Lajmet E fundit

“Zogu, Deva dhe Zelenski: Një popull dinjitoz nuk nderon ikanakët, por qëndrestarët, nderon Zelenskët e vet”

Njëri nga episodet më domethënës të konfliktit të armatosur Rusi-Ukrainë ishte qëndrimi i Presidentit ukrainas, z. Volodimir Zelenski. Ai, jo vetëm vendosi që vendi i tij të mos i nënshtrohej presionit dhe sulmit të armatosur rus, por, kur shtetet perëndimore i ofruan strehimin fizik në vendet e tyre, ai u përgjigj: Unë nuk kam nevojë për një udhëtim, por për armë. Unë do të qëndroj këtu me popullin tim…

Megjithëse ai ishte objekti kryesor i shënjestrës ruse për t’u kapur apo asgjësuar, qëndrimi që mbajti ishte shumë dinjitoz dhe duket se do të sjellë ndryshime serioze në politikën evropiane dhe botërore.
Ndërkohë mua më solli ndërmend disa personazhe tonat historike dhe politike. Megjithëse ishte betuar dikur solemnisht se po të sulmohej Shqipëria, ai do të mbathte opingat dhe do të dilte në mal të luftonte me armë në dorë, mbreti i vetëshpallur shqiptar Ahmet Zogu, nuk e mbajti fjalën, e shkeli kushtetutën para të cilës ishte betuar.

Kur forcat ushtarake italiane po mësynin bregdetin e Shqipërisë, Zogu mori me vete gjysmën e qeverisë dhe të arit shqiptar dhe iku jashtë vendit. Megjithë këtë, një pjesë e politikës shqiptare, jo vetëm i thur lavdi përditë duke na e paraqitur si hero, por edhe i ngriti disa shtatore në vendlindjen e tij dhe në kryeqytet.
Gjysma tjetër e politikës shqiptare, “e majta e moderuar” nuk bëzani, madje, si për të mos mbetur prapa, i ngriti një shtatore gruas së ish-mbretit e cila jetoi një vit në Shqipëri dhe nuk i bëri asaj as mirë as keq. Pra, u shpërblye me shtatore pa dhënë kontribute për të mirën e popullit shqiptar.

Akoma më keq se mbreti ikanak, qenë disa personazhe të tjerë politikë e historikë të cilët iu bashkuan shpirtërisht, politikisht dhe ushtarakisht pushtuesve të vendit, nazifashistëve të Italisë dhe Gjermanisë.
Midis tyre spikat emri i kosovarit Xhaferr Deva i cili, përveç se ishte ministër i brendshëm në qeverinë kolaboracioniste të Tiranës, ishte edhe themelues i “Divizionit SS Skënderbeg” në Kosovë. Në rastin në fjalë nuk kemi të bëjmë thjesht me një individ i cili u ndodh rastësisht në një post shtetëror kur vendi ishte nën pushtimin e huaj, por kemi të bëjmë me një person i cili ishte bartës shpirtëror dhe politik i ideologjisë naziste.

Ashtu si ata që krijuan dhe drejtuan në Shqipëri Partinë Fashiste dhe Rininë Fashiste dhe e brohoritën e propaganduan fashizmin si shpëtimtarin dhe të ardhmen e njerëzimit, edhe Deva krijoi formacione luftarake me emrin e formacioneve naziste dhe në shërbim të tyre.

Nëse shumica dërmuese e kosovarëve që u angazhuan në atë divizion ishin analfabetë dhe as ia kishin idenë ç’ishte Gjermania naziste dhe çfarë po ndodhte në botë, njerëz si Deva kishin nivelin dhe njohuritë e mjaftueshme rreth skenës politiko-ushtarake të kohës në Evropë e më gjerë.

Xhaferr Deva e njihte ideologjinë naziste dhe, çfarë është më e rëndësishme, ai i dinte qëllimet e Rajhut të Tretë dhe mjetet që ai po përdorte për arritjen e këtyre qëllimeve. Deva e dinte shumë mirë se, përveçse një ideologji totalitare, hegjemoniste, raciste dhe vrastare, nazizmi ishte shndërruar edhe në një praktikë kriminale brenda Gjermanisë dhe jashtë saj, duke synuar dhe luftuar për pushtimin dhe sundimin (krijimin e “hapësirave jetike”) të pjesës tjetër të Evropës dhe më tutje.

Asgjësimi i kategorive shoqërore për shkak të përkatësive ideologjike (komuniste), racore (hebrej, romë etj.), fizike (personave me kufizime mendore e fizike) etj., pavarësisht nëse ata po i shkaktonin ndonjë të keqe Gjermanisë dhe pushtetit të Hitlerit, ishte njëri nga qëllimet kryesore të militarizimit të Gjermanisë dhe sulmit kundrejt popujve e shteteve të tjerë.

Neonazistët e kohëve moderne, në Shqipëri dhe Kosovë, janë përpjekur ta justifikojnë Devën dhe qëndrimet e tij me faktin se ai paska qenë antikomunist. Sipas tyre, mjaftonte të ishe antikomunist dhe mund të putheshe me cilindo horr apo kriminel politik të kohës dhe të viheshe në shërbim të tij.

Tashmë, ne e dimë se antikomunisti më i madh ka qenë Adolf Hitler, të cilin bota politike, intelektuale dhe shoqërore e shekullit të 20-të e ka shpallur si krimineli më i madh i atij shekulli në glob. Nga ana tjetër, ne dimë, gjithashtu, se komunisti më i madh i asaj kohe ishte Josif Stalin i BS, me të cilin lidhën aleancë anti-nazifashiste fuqitë kryesore perëndimore si SHBA, Angli dhe Francë, jo pse ishin dakord me ideologjinë e tij, por sepse në rendin kryesor të ditës për popujt dhe qeveritë evropiane, e më gjerë, ishte lufta kundër pushtuesve dhe çlirimi nga zaptuesit nazi-fashistë.

Çështja kombëtare qëndronte më lart se ajo ideologjike. Pa u zgjidhur e para, pa u rivendosur liria kombëtare dhe sovraniteti shtetëror i vendeve e popujve, nuk mund të kishte rend normal ndërkombëtar dhe as zgjidhje të çështjeve e kontradiktave ideologjike.

Kjo ishte arsyeja që në 14 gusht 1941 u miratua Karta e Atlantikut midis SHBA e Anglisë dhe pastaj Franca, BRSS dhe shumë vende të tjera iu bashkuan më vonë, e cila, ndër të tjera pohonte se mbas luftës nuk do të njihej asnjë ndryshim kufijsh të bërë me dhunë gjatë luftës. Rrjedhimisht, shtetet që mund të kishin pësuar ndryshime territoriale gjatë luftës dhe me anë të saj nuk do të njiheshin nga Lidhja e Kombeve (paraardhëse e OKB-së).

Bota ndodhej përballë dy mundësish: Ose do të fitonte fushata pushtuese nazi-fashiste dhe vendet e tjera do të ndodheshin nën këtë ombrellë, me regjime të ngjashme si ajo e pushtuesit dhe në shërbim të tij, ose do të fitonte Fronti Antifashist (Antipushtim- Çlirimtar) me në krye SHBA-BRSS-Britania e Madhe dhe popujt do të ishin pastaj të lirë dhe sovranë.

Pra, ishte e pamundur që ndryshimet territoriale dhe politike të shkaktuara nga pushtuesit nazi-fashistë ose me ndihmën e tyre të njiheshin e miratoheshin nga pjesa tjetër e botës, nëse agresorët e Luftës së Dytë Botërore do të humbnin luftën (siç edhe ndodhi).

Populli shqiptar kishte të pazgjidhur çështjen e vet kombëtare pasi gjysma e popullsisë ndodhej nën juridiksionin e shteteve të tjera rreth Shqipërisë. Kjo ishte vërtetë një padrejtësi historike, por çështja është se kjo padrejtësi kishte marrë formë juridike sepse ndarja ishte bërë nga diplomacia botërore dhe miratuar edhe nga Lidhja e Kombeve. Ndryshimi i kufijve, i përhershëm dhe jo i përkohshëm, mund të bëhej dhe të njihej vetëm prej atyre fuqive që e kishin keqvendosur dhe keqnjohur dikur.

Në këto kushte, përrallat që na tregojnë papushim Spahinjtë e vrerosur të Prishtinës dhe Tiranës, në përpjekje për të justifikuar kriminelët e Luftës së Dytë Botërore si Deva, se ata i paskan shërbyer nazizmit ngaqë kërkonin bashkimin e trojeve etnike shqiptare, mund të gazmojnë kokëboshët dhe të kënaqin kokënxehtët, por janë antihistorike dhe të rreme.

Trojet shqiptare ose do të bashkoheshin (përkohësisht) nën sundimin nazi-fashist dhe do të sundoheshin nga qeveri e regjime të së njëjtës natyrë, duke qëndruar në atë gjendje për aq kohë sa do të jetonte e sundonte Evropën Nazizmi, ose do të çliroheshin nga pushtuesit e përbashkët nazi-fashistë, duke mbetur të ndarë në shtete të ndryshme me mundësi ribashkimi vetëm nëpërmjet diplomacisë dhe njohjes ndërkombëtare.

Deva dhe shumë si ai ishin bartës të ideologjisë totalitariste naziste dhe si të tillë nuk i lidhte asgjë me demokracinë. Ata mund të ishin kundër një ideologjie totalitare si komunizmi, por ishin pro një ideologjie tjetër, jo vetëm totalitare por edhe hegjemoniste, pushtuese e vrastare si nazizmi.

Një fotografi e Xh. Devës me njërin nga oficerët e lartë nazistë dhe me njërin nga krerët çetnikë serbë të kohës flet më shumë se dhjetëra leksione me dredhje dhe përdredhje. Formacionet çetnike dhe udhëheqësit e tyre ishin jo vetëm aleatë të pushtuesve gjermanë, por edhe krahu më ekstrem antikosovar e antishqiptar i politikës serbe e jugosllave të shekullit të 20-të, ishin edhe formacione luftarake që kishin kryer dhe po kryenin masakra kundër shqiptarëve të Kosovës.

Rrjedhimisht, për Devën dhe sivëllezërit e tij, ishte ideologjia ajo që qëndronte mbi çështjen kombëtare, ishte pushteti i ardhshëm ai që i interesonte më shumë. Ai ishte kundër një diktature të mundshme (ende joreale) ideologjike të majtë dhe vendase, por ishte pro një diktature të djathtë dhe, madje, të huaj, e cila kishte dhënë prova sa gjakatare, aq edhe pushtuese dhe robëruese e popujve të tjerë.

Si i tillë, Xhaferr Deva nuk ishte as demokrat dhe as atdhetar. Ai ishte më i gatshëm të pranonte një “Shqipëri Etnike” nën sundimin e diktaturës së huaj naziste, ku ai, me siguri, do të mbante poste kryesore drejtuese të një pushteti vasal, sesa një Kosovë pa Shqipërinë, ku ai mund të mos kishte asnjë pozitë sunduese. Nuk ishte ai i vetmi që ambiciet për sundim personal i shet si atdhetarizëm të kulluar, si dje ashtu edhe sot.

Xhaferr Deva erdhi në Shqipëri dhe u bë Ministër i Brendshëm i një qeverie e cila ishte nën urdhrat e pushtuesve gjermanë dhe, si i tillë, ai ishte leva kryesore e këtyre pushtuesve në spiunimin, vrasjet, internimet dhe burgosjet e shqiptarëve që luftonin pushtuesin.

Dhe dihet mjaft mirë se, përveç masakrës së 4 shkurtit 1944 në Tiranë, e cila u bë me urdhër dhe nën drejtimin e Devës, qindra shqiptarë të tjerë u kapën dhe iu dorëzuan ushtrisë naziste e cila i dërgoi në kampet e saj në Evropë nga nuk u kthye kurrë shumica e tyre.

Pretendimet e Devëve dhe pasuesve të tyre të sotëm se Gjermania naziste nuk ishte pushtuese, por kalimtare në Shqipëri janë antihistorike dhe bien ndesh edhe me pohimet e tyre se ajo do të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm.

Si mundet një ushtri “kalimtare” të ndryshojë rendin botëror në mënyrë të përhershme?! A mundet një ushtri kalimtare, që do të thotë se s’kishte asnjë mision në atë hapësirë përveç rrugëkalimit, të merrte përsipër ndryshimet politike dhe gjeografike të popujve dhe shteteve nga “i ra rruga”?!

Deva dhe të tjerë si ai kanë qenë thjesht bartës shpirtëror të nazizmit dhe vegla kriminale të tij dhe, si të tillë, meritojnë jo vetëm përçmimin moral e intelektual por edhe etiketimin dhe ndëshkimin historik e politik si bashkëpunëtorë të pushtuesve. Ata ishin dhe mbeten kriminelë lufte dhe si të tillë u përcaktuan dhe u ndëshkuan në të gjitha shtetet evropiane pas L2B.

Përpjekjet e mjera për shfajësimin e tyre sot, duke na thënë se ai gjeti strehë në SHBA, janë të padobishme pasi dihet mjaft mirë se, për qëllimet e saj strategjike, SHBA-ja iu ka dhënë strehë dhe i ka përdorur si mish për top qindra nazistë e kriminelë lufte në botë, madje edhe kriminelë ordinerë.

Siç e shpjegonte mjaft qartë studiuesi Gjergji K. Frashëri, shtëpia ku ka banuar dikur Xhaferr Deva në Kosovë mund të riparohet e të ruhet si objekt me vlera arkitektonike të veçanta por, kurrsesi si objekt me vlera historike për shkak të personalitetit që ka banuar në të. Vendosja e busteve të Devës dhe emërtimi i rrugëve në emrin e tij në qytete të Kosovës është një turp historik dhe mjaft domethënëse për moralin dhe kulturën e atyre që e kanë bërë këtë.

Njerëz si Nexhmedin Spahiu në Kosovë, të cilët, nga njëra anë glorifikojnë Devën sepse paska bashkëpunuar me pushtuesit nazistë për “bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” dhe, nga ana tjetër, duan të na bindin për ekzistencën e “kombit kosovar”, meritojnë përbuzjen tonë. Nëse shkojmë me mendjen dhe moralin e tyre, lind pyetja: Ç’punë kishte Xhaferr Deva të bashkonte dy “kombe të ndryshëm”, atë shqiptar dhe kosovar?

Një popull dinjitoz dhe virtuoz duhet të nderojë luftëtarët e lirisë dhe jo shërbëtorët e pushtuesve, duhet të nderojë qëndrestarët dhe jo ikanakët me bisht nën shalë, duhet të nderojë