Lajmet E fundit

Apolonia nëpër analet e historisë – Nga Aleksandra Mano

Bibliografia për qytetin antik të Apolonisë është relativisht e gjerë dhe e shumanshme. Nuk pretendoj që në një kumtesë të jenë shfrytëzuar të gjitha burimet e shkruara që bëjnë fjalë për këtë qytet siç mund të kërkohet nga titulli. Kam hezituar në fillim të marr përsipër trajtimin e kësaj kumtese: “ Apolonia nëpër analet e historisë”, jo aq për shtrirjen dhe kompleksitetin e temës, se sa për vështirësinë që paraqet renditja e të gjitha të dhënave që mund të nxirren nga këto anale ose për të afruar interpretime të reja të tyre, që në shumë raste do të kërkonim studime të veçanta e më të thelluara.

Pra për aq sa na lejon koha po paraqes shkurtimisht atë që kam trajtuar më gjerësisht në një studim tjetër (Vështrime historike mbi Apoloninë e Ilirisë, në proces botimi).

Për historinë antike të Apolonisë ka të dhëna me vlerë nga autorët e lashtë grekë e latinë. Në përgjithësi ato janë të kufizuara, fragmentare dhe të përqendruara më tepër në ngjarjet politike dhe luftarake të kohës. Lajmet e para për Apoloninë e Ilirisë i kemi që në shekujt VI-V p. e. sonë nga historianë të shquar grekë: Hekateu i Miletit, historian dhe gjeograf i shek. VI p. e. s. në veprën e tij Europa, përmend Apoloninë si qytet me tipare të një polisi. Në veprën e Herodotit Historia (Libri IX, 92,93,94) gjejmë të dhëna me interes për tokat, kullotat, rritjen e dhenve, për legjendat, mitet, kultet, orakujt si dhe mënyrën e jetesës në Apoloni. Te Thuqididi kemi vetëm një njoftim të shkurtër në të cilin thuhet se Apolonia ishte koloni e korinthasve (Historia, libri I, 26,2). Në shekujt që pasojnë, gjatë periudhës helenistike dhe më vonë shtohet muri i lajmeve për këtë qytet.

Midis njoftimeve me karakter gjeografik për krahinat bregdetare të Ilirisë që japin Skylaksi (Ps. Seyl. Periplus Illyriai, 26); Skymni (orbis descriptio, 435); Straboni (strab. Geographica, Libri VII, 8,5,4,7,7,57, a; Libri VIII, 32,3) dhe Apollodori (Apollod. Epic. 12,5b), nuk lënë pa përmendur Apoloninë dhe interlandin e saj. Nga Aristoteli (Polit. Libri IV, 4; V, 1) kemi kumtime të rëndësishme mbi organizimin shtetëror të Apolonisë si dhe disa njoftime të tjera me karakter ekonomik për Taulantët dhe fise të tjera që banonim në afërsi të qytetit Apoloni (Aristot. De mirab. Ausc. 832 a; 833 a; 839 b, 104; 842 b, 127,128).

Të dhëna të rëndësishme historike na japin Polybi dhe Tit Livi të cilët trajtojnë luftërat iliro-romake dhe ngjarje të tjera të viteve 229-146 p. e. sonë që u zhvilluan në trojet e Ilirisë së Jugut. Polyb, Historiae, Libri II, 9,1; 11,5; Libri V, 109 (4-6); 110 (1-5); Libri VII, 9 (1-14); Liv. Ab. urbe condita, Libri XXIV, 40(1-17); Libri XXVI, 25(1-2); Libri XXIX, 12(1-14); Libri XXXI, 18(9); 27(1-8); 33(1-11); 40(4-6); Libri XXXIII, 3(9-10o), 34(1-11); Libri XXXVIII, 1,3(6-9); Libri XLII, 36(8); Libri XLIII, 21; Libri XLIV, 30(10-14); Libri XLV, 17(1-4), 18(3-8), 43(10). Në këto lajme bëhet fjalë dhe për, qëndrimin që mbajti Apolonia dhe banorët e saj gjatë kësaj periudhe plot me kontradikta të thella e konflikte të armatosura midis fuqive më të rëndësishme të botës mesdhetare, Ilirisë dhe Maqedonisë nga njëra anë dhe Romës nga ana tjetër. Në ligjëratat e oratorit të shquar Ciceroni kundër M. Antonit, (cicër. M. Anton, 11) veçojmë cilësimin e tij për Apoloninë si një qytet të madh e hijerëndë (“ Magna urbs et gravis”), ndërsa në një ligjëratë tjetër kundër Pisonit, oratori romak jep të dhëna me shumë vlerë për shfrytëzimin e egër dhe shkatërrimin që pësuan gjatë sundimit romak shumë krahina dhe qytete të Ilirisë, midis të cilave edhe Apolonia. (cicer. Pison. 35,40).

Ditari i Jul Cezarit mbi luftën civile paraqet interes të veçantë për historinë e Apolonisë në vitet 40-50 p. e. s. Lufta e përbashkët midis Cezarit dhe Pompeut, që kishte filluar në Itali, zhvillohet më pas në krahinat midis Apolonisë dhe Dyrrahut. Në këtë ditar gjejmë të dhëna të rëndësishme mbi gjendjen e rëndë ekonomike në krahinat ku ishin vendosur ushtritë ndërluftuese si dhe për përkrahjen që i dha paria apoloniate Cezarit gjatë luftës Civile.(Caes. B. Civ. Libri III, 5(12); 6(1-13); 11(1-0.4); 12(1-4); 13(1-6); 25(1-2); 42(1-5); 75(1-5); 78(1-6); 79(1-3). Nga fragmentet e ruajtura së biografisë prej August Oktavianit të Nikolla Damaskut (Fragmenta, 17,105) informohemi mbi disa privilegje dhe për një autonomi që iu dha Apolonisë nga perandori Oktavian Augusti, i cili kishte kryer dhe studimet në këtë qytet.(Paterc, Historia Romana, Libri II, 4; Svet. Aug. Libri II, 2(8); 1(89); 12(94).

Ditari i Jul Cezarit mbi luftën civile paraqet interes të veçantë për historinë e Apolonisë në vitet 40-50 p. e. s. Lufta e përbashkët midis Cezarit dhe Pompeut, që kishte filluar në Itali, zhvillohet më pas në krahinat midis Apolonisë dhe Dyrrahut. Në këtë ditar gjejmë të dhëna të rëndësishme mbi gjendjen e rëndë ekonomike në krahinat ku ishin vendosur ushtritë ndërluftuese si dhe për përkrahjen që i dha paria apoloniate Cezarit gjatë luftës Civile.(Caes. B. Civ. Libri III, 5(12); 6(1-13); 11(1-0.4); 12(1-4); 13(1-6); 25(1-2); 42(1-5); 75(1-5); 78(1-6); 79(1-3). Nga fragmentet e ruajtura së biografisë prej August Oktavianit të Nikolla Damaskut (Fragmenta, 17,105) informohemi mbi disa privilegje dhe për një autonomi që iu dha Apolonisë nga perandori Oktavian Augusti, i cili kishte kryer dhe studimet në këtë qytet.(Paterc, Historia Romana, Libri II, 4; Svet. Aug. Libri II, 2(8); 1(89); 12(94).

Për shek. II-III të e. sonë kemi mungesë të ndjeshme të burimeve të shkruara për Apoloninë. Nga itineraret e shek. III-IV të Antoninit, Burdigales dhe Tabela Peuntigeria kemi burime të rëndësishme për studimin e rrugëve antike si p. sh. rruga Egnatia, që lidhej edhe me Apoloninë. Itinerarum Antonini Augusti. 329 (1-10). Cuntz. IR, f. 49-50; Itinerarum Burdigalense, 607(1-10)-Cuntz. IR, f. 49-50.; Tabula Pentingeriana, Miller IR. Col. 559-569. Gjatë antikitetit të vonë (shek. IV-V) kur perandoria Romake po përjetonte çastet më kritike të jetës së saj, veprimtaria e historianëve shtohet për të pasqyruar ngjarjet e kohës, ndërsa njoftimet për Apoloninë janë ende të pakta. Të dhëna indirekte për pasojet e dyndjeve barbare në Ilirik, mund të nxirren nga Marcelini, Hieronimi, Klaudiani, Orosi etj. Te kodeksi i Theodhorit dhe i Justinianit gjejmë dhe informata me karakter ekonomik, shoqëror dhe juridik për Apoloninë në shek. V-VI të erës sonë. (Amm. Marcel. Res gestae: Libri XVII, 13; Libri XIX, 7,9,10,12,13; Libri XXIV, 1; Libri XXVI, 5,7,8; Libri XXX, 7. Euseb. Epist., 16,14; De Viris, CVII, CXXXV, Sopli. I; chron 8, XXXVIII; Claud. Carmina V (36-50); XV(451); XX(213-218); XXII(184,185,190-207); XXVI (518-542); Oros, libri I(12) 54,55,57,59; Libri VII(22) 6,7(23) 1,3,4 (24) 10,15,16; Cod. Theod. Libri I, 29, 1; 32,5; Libri III 14,1; Libri VI, 2,14; 4,11; Libri VIII 5,28; Libri X 10,25; Libri XI 3,2; 11,1; 17,14; Libri XVI, 8,12,21; Just. Cod. Libri I, 3,35; 29,4; Libri II 4,43; Libri IV 41, 1,2,; 43 2; 63,2; Libri VI 38,5; Libri XI 38,5; Libri XI 53,1; Libri XII 57,9; NOV. VIII, XXXIII, kap. III, CXXXI; CLIII, kap. I.).

Në përgjithësi në literaturën ekzistuese pranohet ex silentio se rënia dhe shkatërimi i Apolonisë ka filluar në shek. III-IV të erës sonë, por kjo nuk do të thotë se u zhduk krejt. Të vetmin burim për Apoloninë në shek. VI të e. sonë na e jep Stefan Bizantini i cili e cilëson Apoloninë si qytet të Ilirisë. Është po ky autor që na informon për emrin Gylakea, që mori Apolonia nga Gylaku, i cili kryesonte 200 korintas të dërguar për kolonizimin e Apolonisë. Nuk ka dyshim se këto lajme të Stefan Bizantinit i referohen një periudhe kohe shumë më të hershme, shek. VI p. e. sonë.(Stef. Biz. Ethnica, S. V. Apolonia, Gylakea). Pas ndarjes së perandorisë Romake në vitin 395, Iliria e mesme dhe ajo jugore përfshihen në dy provinca që i përkisnin perandorisë së Lindjes; në jug Epiri i Vjetër (Epirus Vetus) me qendër Nikopolis dhe në veri Epiri i Ri (Epirus Novas) me kryeqendër Dyrrakionin. Kufiri midis këtyre dy provincave kalonte në jug të Vlorës (Aulona). Apolonia bënte pjesë në provincën e Epirit të Ri. Përsa i përket politikës kishtare të dyja provincat kishin lidhje me Papën dhe administroheshin nga Vikari i tij në Thesalonik, derisa në vitet 752-757, perandori Konstandin V, vuri në krye Patriarkun e Konstandinopolit, i cili administronte dhe dy provincat e Epirit (Heide und Helmut Buschhausen, Die Marien Kirche von Apolonia in Albanien, Wien 1976, f. 29; Shih dhe literaturën e cituar prej tyre në shënimin 27).