




Edi Rama, në maratonën e pyetjeve në Komisionin Parlamentar Hetimor për Inceneratorët, në më shumë se dy herë ka dhënë dy qëndrime që qartësisht ishin politike.
Kryeministri, duke ju drejtuar Jorida Tabakut, nënkryetares së PD-së, ka shprehur 3 herë me sarkazëm se “qenkeni partia e amerikanëve këtu”, por që çuditërisht nuk u komentua nga mediat dhe opinion publik.Duket qartë që Rama e ka bërë pikërisht për të rënë në sy të mediave, e sipas gjasave edhe do të dalë në ndonjë vend.





Këtu bëhet fjalë për një situatë që duket është mjaft dramatike për kryeministrin dhe tërë mazhorancën. Madje këtë qëndrim Rama e ka intensifikuar pas ardhjes nga SHBA, ku dhe takoi shefin e Departamentit të Shtetit Antony Blinken. I cili, ndryshe nga rastet parardhëse nuk ka dalë në konferencë shtypi me kryeministrin shqiptar, që është në aspektin protokollar një cedim i rëndësishëm, me mesazhin brenda.





Tashmë është qartë se Edi Rama nuk është më njeriu i llastuar i amerikanëve. Madje edhe ceremonitë e falenderimit për afganët e gjëra të tilla, po duken më shumë si kortezi që fshehin një mesazh lamtumire. Që u pa qartë, edhe tek komenti i publikuar nga mediat pranë kryeministrit, si për të treguar se është marrë mesazhi.
Por, duket qartë se Edi Rama, nuk e ka ndërmend që të largohet dhe të hapë krahun siç bëri miku i tij Zoran Zaev në Maqedoni, apo edhe siç pritet të largohet edhe Milo Gjukanoviçi.





Siç e kemi parë, nuk është Perëndimi-modeli i Edi Ramës, por Erdogani. Tashmë mënyra e drejtimit të partisë, qeverisë e shtetit nga Babloku është ajo e sulltanit të Ankarasë, me të cilin ngrihet në mëngjes e fle në darkë.
Jo më kot, Partia Socialiste ka shkëputur thuajse të gjitha lidhjet organizative e seminaret trajnuese me Partinë Socialiste Europiane dhe Internacionalen Socialiste. Të gjitha workshopet apo shkollat për të ruajtur pushtetin i merr në mënyrë të detajuar nga Akademia e AKP-së të Erdoganit.
Thuajse të gjithë drejtuesit e rëndësishëm të PS-së në qarqe, vijojnë e shkojnë rregullisht në seminaret që AKP zhvillon në qytete të ndryshme të Turqisë.
Por përveç autoritarizmit, tashmë Rama sipas të gjitha gjasave do të nisë edhe sinjalet kundër SHBA-së, e jo më kot po ju ‘shkel syrin’ njerëzve të Sali Berishës, e jo më kot të votuarit nga mazhoranca votuan kundër shkarkimit të Ilir Metës në Kushtetuese.
U pa e qartë në komision xhentilesa e Ramës për Belind Këlliçin që është “kryetari formal” i partisë së Berishës, apo edukata me Luçiano Boçin, ndërkohë që u soll i paedukatë ndaj një zonje si Jorida Tabaku.
E Rama, këtë inatin me amerikanët, nuk e ka se ata po përkrahin hë për hë Lulzim Bashën, por sepse e ka marrë sinjalin se ata duan që ai të largohet. E nëse nga Uashingtoni është marrë ai vendim, nuk ka mundësi të mos ndodhë. Edhe në 2004, ishin amerikanët që larguan Fatos Nanon, pavarësisht se përdorën Ilir Metën si mekanizëm. Ishte në atë kohë vetë kreu i CIA që erdhi në Tiranë të sjellë kërkesën për largimin e Nanos. Këtë herë, duket se kanë vepruar ndryshe; ja kanë thënë Ramës në Uashington…