Lajmet E fundit

Pse u tutën putinistët e Tiranës?!

Si Meta, ashtu edhe Berisha e dinë mirë se të bësh numra në një situatë si kjo do t’i bënte që të përfundonin menjëherë në sanksionet më të frikshme që Perëndimi u ka dhënë njerëzve që përkrahin regjimin e Vladimir Putinit.

Pak ditë më përpara, njerëzit e Ilir Metës, nxinë rrjetet me akuzat ndaj qeverisë amerikane dhe Bidenit për qëndrimin ndaj Rusisë se kërkon të pushtojë Ukrainën.Në mënyrë zinxhirë, dy nga këshilltarët më të ngushtë të Metës: Dritan Kaba e Ilir Kulla, në rrjete e televizione i bënë elozhe fuqisë së Putinit dhe deklaruan se Ukraina i takon Moskës, meqë ka qenë ruse gjithmonë, sipas tyre.

Por sot, pikërisht kur gjërat janë ndarë, e natyrisht nuk ka më kohë për të qenë neutral, kanë kthyer menjëherë pllakën e janë bërë skifterë, por duke mbajtur sërish pozicionin akuzues ndaj qeverisë amerikane e Joe Biden, këtë herë se “kanë lënë vetëm qeverinë e Ukrainës dhe popullin e tij”.
Por nëse i shikon me kujdes mesazhet që vijnë nga propaganda dhe qeveria ruse në këto orë, vëren shumë qartë mbetje e shenja të gjuhës antiamerikane që kanë përdorur gjithë këto kohë Sali Berisha e Ilir Meta tek ne, e sot janë kthyer në “luftëtarë të paepur”.
Le t’i marrim me radhë!

Vladimir Putin, ka folur në fjalimin e parë kur ka shpallur urdhrin për të pushtuar Ukrainën se synon të rrëzojë “juntën” në pushtet të Kievit.

Një frazë e përdorur “môt a môt” edhe nga Ilir Meta, që prej dy vitesh, i cili e quan “juntë” grupin e ambasadorëve perëndimorë të akredituar në Shqipëri.

Ndërkaq, Maria Zaharova, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, e shefja e propagandës kundër perëndimit, ka folur dje për qëndrime “sovraniste” që duhet të merren nga populli i Ukrainës për të larguar të “shiturit e Perëndimit”. Një tjetër frazë thuajse stampë e përdorur rëndom në Shqipëri nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, por edhe nga enturazhi i tyre, që sulmojnë vazhdimisht SHBA-BE-në, si edhe vendet perëndimore që sipas tyre kanë “shkelur sovranitetin” e shqiptarëve.

Nuk është fare rastësi, por ngjan si një logjikë e njëjtë, që synimin e kanë patur deri më sot për të mbjellur një frymë antiamerikane në Shqipëri.

Por tani nuk kanë asnjë mundësi për të luajtur me këtë kartë. Europa e NATO janë në luftë, e në raste të tilla nuk ka asnjë mundësi për të qëndruar në mes; o zgjedh njërën palë, ose tjetrën.

E që të marrin krahun e Putinit, nuk ja mban, sepse i bie që të jesh në anën e armikut të të gjithë botës demokratike, e cila është e bashkuar në një qëndrim.

Madje edhe miqtë e Putinit si Viktor Orban apo Rexhep Taip Erdogan, i kanë bërë dalje, sepse e dinë se nuk bëhet shaka me Amerikën, që tashmë ka thirrur nën armë të gjithë botën perëndimore.

Edhe në Itali, Mateo Salvini belbëzonte mbrëmë duke u thënë gazetarëve që çfarë prisnin ata nga ai, të mbronte Putinin?

Si Meta, ashtu edhe Berisha e dinë mirë se të bësh numra në një situatë si kjo do t’i bënte që të përfundonin menjëherë në sanksionet më të frikshme që Perëndimi u ka dhënë njerëzve që përkrahin regjimin e Vladimir Putinit.

Edhe pse janë bërë “dele”, gjithsesi, ai qëndrim që ata kanë mbajtur në këto vite, duke tentuar të krijojnë një narrativë antiamerikane, ka qenë fiks terreni i vogël i një tabloje që cari i Kremlinit donte të shiste për kasaphanën që sapo po kryen mbi popullin e Ukrainës. Të cilin po e masakron sepse e konsideron si “vasal” e vegël të perëndimit…