




Sabire Plaku dyshon për çdo të huaj që vë këmbë në fshatin e saj të largët, Labinot, në Shqipërinë e Mesme. Nëse sheh vizitorë, ose dëgjon për ardhjen e tyre, 78-vjeçarja lë gjithçka që bën dhe del me nxitim nga shtëpia që ndan me vajzën e saj, kalon përmes një kopshti me perime, pemë frutore dhe pula që vërtiten të lira, drejt atij që dikur ka qenë muzeu i fshatit.





Me shpatullat e rëna nën një xhaketë blu të lirshme, me mëngë të varura, Sabirja ndalon dhe mbushet me frymë. Edhe pse shtëpia e saj ka pamje nga ish-muzeu, ajo duhet të ecë 100 metra para se të ngjitet në një shpat të pjerrët me baltë për të arritur aty. Gjatë tri dekadave të fundit, Sabirja ka shërbyer si kujdestare e strukturës së braktisur dykatëshe, në qendër të Labinotit, dhe e statujës prej bronzi tre metra të lartë, që qëndron e fshehur në bodrumin e saj — një statujë e udhëheqësit të parë komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha.





Ish-diktatori qeverisi brutalisht vendin e vogël të Evropës Juglindore nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij, më 1985. Qindra portrete të tij ishin të vendosura në të gjithë vendin gjatë dhe pas asaj kohe, por tani, kjo statujë që Sabirja e ruan me aq kujdes është statuja e fundit e padëmtuar.
Rreth 6000 banorë jetojnë në Labinot, në Bashkinë e Elbasanit. Rruga që të çon atje — si edhe ato brenda fshatit — është e pjerrët, e ngushtë dhe jo e mirëmbajtur. Njerëzit merren me bujqësi dhe blegtori për të siguruar jetesën, ndërsa shumë të rinj emigrojnë përkohësisht në Greqi dhe Itali për të gjetur punë. Banorët janë të kujdesshëm, posaçërisht ndaj njerëzve që interesohen për muzeun e vjetër. Me kalimin e viteve, ata që kundërshtojnë trashëgiminë e Hoxhës e kanë vandalizuar shtëpinë për shkaqe morale, ndërsa të tjerë janë përpjekur të vjedhin statujën e Hoxhës, për ta përdorur për hekurishte. Por, pasi fshatarët sigurohen që një vizitor nuk ka ndonjë qëllim ‘të lig’, ata e ftojnë në shtëpi për kafe ose për drekë. Kur pyeten për të kaluarën historike të Labinotit, sytë e tyre gjallërohen dhe një shpërthim energjie duket se mbush trupat e tyre.