Lajmet E fundit

Si e grabitën nazistët arin shqiptar

Nga Hasan Bello
Me kapitullimin e Italisë fashiste me 8 shtator 1943 vendin e saj e zuri ushtria gjermane. Menjëherë ajo mori nën kontroll institucionet kryesore, ku bënte pjesë edhe Banka Kombëtare. Kjo e fundit ishte krijuar pas marrëveshjes së 25 marsit 1925 mes shtetit shqiptar dhe një grupi financiar italian. Sipas kësaj marrëveshjeje, 49% të aksioneve i përkisnin palës shqiptare, ndërsa 51% aksionerëve italianë.

Ky ishte një hap i rëndësishëm për qarkullimin monetar, emetimin e kartëmonedhave dhe ekonominë shqiptare. Historiografia komuniste është përpjekur që një sukses të tillë ta konsideroi vetëm si ekspansion financiarë të Italisë dhe duke akuzuar Mbretin Zog se gjatë largimit gr,abiti arin e shtetit shqiptar.

Por si qëndron e vërteta? Në fakt, në largim e sipër është e vërtetë se qeveria e kohës mori me vetë atë pak buxhet që ekzistonte për të paguar funksionarët dhe për të vijuar punën për mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar në ekzil.

Me kapitullimin e Italisë, gjermanët konfiskuan depot e Banca d`Italia, ku gendej i depozituar edhe ari shqiptar. Përveç sasisë prej më shumë se 24 kuintal ar (afërsisht 2.5 ton), gjermanët grabitën edhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Bankës Kombëtare, si: kartmonedhat e fabrikuara dhe gjysëm të fabrikuara, formularët e monedhave, klishetë etj. Arin e konfiskuar gjermanët e dërguan në Berlin dhe e depozituan në Reichsbank. Ndërsa kartmonedhat i dërguan në Beograd, të cilin, sipas M.Kutelit gjermanët e kishin bërë qendër të propagandës naziste.

Në këtë qytet ata kishin instaluar disa aparatura speciale dhe shtypshkronja, për fabrikimin e falsifikimin e kartmonedhave. Objekt i bisedimeve mes qeverisë kuislinge shqiptare të vitit 1943-1944 me autoritetet gjermane do të jetë edhe transferimi i arit shqiptar të konfiskuar në Banca d`Italia në Romë, në një bankë të ndonjë vendi neutral, siç ishte Zvicra, ose sjellja e tij në Shqipëri. Këtë e dëshmon një numër i madh dokumentesh. Por gjermanët nuk pranuan.

Me kapitullimin e Gjermanisë naziste dhe hyrjen e aleatëve në Berlin pasuritë e grabitura nga gjermanët konfiskohen nga anglo-amerikanët. Kështu, ari shqiptar do të meret nga britanikët. Pas incidentit të kanalit të Korfuzit të 16 majit 1946 dhe mbytjes së anijeve britanike, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës do të fajësoi palën shqiptare. Si dëmshpërblim britanikët do të mbajnë të konfiskuar arin shqiptar, për të cilin regjimi komunist dhe Enver Hoxha nuk reshtën së kërkuari. Nga ana tjetër, në mënyrë absurde dhe për nevojat e propagandës, akuzonin Mbretin Zog.