Lajmet E fundit

“Mercenarë shqiptarë luftojnë në Ukrainë”, Yuri Kim për deklaratën e Putin: Gënjeshtra të krijuara për të mbjellë dyshime

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar në lidhje me deklaratat e presidentit Putin se në Ukrainë luftojnë dhe mercenarë shqiptarë.
Përmes një postimi në Twitter, ku Kim ka shpërndarë edhe reagimin e ministres Xhaçka, thekson se Rusia është e përfshirë në një sulm të paramenduar, të paprovokuar ndaj një kombi tjetër sovran.

Ambasadorja Kim i cilësoi deklaratat fushatë dezinformimi.
“Fushata ruse e dezinformimit është në mbingarkesë. Këto janë gënjeshtra të krijuara për të mbjellë dyshime dhe për të hequr vëmendjen nga e vërteta, që është se Rusia ka pushtuar Ukrainën, se Rusia është e përfshirë në një sulm të paramenduar, të paprovokuar, të pajustifikueshëm ndaj një kombi tjetër sovran”, shkruan Kim.