Lajmet E fundit

(video)Nafta, sa larg dhe pranë rajonit jemi?! – RMV, me çmimin 1,5 euro pritet të ulë akcizën. Në Kosovë, çmimi pranë 1,7 euro. Asnjë reagim

Çmimet e karburanteve po regjistrojnë rritje nga dita në ditë në të gjithë botën. Në Shqipëri, nafta shitet me pakicë mesatarisht me 249 lekë për litër. Në Kosovë mesatarisht me 1,68 euro, ose e konvertuar me kursin e këmbimit të mërkurën me rreth 215 lekë për litër. Në Maqedoninë e Veriut, me rreth 180 lekë për litër. Vetëm një ditë më parë kryeministri Edi Rama përjashtoi çdo mundësi për ndërhyrje në taksa, çka është kërkuar prej disa ditësh nga ekspertët e ekonomisë, me qëllim lehtësimin e konsumatorëve. Por, si paraqitet situata në dy vendet fqinje?

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut një natë më parë janë krijuar radhë të gjata të makinave në pritje për t’u furnizuar me karburant. Mësohet se edhe në këtë vend, opozita ka reaguar ashpër për rritjen ekstreme të çmimeve të karburanteve dhe ka kërkuar nga Qeveria që të marrë masa urgjente për uljen e çmimeve, duke ndërhyrë në akcizë. Dhe duket se ekzekutivi i vendit fqinj do të reagojë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut është duke u përgatitur që të enjten të shpallë dy masa të rëndësishme për zbutjen e çmimeve.

Në lojë është ulja e akcizës për karburantet, si dhe heqja e TVSH-së për disa produkte ushqimore, energjinë elektrike dhe ngrohjen. Ulja e akcizës për karburantet, do të ishte 30 për qind, ndonëse po konsiderohen skenarë për ulje prej 10 dhe 20 për qind. Masa e dytë ka të bëjë me heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për një listë specifike të kufizuar të produkteve ushqimore, si dhe për energjinë elektrike dhe ngrohjen.