Lajmet E fundit

Pse Edi Rama i ‘dha një dorë’ Ilir Metës, duke e njohur Kryekomandant para vendimit të shkarkimit?

Ilir Meta, më shumë sesa të kërkonte mbushjen e rezervave ushqimore, i takonte të theksonte fort qëndrimin e tij pro NATO-s dhe aleancës me SHBA. Njerëzit afër tij, çdo ditë e çdo natë në emisionet e darkës po flasin pro Rusisë, madje me zë të lartë.

Dalja në rresht e kreut të Kuvendit, Lindita Nikolla dhe ministrave kryesorë të Edi Ramës në të ashtuquajturën mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare që thirri Ilir Meta, ishte një farsë, pa nisur mirë. Lëre pastaj kur Presidenti në shkarkim publikoi komunikatën ku i ka kërkuar të mblidhnin rezerva ushqimore, gjoja se ishte i preokupuar për situatën në Ukrainë, për të cilën ka “mobilizuar” strukturat.

Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në botë, ku në ish-magazinat e rezervave të shtetit nuk ka asnjë kg drithë. Sepse i ka vjedhur Iliri me shokët e tij, kur ishte kryeministër. Po ta lëmë aspektin logjistik të kësaj çështje, pasi në fakt kemi të bëjmë me një rast politik.

Ilir Meta tashmë është një person i izoluar nga të gjithë organizmat e rëndësishëm Perëndimorë; që nga diplomatë, zyrtarë e natyrisht dinjitarë të rëndësishëm që e konsiderojnë ‘nul’.
Po, pikërisht në kohën kur pritet vendimi për shkarkim nga Gjykata Kushtetuese, Edi Rama i jep pak oksigjen Metës, në një periudhë kur ky i fundit është hedhur edhe me kokë në fushatën elektorale të 6 marsit.

I ka dhënë siglën Sali Berishës e po lufton të humbë Lulzim Basha. Natyrisht, Rama synon që të dalë të paktën 5 me 1, por edhe po doli 6 me 0 në zgjedhjet e pjesshme nuk “i vjen keq”, edhe pse ka thënë se gjoja nuk po impenjohet shumë.

Madje kur t’i fitojë të gjitha, do të dalë e të thotë: “Ja, urdhëro! Pa përpjekje, edhe kur thashë se ne nuk do bëjmë luftë për jetë a vdekje, njerëzit na votojnë”. Sepse Rama do të tregojë se ka mbështetje.

Meta e Berisha gjithashtu nga ana e opozitës. Të dy palët kanë të njëjtin interes, në një kohë kur reflektorët janë të ndezur drejt Lulzim Bashës.

Por Meta, më shumë sesa të kërkonte mbushjen e rezervave ushqimore, i takonte të theksonte fort qëndrimin e tij pro NATO-s dhe aleancës me SHBA. Njerëzit afër tij, çdo ditë e çdo natë në emisionet e darkës po flasin pro Rusisë, madje me zë të lartë. Dy këshilltarët e Metës: Dritan Kaba dhe Ilir Kulla, thonë se Ukraina i takon Rusisë, e Putini sipas tyre ka të drejtë. “Shprehje mendimi i lirë”? Nuk duket i tillë, pasi kemi të bëjmë me një qëndrim të qartë politik të këtij krahu, ku bën pjesë edhe Sali Berisha.

Thënë shkoqur; nuk se Berisha e Meta mendojnë se me avancimin e Putinit në Ukrainë, mund të arrijnë që Shqipëria të futet në influencën ruse. Kjo gjë tashmë ka marrë fund; thjeshtë ata duan të dështojë administrata e Presidentit Joe Biden, e cila i ka shpallur ‘Non grata’. Kaq e thjeshtë është, e më pas ta bëjnë kazus politik e publik e të na ‘çajnë dërrasat’ në emisionet e darkës.

Ku do të dalin Bushati e Lubonja e të ngazëllehen si pas Afganistanit, a thua se është zbuluar aeroplani. E gjitha kjo është material për gallatat e mejhaneve të lagjeve, apo kabareve në tv, por për një shtet apo komb që konsiderohet partner i rëndësishëm i SHBA, kjo është diçka e rëndë.

Madje edhe një arsye më shumë për të kërkuar shkarkimin urgjent të Ilir Metës. Po Rama, as nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë gjë.

Duhet ta bëjë Lulzim Basha, sa më shpejt që të jetë e mundur…