Lajmet E fundit

Bibliografia për qytetin antik të…

Në përgjithësi në literaturën ekzistuese pranohet ex silentio se rënia dhe shkatërimi i Apolonisë ka filluar në shek. III-IV të erës sonë, por kjo nuk do të thotë se u zhduk krejt. Të vetmin burim për Apoloninë në shek. VI të e. sonë na e jep Stefan Bizantini i cili e cilëson Apoloninë si qytet të Ilirisë. Është po ky autor që na informon për emrin Gylakea, që mori Apolonia nga Gylaku, i cili kryesonte 200 korintas të dërguar për kolonizimin e Apolonisë. Nuk ka dyshim se këto lajme të Stefan Bizantinit i referohen një periudhe kohe shumë më të hershme, shek. VI p. e. sonë.(Stef. Biz. Ethnica, S. V. Apolonia, Gylakea).

Pas ndarjes së perandorisë Romake në vitin 395, Iliria e mesme dhe ajo jugore përfshihen në dy provinca që i përkisnin perandorisë së Lindjes; në jug Epiri i Vjetër (Epirus Vetus) me qendër Nikopolis dhe në veri Epiri i Ri (Epirus Novas) me kryeqendër Dyrrakionin. Kufiri midis këtyre dy provincave kalonte në jug të Vlorës (Aulona). Apolonia bënte pjesë në provincën e Epirit të Ri. Përsa i përket politikës kishtare të dyja provincat kishin lidhje me Papën dhe administroheshin nga Vikari i tij në Thesalonik, derisa në vitet 752-757, perandori Konstandin V, vuri në krye Patriarkun e Konstandinopolit, i cili administronte dhe dy provincat e Epirit (Heide und Helmut Buschhausen, Die Marien Kirche von Apolonia in Albanien, Wien 1976, f. 29; Shih dhe literaturën e cituar prej tyre në shënimin 27).

Për invazionet barbare dhe shkatërrimet që rrodhën prej tyre në Gadishullin Ballkanik në fund të shek. IV dhe në fillim të shek. V, nuk kemi të dhëna që ta kenë prekur drejtpërsëdrejti dhe Apoloninë, por nuk përjashtohet mundësia që edhe në territorin Apoloniat të kenë vërshuar një numër i konsidrueshëm të ikurish nga krahinat e ndryshme të Perandorisë. Në kohën e inkursioneve të gotëve në vitet 440-450 si edhe më vonë gjatë sundimit të tyre në fillim të shek. VI, Apolonia ka pësuar pak a shumë të njëjtin fat si dhe qytetet dhe provincat e tjera të Ballkanit perëndimor. Kështu kur Ostgoti Theadorik pushton Durrësin më 479, ka mundësi që në të njëjtën kohë ai të ketë vënë dorë edhe mbi Apoloninë.

Në kohën e Justinianit, Apolonia vazhdon të bëjë pjesë në provincat e Epirit të Ri, por nuk kemi të dhëna që të ketë ndihmuar Durrësin në përgatitjen e flotës dhe në grumbullimin e ushtrive perandorake bizantine kundra gotëve. (Procopii, De bello Cothico V, 7 rec. Haury, Teubner 1905; G. Novak, L’historie de Dubrovnik, I partie, Dubrovnik 1967, f. 56,57. Dyndja e madhe e popujve që pati vend mbas v dekjes së Justinianit, lejoi në fillim të shekullit VII filtrimin e bandave të armatosura dhe të popullsive të tjera sllave të cilat siç dihet u përhapën dhe në territorin e Shqipërisë.

Është pikërisht kjo periudhë që shumë qytete e qendra antike braktisen dhe popullsia e tyre tërhiqet e krijon vendbanime të tjera më të mbrojtura. Kështu po t’u referohemi burimeve të kohës, rezulton se Apolonia në kohën pasantike, humbet dalëngadalë rëndësinë e saj të dikurshme dhe një pjesë e popullsisë tërhiqet në brendi të Mallakastrës, në Ballsh, ose në gjirin e mbrojtur të Vlorës. Është Aulona tashti që ka marrë plotësisht përsipër të luajë atë rol që kishte Apolonia në kohën antike në këtë zonë.

Zvogëlimi i rolit dhe i rëndësisë së Apolonisë duket qartë në kohën justiniane. Për këtë mjafton t’i hedhim një vështrim historisë kishtare të kohës. Në koncilet kishtare të Efesit (v. 431) dhe në atë të Kalkedonit (v. 451), Apolonia përfaqësohet përkatësisht nga peshkopët e saj Feliks dhe Eusebius, ndërsa në koncilin e v. 458 në Kalkedoni përmendet peshkopi Filoharis i Bylisit. (Heide und Helmut Buschhausen, vep. cit…, f. 30). Një shekull më vonë Apolonia bie në vartësinë kishtare të Aulonës, pozita e së cilës rritet dalëngadalë. Kështu në koncilin e pestë ekumenik të Kostandinopolit (v. 553) është Aulona që dërgon peshkopin e saj Soterus.(Heide und Helmut Buschhausen, vep. cit…, f. 39). Por edhe pse Apolonia nuk ka atë shkëlqim dhe rëndësinë e dikurshme, prapseprapë jeta në këtë qendër, nuk u shua krejt, ajo ka vazhduar, sigurisht jo me atë të intensitet të shekujve të mëparshëm. Për ekzistencën e Apolonisë si qytet gjatë shekujve VI-X kemi tri burime: Hierokli, Anonimi i Ravenës dhe Konstandin Porfirogjeneti.

Po t’i hedhim një sy guidës së Hieroklit, vëmë re se provinca e Epirit të Ri në kohën e Perandorit bizantin Justinianit kishte 9 qytete midis të cilave përmendet dhe Apolonia (Hierocl. Synecdemus 8, XIII, 653, 3). Një autor tjetër i shek. VII-VIII, Anonimi i Ravenës, në veprën e tij “ Kosmografia” përmend shumë emra gjeografikë të Ilirisë midis të cilëve edhe qytetin e Apolonisë (Rev. Cosmografia V, 13,15).

Konstandin Porfirogjeneti, perandor bizantin i shek. X në veprën e tij “ Mbi Themat” duke bërë fjalë për themën e Durrësit, përmend dhe Apoloninë si një nga 9 qytetet e kësaj theme (Constandin Porphyrogeneti, De Thematibus occidentis, libër II, f. 21). Në përgjithësi informatat për Shqipërinë e mesme në kohën e mesjetës së hershme janë shumë të varfëra. Rrjedhimisht edhe njoftimet për Apoloninë deri në shek. XV pothuajse shterojnë krejt. Megjithatë në këtë rast vijnë në ndihmë dokumentet bizantine që bëjnë fjalë për ngjarjet historike më të rëndësishme, që kanë përfshirë trojet shqiptare në këtë kohë, e sidomos ato që kanë të bëjnë me Myzeqenë dhe Mallakastrën. Po t’i referohemi mbishkrimit të Ballshit të vitit 866, rezulton se, bullgarët mbas paqes së vitit 864-865, që bëri Cari i tyre Boris Mihail, me perandorin bizantin Mihal III, kishin dalje në detin Adriatik.