




Ja ku jemi sërish në Pazarin e Shkodrës, në vitet ’40, tek punuesit e opingave, ose siç u thonë në gegërisht apânga.
Këto lloj këpucësh sipas dëshmive më të hershme arkeologjike u përkasin shek V-IV p.e.s dhe tregojnë se kanë qenë element i kulturës ilire, sepse dalloheshin nga sandalet e tipit klasik greko-romak dhe më vonë nga llaptiet e sllavëve. Dëshmi të mëvonshme janë te shek XVI në disa vepra të Onufrit.





Visheshin nga shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Greqi (arvanitasit) dhe fshatrat arbëreshë të Italisë. Ka disa forma të punimit të tyre. Më të thjeshtat bëheshin prej një cope të vetme lëkure në trajtë katërkëndëshi kënddrejtë, buzët e së rudheshin me retra lëkure duke u afruar pas kembës e pastaj shtrëngoheshin me gjalma prej leshi. Ndër variantet e tjera të punimit të opingave dallohen: opinga lope, me retra, me gjuhëzë, opinga me përkresa, me tufëza, me xhufka, opinga me prroqe e të tjera.




