Lajmet E fundit

Kontributi i panjohur i heroit të Marinës Italiane në historinë shqiptare

Si detar që e njihte mirë gjithë Adriatikun dhe brigjet e tij lindore, të Dalmacisë, Malit të Zi dhe ato të Shqipërisë, Nazario Sauro ka pasur kontakte shumë të hershme me shqiptarë, si në det ashtu edhe në tokë. Atij i ka rënë, për punët e veta, të vijë në Durrës, Shëngjin, Ulqin, madje edhe në Shkodër, ku kishte shumë miq e shokë.

Atij “iu puq” dhe ishte i ndjeshëm ndaj shqiptarëve për shumë arsye: e para, pasi, si vendi i tij, Istria, që i ishte aneksuar nga Austo-Hungaria ashtu edhe Shqipëria vuante nga sundimi dhe shtypja shumëshekullore turke, pra kishin të njëjtin fat historik; e dyta, ai ishte një irredentist rebel që luftonte me mënyrat e tij për bashkimin e trojeve të vendit të vetë me Italinë, së cilës i përkiste, një natyrë si të vetën, ai e gjente edhe te shqiptarët, të cilët luftonin njëlloj si ai, me komandë ndërgjegjen; arsyea e tretë, ishte se deti me vështirësitë, aventurat dhe hallet e tij të bën mik edhe me armikun, jo me atë që ta do zemra, ekuipazhet e tij dhe ato të anijeve shqiptare e njihnin njeri – tjetrin me emra; dhe e arsyeja e katërt pse atij “i hahej buka me shqiptarët”, ishte se Istra, Triestia, Venetiku etj. kishin shumë shqiptarë, ilirianë të vjetër, por edhe shqiptarë të rinj që vinin aty për tregti apo i përdornin këto zona si stacion për të shkuar më tej nëpër Evropë.

Kjo dashuri dhe ky respekt për shqiptarët nuk ishte patetik, por konkret dhe i sinqertë, i mbrujtur në vite dhe në vështirësi të anasjellta. Është kjo arsyeja që ai i vuri vajzës emrin Albania, fakt që e përmend edhe në letrën e fundit që iu dërgon fëmijëve para se ta ekzekutonin; ndërsa djalit ia vuri emrin Italo, po për të njëjtën arsye, në nder të vendit të tij.

Në Enciklopedinë Italiane, në historikun e Marinës Luftrake të Italisë dhe në shumë shkrime që janë bërë për të, flitet shumë për lidhjet e Nazario Sauro me shqiptarët. Dhe jo vetëm për njohjet miqësitë dhe lidhjet me udhëheqësit shqiptarë të kryengritjeve antiosmane të viteve 1908-1913, si Dedë Gjo Luli, Isa Boletini, Idris Seferi, Bajram Curri e shumë të tjerë, por për veprimet konkrete duke i furnizuar këta kryengritës me armë. Në kushtet e sundimit austriak, aktiviteti i tij ishte klandestin dhe dërgesat e sasive të armëve dhe municioneve kryhej në mënyrë të paligjshme nëpërmjet anijeve tregtare.

Krahas armëve, Sauro kujdesej për refugjatët shqiptarë që ishin dyndur në atë kohë në Trieste për pozicionin e saj të veçantë gjeografik dhe politik. Triestia u bë vendtakimi i të gjitha agjitatorët dhe pretendentëve për fronin e Shqipërisë. Në këtë kohë ai ngre edhe një zyrë këshillimore për shqiptarët, në ndihmë të refugjatëve, tregtarëve, detarëve dhe njerëzve në nevojë.

Nuk duhet harruar që e gjitha kjo veprimtari bëhej në mënyrë vullnetare, duke u shfrytëzuar emri dhe autoriteti i tij absolut në ato anë.

Megjithëse e madhe, veprimtaria e Nazario Sauros me shqiptarët, për shkak se ishte klandestine dhe vullnetare, është pak e dokumentuar dhe pak e panjohur.

Është detyrë e historianëve shqiptarë të gërmojnë dhe të grumbullojnë të dhëna për veprimtarinë e tij, sidomos për furnizimin me armë të Kryengritjeve të Veriut në prag të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Sidoqoftë, ai kërkon vëmendje edhe nga strukturat shtetërore të linjës për t’u vlerësuar, për t’u përmendur, duke i vënë emrin një porti, një anijeje, një rruge a një institucioni, sidomos në Veri të Shqipërisë, ku ai ka patur më shumë aktivitet.

Një shembull se si nderohen heronjtë

Sauro është ndër heronjtë më të rëndësishëm dhe më të njohur të Italisë, por edhe një shembull se si një vend nderon dhe respekton luftëtarët dhe patriotët e vetë. Në këtë shkrim ne mësuam se ç’bëri Sauro për Italinë, por më poshtë do të mësojmë se ç’bëri Italia për të.

Ai u shpall hero me dekret të Mbretit Vittorio Emanuele III që mban datën 20 janar 1919. Titulli iu dorëzua nënës së Sauros, në Pula, gjatë zhvarrosjes së kufomës dhe rivarrosjes në varrezat detare më 26 janar 1919.

Më 9 qershor 1935 në prani të mbretit Vittorio Emanuele III u përurua në Koper, në vendlindjen e tij, një monument madhështor, i realizuar nga skulptori Attilio Selva dhe arkitekti Enrico Del Debbio. Për fat të keq ky monument më 22 maj 1944 u prish nga nga komanda ushtarake gjermane në Trieste.

Akti heroik i Sauro frymëzoi shumë shkrimtarë, poetë dhe artistë, të cilët i kushtuan atij vepra artistike, mes tyre edhe filmi “Fratelli d’Italia”, i realizuar në vitin 1952 nga Guglielmo Oberdan dhe Cesare Battisti. Sauro mbahet mend në Kënga popullore “La Canzone del Piave”, shumë e përhapur në Itali, i kushtohet pikërisht marinarit trim, Nazario Sauro.

Emrin e Nazario Sauros e mbajnë mbi njëzetë njësi ushatarko-detare dhe tregtare. Po kështu emrine tij e mbajnë shumë anije, nëndetëse, avionë etj

Në vitin 2002 Marina Italiane në komunën Gjenovës e dhuroi nëndetësen “Nazario Sauro” për muzeum. Që nga maji i vitit 2010 kjo nëndetëse është bërë një muze lundrues që të vizitohet nga turistë të shumëtë në Muzeun e Detit Galata.

Tuneli i dhjetë i rrugës së 52 galerive të Monte Pasubio, i zbuluar gjatë luftimeve të Luftës së Parë Botërore, mban emrin e tij.

Në Trieste, ku Sauro ka patur edhe veprimtarinë më të madhe, në një shesh madhshtor pranë stacionit detar të marinës, ngrihet një monument me përmasa të mëdha, vepër e skulptorit Tristano Alberti, dedikuar atij.