Lajmet E fundit

‘Shqiptarët duhet ta dinë’,Marin Mema e deklaron publikisht

Në studion e emisionit “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Florian Gjini dhe Erjona Rusi, ishte i ftuar gazetari Marin Mema dhe Presidenti i fondacionit “Gjurmë Shqiptare”, Marko Kepi.

Në studio theksi u vendos mbi tërmetin e 26 nëntorit, mbi dëmet e shkaktuara dhe politikat e ndjekura në fushatën e rindërtimit të shtëpive. Kujtojmë që pak orë pas tërmetit tragjik, gazetari iu bashkua një fushate për sigurimin e të ardhurave në bashkëpunim me fondacionin Gjurmë Shqiptare. Ky fondacion arriti të sigurojë brenda 72 orëve shifrën e 1.5 milionë eurove dhe e gjitha kjo shifër do të vendoset në dispozicion për ndërtimin e shtëpive në zonat më problematike. Puna e tyre ka nisur me ndërtimin e një shtëpie në Tapizë (ndodhet në afërsi të fshatit Nikël të Krujës) dhe tre shtëpive të tjera në Shijak.

Ndërkohë Marin Mema është pjesë e një tryeze të përbërë nga donatorët vendas dhe qeveria. Por gazetari i ka kushtuar një rëndësi të veçantë procesit të transparencës, se ku do të përfundojnë paratë e siguruara nga shqiptarët. Këtë gjë e rikonfirmoi dhe në studio, ku u shpreh se do të jetë në atë tryezë deri në momentin sa do të ketë transparencë. Në të kundërt, në momentin që kjo transparencë do të jetë fiktive, ai nuk do të jetë më pjesë e saj.

“Jam ende pjesë e tryezës, por do të qëndroj në të deri në momentin që do të shikoj se ka transparencë. Në momentin që kjo transparencë do të cënohet, shqiptarët duhet ta dinë që unë nuk do të jem më pjesë e saj”, u shpreh gazetari Marin Mema.