Lajmet E fundit

Ju rrëfejmë votimet për frontin, në 2 dhjetor 1945, si e rrahën me grushta…

rkiva/ Sefedin Kroi tregon për situatën në zgjedhjet e para pas Luftës, për Asamblenë Kushtetuese, të cilat u zhvilluan, në 2 dhjetor 1945
Ju rrëfej votimet për Frontin, në vitin 1945-Si u zura me grushte për Koçi Xoxen-Leonard VEIZI
Qeveria komuniste e Enver Hoxhës, e formuar në Berat dhe e futur në Tiranë një ditë pas çlirimit të saj, filloi të ushtronte pushtetin e saj që në fundin e nëntorit të ’44-s, kur Shqipëria u shpall krejt e lirë. Plot një vit më pas, në 2 dhjetorin e 1945-s, u zhvilluan dhe zgjedhjet parlamentare. Caktimi i asaj date zgjedhore u pa më i përshtatshëm nga qeveria komuniste për vetë situatën e brendshme që po kalonte ajo e cila kishte të bënte me konsolidimin e pushtetit menjëherë pas fitores mbi pushtuesit nazi-fashistë. Në fillim të muajit nëntor 1945, Fronti Demokratik i kryesuar nga Enver Hoxha, nëpërmjet gazetës “Bashkimi” dhe Radio Tiranës, shpalli zyrtarisht hapjen e fushatës elektorale, duke caktuar dhe 2 dhjetorin si datën përfundimtare të zhvillimit të zgjedhjeve. Pasi hoqi pushkën nga krahu, ai u angazhua për një kohë të gjatë me Frontit Demokratik. Sefedin Kroi, i cili u rreshtua në radhët e Batalionit “Tomorri”, pas çlirimit të vendit do të ishte një nga kuadrot drejtuese të Frontit Demokratik për rrethin e Korçës. 64 vite më pas, për gazetën “Telegraf” ai do të rikujtojë edhe një herë situatën e atyre ditëve:

Si e pritët ju zhvillimin e këtyre zgjedhjeve?

Ishte hera e parë që zhvilloheshin zgjedhje një vit pas çlirimit të Shqipërisë dhe nga njerëzit e thjeshtë mendohej se organet e reja të zgjedhura nga populli do të punonin për të vënë në jetë ato objektiva që ishin propaganduar gjatë luftës, dhe që kishin të bënin me mirëqenien e tyre. Natyrisht që u pritën me gëzim të madh.
Cila ishte e veçanta e këtyre zgjedhjeve krahasimisht me ato që ishin bërë gjatë viteve të monarkisë?

Në zgjedhjet e 2 dhjetorit ’45 për herë të parë u vendos sistemi i votimit për të gjithë shtetasit që kishin plotësuar moshën dhe jo me përfaqësim me zgjedhës të dytë siç ishte bërë deri në atë kohë. E veçanta tjetër e tyre ishte se për herë të parë në të gjithë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, kandidonin edhe gratë.

A u bë regjistrimi i popullsisë?

Po, natyrisht. Ne shkonim derë më derë për të bërë regjistrimin e popullsisë, dhe regjistronim si votues ata që ishin 18 vjeç e sipër. Ndërkohë që ato ditë shërbyen dhe për të bërë fushatë elektorale. Sigurisht që ne bënin fushatë për Frontin Demokratik, sepse qëllimi ynë ishte që të fitonin njerëzit e frontit dhe jo ata që kandidonin jashtë tij.

Cilët do të kandidonin në rrethin e Korçës?

Në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945 në zonën e Korçës kandidoi Pilo Peristeri, Koçi Xoxe, Koço Tashko, Kristo Themelko etj.

Në çfarë vendi do t’i zhvillonit këto zgjedhje?

Do të adoptoheshin si qendër votimi zyrat e Frontit Demokratik, por edhe të disa shkollave që ishin atëherë.

Po mënyra e votimit?

Në çdo qendër votimi kishte dy kuti, një për kandidatët e Frontit dhe një për ata jashtë saj Votimi u bë me kokrra dhe çdo votues ishte i detyruar të fuste dorën në të dyja kutitë, ndërsa kokrrën ta lëshonte atje ku donte ai. Kutinë ishin edhe me një shtresë të butë brenda me qëllim që të mos dëgjohej zhurma që bënte kokrra kur lëshohej. Pra të ruhej anonimati.

Përse u zgjodh kjo mënyrë?

Sepse një pjesë e madhe e popullsisë ishte analfabete dhe nëse do të kishte fletë votimi do të ishte bërë një rrëmujë e madhe, pasi nuk do dinin kujt t’i vinin kryq e kujt jo.

Si do të dilnin votimet e para?

Përfaqësuesit e Frontit Demokratik fituan me shumicë votash. Unë isha në komisionin u doli deputet Koçi Xoxe.

A pati incidente gjatë votimeve?

Nuk mund të them se pati incidente, pasi dhe ushtria ishte në gatishmëri. Por përpara zgjedhjeve një person që erdhi e na provokoi e kam zhdëpur me grushte. U desh të ndërhynin të tjerët se ndryshe do ta kisha vdekur fare.

A e mësuat, cili ishte ky njeri?

Djalë i një familje të shpronësuarish, i cili me sa mbaj mend disa vite më vonë u fut në burg për tentativë arratisje.

A kishte presion nga ana e njerëzve që votën ta përdornin për të zgjidhur ndonjë hall të tyre?

Ka pasur edhe shumë raste të tjera që persona të ndryshëm e shfrytëzonin ditën e zgjedhjeve, duke bërë presion për të mos votuar, në mënyrë që të zgjidhnin ndonjë padrejtësi që u ishte bërë më parë, si p.sh. për strehim, dhënie të drejtash studimi për fëmijët, probleme punësimi etj. Por në zgjedhjet e vitit 1945 nuk ka pasur të tilla. Në ato kohë në radhë të parë ishte idealizmi dhe njerëzit votonin për ideal.