabitjeve kryqtare e bizantine (A. Mano, B. Dautaj, Theatri i Apolonisë (gërmime të vitit 1978) Iliria I, 1982, f. 191,205). Me sa duket gjatë kësaj periudhe territori i Apolonisë duhet të ketë qenë përfshirë herë nën bizantin dhe herë nën zotërimet e feudalëve frengj anzhuinë, para se të kalonte nën zotërimet e familjes feudale shqiptare të Muzakajve. Afresku në kishën e Shën Mërisë në Apoloni ku paraqitet familja perandorake e Andronikut II Paleologut tregon qartë se nga fundi i shekullit XIII-fillimi i shekulit XIV Apolonia bënte pjesë në Perandorinë Bizantine. Kjo rezulton edhe nga një dokument i vitit 1297, në të cilin bëhet fjalë mbi ankesën e tregtarëve raguzanë kundër Matarangëve të Polinës që ishin në varësinë e perandorit bizantin.
Ky dokument përbën dhe të vetmin burim që kemi për Apoloninë nga mesjeta e hershme (Shih H. und H. Buschausen, vep. cit., f. 34). Me v dekjen e Andronikut III më 1341 në Konstandinopol krijohet një gjendje e vështirë në oborin perandorak bizantin, të cilën e shfrytëzon Cari i serbëve Stefan Dushani. Ky filloi menjëherë zgjerimin e mbreëtrisë së tij duke pushtuar trojet shqiptare; më 1343 pushtoi Krujën, më 1345 Beratin dhe Vlorën dhe më 1348 gjithë Epirin. Gjurmë të ndikimit serb janë vënë re në afresket e Trapezarisë në kishën e Shën Mërisë të Apolonisë (H. und H. Buschhausen, po aty., f. 15). Në gjysmën e dytë të shek. XIV, një rrezik tjetër më i madh i kërcënohet vendit tonë dhe gjithë Evropës nga lindja. Hordhitë turke mbasi pushtuan Adrianopolin më 1362, vërshojnë nëpër Ballkan dhe më 1417 pushtojnë Vlorën, limani i parë për turqit në Adriatik.
Nëpër analet e mesjetës, në veprat e historiografisë evropiane, ku bëhet fjalë për rrezikun që i kërcënohet Evropës nga pushtimet turke, ndër të tjera përmendet edhe Apolonia, gjiri i Ambrakisë, etj., si pika nga niseshin rrugët e ushtrive turke për në Itali. (Bessario, N. C. Orationes de gravissimis periculis, quae Reipublica Christianae a Turcis iam tum im ndere providebat…, Romae 1543, f. 21). Apolonia përmendet gjithashtu edhe në luftën e sulltan Mehmetit kundër Apulisë (Lucanus, A. J., De gestis rerum Neapo, Neapoli 1566, f. 41, 49). Një historian tjetër i shek. XVII e konsideron Apoloninë si një qytet të lashtë e të rëndësishëm në kohën e pushtimeve turke. (Sansovino, F., Historia universale dell’origine et della guerra Turchi, in Venetia 1654, f. 153, 302).
Apolonia si një qendër me kulturë e tradita të lashta nuk mbetet pa u vënë re nga humanisti italian i shekullit XV, Qiriaku i Ankonës. Gjatë vizitës që ky shtegtar bëri në Shqipërinë e Jugut në vitin 1435, ai grumbulloi objekte të ndryshme antike dhe kopjoi një sërë mbishkrimesh midis të cilave edhe një mbishkrim latin me prejardhje nga Apolonia. (CIL, III, 1-601, shih edhe P. C. Sestieri, Mbishkrime latine të Shqipërisë, në studime e tekste dega II arkeologjike nr. 1, Tiranë 1943, f. 10; H. Ceka e S. Anamali, Mbishkrime latine të pabotuara të Shqipërisë në BUSHT Sh Sh, 1, 1961, f. 106, shën 6). Një njoftim të rëndësishëm për Apoloninë e kemi nga humanisti i shquar shqiptar i shek. XV-XVI, Marin Barleti. Në veprë] n e tij për jetën e Gjergj Kastriot Skënderbeut kur bën fjalë për Kuvendin e Lezhës, Barleti, ndër të tjera na bën të ditur dhe emrat e qyteteve që ishin në konsideratë dhe më të përshtatshëm për orgnaizimin e Kuvendit dhe të Besëlidhjes shqiptare.
Midis qendrave më të rëndësishme të asaj kohe si Kruja, Danja, Lisos dhe Zhabjaku përmendet dhe Apolonia si një nga qendrat e mundshme për selinë e këtij Kuvendi. Nga kjo që na kumton Barleti, del se Apolonia në kohën e Skënderbeut, ka qenë një qendër jo pa rëndësi. Ajo përfshihej në zotërimet e Muzakajve, që ishin nga familjet shqiptare më të njohura të asaj kohe. Si e tillë ajo i kishte kushtet që të radhitej midis vendeve pretendente për qendrën e beslidhjes dhe të bashkimit të të gjithë bujarëve shqiptarë në luftë kundër turqve.
Për një kohë të gjatë prej afro dy shekuj (XVII-XVIII) gjatë pushtimit të gjatë osman, Apolonia bie pothuajse në harresë të plotë dhe shumë rrallë përmendet në kronikat e kohës. Në luftën veneto-turke të vitit 1570-1571, me sa duket Apolonia konsiderohej si një pikë e rëndësishme strategjike për të dyja palët ndërluftuese (Gratianus, A. M., De bello cyprio, libri V, Romë 1624, f. 132). Historiani italian Sansovino në librin e tij për historinë e pushtimeve turke e konsideron Apoloninë si një qytet të lashtë e të rëndësishëm (Sansovino, F., Historia universale dell’origine et delle guerra Turchi, Venetia 1654, f. 153, 302). Por reminishencat nga shkëlqimi i dikurshëm i Apolonisë sa vijnë e pakësohen derisa qyteti “ madhështor e hijerëndë” braktiset dhe rrënojat e tij për shekuj me radhë kthehen në gurore të vërteta. Veç grabitjeve e shkatërrimeve nga dora e njeriut, qyteti nuk u shpëtoi as pasojave të tmershme të natyrës.
Nga kronikat e kohës informohemi për tërmete shumë të forta që ka pësuar zona bregdetare e Shqipërisë (në v. 1273, 1284, 1444, 1617) të cilat kanë prekur edhe zonën e Apolonisë (Heide und Helmut Buschhausen, Di Marien kirche…, f. 69-70; shih dhe literaturën e cituar prej tyre në shënimet 62-65). Fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shek. XIX shënojnë për Apoloninë fillimin e ringjalljes së saj. Janë udhëtarë e studiues të huaj evropianë si Pukëvili, Lik e të tjerë që do të kërkojnë e zbulojnë në fshatin e sotëm Pojan (Fier) gjurmët dhe mbeturinat e mbetura të Apolonisë së lashtë.
Me këta studiues pasionantë e kureshtarë fillon një kronikë tjetër, ajo e analeve të kërkimeve për qytetin antik të Apolonisë, e cila do të përbënte një temë të veçantë për këtë simposium. Shekulli XX shënon për historikun e Apolonisë epokën e gërmimeve të rregullta e sistematike. Nuk ka dyshim se organizimi i këtij Simpoziumi është një nder i merituar që i bëhet arkeologut të shquar francez Leon Rey, i cili 80 vjet më parë filloi kërkime intensive në Apoloni. Gjatë 14 viteve ai nxori në dritë monumente të tilla si: odeonin, portikun, agonotetet etj., që janë nga perlat më të çmuara të antikitetit jo vetëm për Apoloninë, por për gjithë Shqipërinë. Këto monumente të mrekullueshme mund të krahasohen denjësisht edhe me ato të zbuluara në shumë qytete antike të botës mesdhetare