Lajmet E fundit

Ligji i ri për minoritetet, reagon ashpër Marin Mema: Minoritet me 300 firma? Kjo është antikombëtare!

Lidhur me draftin e paraqitur për miratim ka reaguar menjëherë gazetari Marin Mema.
Ai ka shprehur revoltën ndaj shqitarëve që sipas tij s’flasin kurrë për padrejtësinë që po u bëhet duke ulur kokën dhe duke iu bindur një nënshtrimi të turpshëm.

Madje Mema ka thënë se me këto kushtëzime me shumë mundësi një ditë do kërkohet edhe të ndryshojë emri i vendit. Sipas tij kjo gjendje s’mund të vazhdojë më.
Kujtojmë se gazetari, Marin Mema ka bërë shume emisione të debatuara për problemet në zonat e Sarandës dhe Delvinës lidhur me çështjen e minoriteteve greke në to.

Statusi i gazetarit Marin Mema:
Minoritet kombëtar me 300 firma ? Komisione të posaçme që shqyrtojnë kërkesa të tilla ? Tabela e gjuhë pa hesap për minoritete fantazëm në zona ku nuk ka të tillë ?! Kjo është ANTIKOMBETARE dhe pikë. Ky projekt-vendim është ANTIKOMBETAR ! Fqinjët tanë janë në BE, por nuk njohin asnjë minoritet e kërkojnë të tillë edhe atje ku nuk ekzistojnë dhe nuk kanë ekzistuar kurrë.

Si mundet kjo ? A nuk kemi edhe ne të drejta sipas normave ndërkombëtare ? A nuk janë konventat ndërkombëtare të vlefshme për të gjithë ? A nuk e duam edhe ne Europën si të tjerët (madje edhe më shumë) ? A nuk kemi edhe ne histori, kulturë, trashëgimi e identitet kombëtar ? A nuk jemi edhe ne një komb europian ?

Por ne çfarë bëjmë ? Ne shtojmë e shtojmë e shtojmë derisa na ulin edhe pantallonat. Pranojmë varreza për ushtarë pushtues, pranojmë memoriale, pranojmë tabela, nuk flasim kurrë për shqiptarët autoktonë dhe pronat e tyre, por bëjmë gjithçka na kërkohet me një nënshtrim të turpshëm. Të turpshëm!

Me këto kushtëzime e veto na ka mbetur të na kërkojnë ndonjë ditë edhe të ndryshojmë emrin e vendit tonë, apo flamurin e gjuhën. Kjo nuk mundet të vazhdojë më. Nuk mundet të vazhdojë më!