Lajmet E fundit

22 Nëntori, dita kur u bë alfabeti i përbashkët për gjithë shqiptarët, alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe

Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908. Kongresi i Manastirit vlerësohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX, njofton Muzeu Historik Kombëtar.

Ky kongres u mbajt për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, në radhë të parë u paraqit me rëndësi shqyrtimi i çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe organeve kombëtare të trevave shqiptare.Kongresi ngriti një komision prej 11 delegatësh ku Gjergj Fishta u zgjodh kryetar komisioni. Në këtë komision ishin anëtarë: N. Mjeda, Gj. Qiriazi, M. Frashëri, S. Peci, Sh. Kolonja, L. Gurakuqi, Dh. Buda, B.Topulli, N.Vrioni, G.Cilka.

Pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin. Në fund komisioni dhe kongresi vendosën që të lejohen si përdorimi i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjera, ashtu si dhe alfabeti i ri. Brenda pak vitesh alfabeti i ri u bë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, që është alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.

Në këtë kongres u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.