




Grida Duma ka shpallur luftë të egër me Lulzim Bashën, aq sa ka qenë ajo katalizatori i stuhisë së kësaj të hëne.
Ajo stuhi, duket se nuk çoi në rrëzimin e Lulit, megjithëse ishte shumë e fortë dhe e mirë përgatitur, por sërish Grida ka mbetur një kundërshtare e ashpër e kryetarit të PD-së. Që e do të rrëzuar dhe siç po duket, është vetëofruar edhe si pasardhëse e tij. Apo si alterego politike, me një fjalë, kryetare e ardhshme e PD-së





Kjo ndodhi pasi në Kuvendin e dhjetorit apo edhe më 8 janar, Grida, ishte më e egra ndaj Sali Berishës, por sot ajo, të njëjtën forcë egërsie po e derdh ndaj Lulzim Bashës.Çfarë ka ndodhur?





Sigurisht që Grida ka një plan në kokën e saj, e si çdo njeri ka edhe një pakënaqësi e inat, që e shpreh hapur në statusin e saj, ku bën të ditur se kreu i PD-së as nuk e ka pyetur fare atë për kandidaturat dhe për planin e fushatës në zonën ku ajo ishte shefe politike. Që do të thotë në Rrogozhinë, e në Durrës. E nëse është kështu, Grida ka të drejtë. E nëse Grida ka të drejtë, a mundet që një grua racionale dhe inteligjente si ajo të shfryjë thjesht nga inati vullkanin e së hënës? Që “rastisi” me një uragan të madh ku ishin përfshirë që nga Klani dhe të gjithë mediat e tjerë të Sali Berishës?





E pikërisht ky aspekt krijon mjaft, po mjaft dyshime për luftën e fundit të Grida Dumës. Nëse ajo do të vetëofrohet natyrshëm si një rivale e Lulzim Bashës në një garë të mundshme për lidershipin e Partisë Demokratike, kjo është krejt e dialektike.
Grida ka një sharm dhe karizëm të theksuar, e duhet thënë simpati tek një pjesë militantësh radikalë, sidomos burra, por edhe nga gratë për rolin e saj hiperaktiv.





Duke qenë nënkryetare partie, njeri me peshë, madje njeriu që u sulmua egërsisht nga Sali Berisha dhe Evi Kokalari që tani ka humbur, pikërisht se u konsiderua si “mbretëresha” politike e lidershipit të PD-së, Grida Duma është parë si një mbështetëse e Lulzim Bashës.
Thua të ketë ndikuar rezultati i 6 marsit në tronditjen e saj psiqike e shpirtërore që të kërkojë largimin e kreut të PD-së?
Ja ta analizojmë…





Në mbledhjen e së hënës që u duk si Pleniumi i famshëm i Beratit i vitit 1944, kishte një rezonancë dhe rezultante të qartë. Që kërkonte një ngjizje dhe bashkim të PD me partinë e Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Ky qëndron Grida Duma këtu?





E tha Helidon Bushati, por edhe të tjerë, ndërkohë që si Salianji e si Duma, edhe pse ishin në një gjuhë me bashkëkritizerët e Bashës nuk u shprehën në këtë aspekt.
E në fakt ky është thelbi i konfliktit. Prej të hënës, njerëz të lineuar me Berishën po sulmojnë jo vetëm Gridën e Salianjin, por të gjithë ata që folën në mbledhjen e grupit, duke i quajtur hipokritë. Nuk duket se është kot ky sinjal. Po kërkohet nga pala e Berishës që të jetë e qartë se ku rri Duma e Saljanji.
Po si do shkojë?
Grida do të konkurrojë Lulzim Bashën?
Ky është një vizion dhe ambicie mëse legjitime, por pikëpyetja qëndron se çfarë PD-je kërkon Grida Duma?
Nëse ajo mendon se Lulzim Basha duhet të hapë krahun, duhet ta thotë më së pari se ku ajo nuk përputhet me të.
Nëse shohim këto 48 orë pas të hënës, kemi dy zhvillime; së pari deputetë të PD-së që kërkojnë ngjizjen me grupin e Sali Berishës dhe sulme nga ky grup për kritikat ndaj Lulzim Bashës që i quajnë hipokrite.
Çfarë PD kërkon Grida Duma në këtë rast?
Garë në PD? OK! Të shpallë platformën politike që si thelb ka çfarë ndodh pas largimit të Bashës. Por deri tani, revolta e së hënës ka një lajtmotiv; ngjizjen me krahun e Berishës. Ku është Grida Duma në këtë aksion? Po apo kundër? Ja kjo është realisht dilema që duhet të japë shpjegim nënkryetarja e dorëhequr e PD-së për të sqaruar jo vetëm militantët e partisë por edhe mbështetësit e opozitës…