




Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka komentuar punën e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve gjatë javës së kaluar.
Në një konferencë për mediat, kreu i PD-së deklaroi se dëshmitarët e thirrur janë shprehur shumë emotiv gjatë marrjes në pyetje, dhe “u dridhej buza e qanin”. Sipas kryedemokratit, kjo ka ardhur për shkak se ata kanë frikë nga ajo që kanë bërë, edhe pse nuk thonë emrat e urdhëruesve.





“Kjo është arsyeja kryesore, pse shumicës që u thirr javën e kaluar, iu drodh buza dhe disa prej tyre shpërthyen në lot. Nuk i kemi trembur, as trysnuar, thjesht iu kemi kërkuar faktet. Pse frikësohen këta zyrtarë, pse iu dridhet buza, pse qajnë? Çfarë tregojnë këto lot. Asnjë prej përfaqësuesve tanë, nuk iu ka drejtuar ndonjë armë, pyetje po iu drejtojnë. Pse? Sepse kanë frikë nga e vërteta, kanë frikë nga ajo që kanë bërë.
Një pjesë e mirë e tyre po thonë që e kanë bërë, por nuk e dinë që e kanë bërë. Po thonë që paratë me letrat e shtetit nuk i kanë marrë ata. Që ia që thoshte 9 mln lekë nuk i kam parë me sy. Kjo është dhe arsyeja kryesore, pse u urdhëruar mbyllja e komisionit para 2 javësh.





Kjo është arsyeja kryesore pse gjatë gjithë kësaj jave anëtarët e PS kanë bërë zhurmuesin dhe kanë penguar ardhjen në komision të dëshmitarëve për inceneratorët. Sepse janë njerëz të thjeshtë, të cilët të vënë para të vërtetës së dhimbshme, kanë rrezik të tregojnë të vërtetën e dhimbshme para shqiptarëve. E vërteta e dhimbshme është si janë vjedhur 430 mln euro shqiptarëve”, deklaroi Basha.





Nga ana tjetër Lulzim Basha tha se Edi Rama duhet të heqë dorë nga presionet, teksa një thirrje për SPAK që të mos intimidohet.
“Nuk i jep dot përgjigje, si u vodhën 430 milionë euro të shqiptarëve? Ku ishe ti o Edi Rama kur u vodhën këto lekë, me firmën e ministrave tu, të sekretarëve të tu? Ku ishe, kur vazhdojnë të paguhen paratë e shqiptarëve, që vazhdojnë edhe sot, për inceneratorët? Këtyre pyetjeve nuk iu kthen dot përgjigje, ndaj dhe po i bën presion SPAK. I bëj thirrje sot Ramës, hiq dorë nga presioni që po i bën SPAK. Lejo SPAK e BKH të kryejnë të gjitha veprimet hetimore, përfshirë prangosjen e atyre, që në gjendje të lirë, shkatërrojnë prova apo janë rrezik arratie.
I bëj thirrje edhe SPAK të mos intimidohet nga presioni i Edi Ramës. Paguhesh nga taksat e shqiptarëve, mbështetesh nga taksat e amerikanëve dhe evropianëve, ke mbështetjen e shqiptarëve, për të zbatuar ligjin e për të cuar para ligjit politikanët e korruptuar. Mos e hani presionin nga ky grup i strukturuar. Keni mbrojtje speciale, rroga speciale, dieta speciale nga amerikanët, vërjuni prangat e mos hani presionin. Mos i ktheni mbrapsht skuadrat e arrestimit nga presioni i Edi Ramës”, u shpreh Basha.