Lajmet E fundit

Shkodër: Ambasadorja Yuri Kim tremb djalin e Alisë dhe hajdutët e Salisë

Kur është në rrugë ambasadorja Yuri Kim, nuk afrohet as raca e hajdutëve as raca e viktimave
Yuri Kim rrufit kafe në pedonalen kryesore të Shkodrës. Qyteti merr frymë ndryshe. I zhbllokohet “mushkëria”. Zien i tëri…
Rruga boshatiset si në ndeshjet e kampionatit botëror të futbollit. Pëllumbat e Eduard Gjokës dhe ca njerëz që s’janë “tifozë” të politikës dhe që s’duan t’ja dinë për asgjë, ecin nëpër rrugët e ëndrrat e veta.

Ata që u kanë trazuar ëndrrat njerëzve, u kanë vjedhur rrugën, kopshtin, shkollën, ndihmën sociale, gjithë fondet publike, morën të trembur të sikletshme.
Djali i Alisë dhe Hajdutët e Salisë se nga janë fshehur.
Në qendër të Shkodrës, kur zënë ndonjë fakir, i bëjnë presion të votojnë djalin e Alisë, shok i Salisë, nip i Spahisë, stërnip i Kadisë e hyzmeqar i Qeverisë. Gjithë kohën ndajnë postera e demonstrojnë antiamerikanizëm publikisht këta.

Djali i Alisë është një ‘krap’ Tirane, i ardhur në ujërat e Liqenit të Shkodrës. Ai nga disa antiamerikanë, mitingashë e përfitues zyrash, shihet si shpëtimtari i Sali Berishës, Lorenc Lukës e milionerëve që kanë vjedhur komunitetin e këtij vendi punëtor e të mirë.
Ky ‘krapi’ i Alisë, bën shenjë.

E ka lëkurën në të zezë e luspat kaçurrela. Edhe nervat e peshkatarëve kaçurrel janë lidhë. Sado e qetë, edhe pse s’ka grep e kallam në dorë ambasadorja Yuri Kim, “Peshqve” u ka dhënë pudin. E braktisën “pedonalen” hajdutët, sapo diplomatja i shkruajti Shkodrës letër dashurie dhe i premtoi përkujdesje në vazhdimësi.

Po, Shkodra është qytet i çudive.

Dikur, në rrugën e Degës së Punëve të Brendshme lëviznin vetëm policë, hetues, prokurorë e spiunë. Sot, pas tre dekadave demokraci, nuk është nevoja të vendoset një seli, por thjesht një ambasadore, e njerëzia as hijen e vet nuk e do këtej.

Sa i thjeshtë është mesazhi i Shkodranëve.

Shkodranët e përçmojnë diktaturën, dhunën, agresivitetin dhe janë indiferentë ndaj teknikaliteteve me konservim kufomash që qelbin atmosferën. Se po, teknikaliteti që do përvëloi “Peshqit” në “kazan” si dikur derrat, nuk është se e kënaq krejt njerëzinë. Derri i madh dhe Peshku i madh synohen të parët.

Prandaj, kur është në rrugë ambasadorja Yuri Kim nuk afrohet as raca e hajdutëve as raca e viktimave.

Ka sens kjo, madje edhe mesazh të fortë.

Një kalim në këtë rrugë, konsiderohet triumfal. Ne e provuam, bëmë një xhiro para marsh e mbrapa kthehu. Po çfarë vërejtëm? E rrethonin ca gjysmë zonja e gjysmë Amazona.

Nejse, dikush do ishte krah saj. Edhe nëse ato llafosin si ‘e ëma e Zeqos majë thane’, si me thënë, hajduti blu është më i zi se hajdutë i kuq, mjafton. Si në degë të thanës, si në sokak të qarshisë, është vjedhur dhe pikë. Nuk e bën dot një hap që nuk shkel mbi para të vjedhura.

Në dy ditë që ambasadorja ka pirë kafe në këtë “Pedonale”, duhet ta ketë mësuar se ajo rrugë edhe me flori të ishte shtruar nuk do kushtonte aq shtrenjtë.

Në 100 e ca metra pllakë guri, taksat e shqiptarëve kanë paguar 800 000 dollarë. Kjo ka ndodh jo larg, por në vitin 2012, kur kryebashkiaku i Salisë Lorenc Luka, që sot është krah Djalit të Alisë, i vidhte Shkodrës edhe gurët e sokakut.

Në ambientet e Fototekës “Marubi”, që ambasadorja u mahnit, para ca kohësh ishte Banka Kombëtare ku njerëzia kursente pak para me sakrifica. Ajo bankë është thyer ditën për diell, më 16 mars 1997. Janë ngarkuar paratë e valutat me makina e nuk ka pasur asnjëri maska.

Meqë na nxori rruga nga maskat, njëra nga kandidatet për kryebashkiake, Majlinda Jubani Angoni, prodhon e tregton maska prej vërteti. Kjo zonjë, kërkon mandatin për Rilindjen dhe betohet, se në 300 ditë do bëjë në Shkodër ato magji që shefi i saj nuk i ka bërë në 3000 ditë dhe as i bën në 30 000 ditë.

Pse na hyn Majlinda në këto rreshta, pasi PS historikisht ka aq pak vota në Shkodër, sa s’ja vlen fare?

Nuk hyn Majlinda, por një tjetër Juban.

Ja, në vitin 1997 drejtor i kësaj banke ka qenë Cin Jubani, ose Agostin Jubani. Nuk ka pasur maskë kurrë ai burrë, as kur është thyer banka e ngarkuar paratë me makinë. Kasafortat sekrete plot valutë kanë qenë në tunelet poshtë kontureve të ndërtesës. Çelësat i ka pasur vetëm drejtori Jubani. Shpërthim nuk ka ndodhur si tek thesari i Bashkisë, që do thotë se kasafortat janë hapur më çelës.

Ne dimë që janë thyer bankat e grabitur thesari në bashki, por s’dimë cili nga hajdutët, i kuqi i Ramës, apo ai blu i Saliut, është më i zi.

Dy hajdutët duan vota, të dy janë si nata.

Bashkinë e Shkodrës 30 vjet e ka mjelë Sali Berisha me të vetët. Edhe njëherë që Saliut i hasi sharra në gozhdë, ja besuan qytetin një të djathti, Bahri Boriçit.

Për të mos e ngarkuar audiencën me shumë hajni, vetëm në këtë rrugën këtu ku pi kafe ambasadorja, Lorenc Luka, hajdut me dy mandate kryebashkiaku, ka palosur në portofol 800 000 dollarë. Ky Lorenci nuk është ende në burg, por krah Djalit të Alisë, si antiamerikan i thekur në tigan të Salisë.

Gjyqi i tij është mbyllur me urdhër partie. Ish kryeprokurorja e Republikës Arta Marku, para se t’ja grisin dosjen këta rilindasit, ka pasur plan ta dënojë rreth 11 vjet burg. Kështu na thotë një burim, një lojtar rezerve për të penduar të drejtësisë.

E kështu, avash-avash, Shkodra mund të pastrohet nga “ujrat” e qelbëta, mund të shpëtoi nga parazitët. Kazani po zien në Shkodër: Yuri Kim tremb djalin e Alisë dhe hajdutët e Salisë