Lajmet E fundit

Si u bënë Ramazani “Zan” dhe Nikoleta “Leta”: Politika e shtetit ko-munist për ndryshimin e emrave, lista e lejuar dhe e ndaluar

Nga Hasan Bello
Një nga politikat e regjimit komunist ishte ajo për ndërrimin e emrave. Për shkak të modaliteteve ajo do të intensifikohet pas viteve 60-të. Kështu, në vitin 1963 në gazetën “Mësuesi” nisi trajtimi i kësaj teme dhe fitoi prioritet përdorimi i emrave ilirë.

Në shtypin e kohës u fol për lu, ftën që i duhej bërë përdorimit të emrave të huaj dhe pas 6 shkurtit 1967 veçanërisht atyre me ngjyrim fetarë. Në një material të kohës thuhej “Nisur nga gjith politika e ndjekur nga partia, një e keqe që i mbante gjallë fetë ishte përdorimi i trashëguar i emrave me origjinë fetare”.

Për t`i ardhur në ndihmë evitimit të përdorimit të këtyre emrave, zyrave të Gjendjeve Civile, iu shpërnda një listë me 1000 emra që rekomandohej tu vendoseshin të porsalindurve. Më pas kjo listë u zgjerua dhe mori trajtën e një fjalori me 5000 emra, e cila u botua në organin “Vatra e kulturës”. Në Fletoren Zyrtare në nëntor 1975 u botua një dekret, ku urdhërohej që të gjithë qytetarët, emrat e të cilëve, nuk përputheshin me normat politike, ideologjike dhe morale të shtetit, duhet t`i ndërronin ato brenda vitit 1976. E gjitha kjo politikë synonte çrrënjosjen e emrave të fesë Islame, Ortodokse dhe Katolike.

Për të finalizuar këtë objektiv, në vitin 1977 pranë Akademisë së Shkencave u ngrit një grup pune.
Sipas relacionit që ky grup përgatiti më 1 korrik 1977, deri në këtë periudhë emrat e njerëzve ishin mpleksur me çështje të ndryshme të karakterit ideologjik, politik, etik, kulturor e psikologjik. Prandaj, ato përbënin një problem shoqëror, i cili kërkonte një vëmendje të veçantë.

Kjo e bënte të domosdoshme ndërhyrjen e shoqërisë (shtetit), për të bërë ndryshime në fondin e këtyre emrave.
Por në vend që të mereshin si bazë kritere objektive, sipas anëtarëve të këtij grupi, theksohej se, për ta përmirësuar përbërjen e tij dhe për t`i dhënë një fytyrë sa më kombëtare ajo duhej bërë në përputhje “me bazën dhe superstrukturën tonë socialiste”. Për rrjedhojë, që pas vitit 1944 do të vendosen emra të çuditshëm, si: “Proletar”, “Republika”, “Marenglen”, “Partizan” etj.

Në relacionin e hartuar theksohej me të drejtë se ashtu si te çdo popull tjetër, edhe tek shqiptarët, fondi i emrave të njerëzve ishte formuar shtresa shtresa që nga kohët e lashta deri në ditët e sotme. Këto shtresa, natyrisht, që ruanin tiparet e kohës dhe rrugën nëpërmjet së cilës populli shqiptar kishte kaluar.

Deri në këtë periudhë fondi i emrave të njerëzve që përdornin shqiptarët ndahej në dy grupe të mëdha: grupi i emrave me burim vendas, shqiptar e ilir, dhe grupi i emrave me burim të huaj (fetar e laik).
Grupi i parë, që përfshinte emra vendas, ishte më i vogël si numër njësish në krahasim me të dytin, por kishte një denduri më të madhe përdorimi tek të lindurit pas vitit 1944, sidomos në qytet.
Emrat me burim nga leksiku i përgjithshëm i shqipes dhe pjesërisht nga toponimia shqiptare (emrat e vendeve), në një farë mase ishin përdorur gjatë gjith kohërave. Por ata kishin marë një përhapje më të madhe në periudhën e Rilindjes Kombëtare e sidomos pas vitit 1912, për shkaqe kryesisht politike, si kundërveprim i emrave me origjinë të huaj.

Sipas grupit të punës, vargu i këtyre emrave nga pikëpamja gjuhësore ishte i hapur dhe mund të shtohej vazhdimisht, duke përdorur si emra njerëzish fjalë të leksikut të përgjithshëm të shqipes: nga sfera e bimësisë, si: “Lule”, “Manushaqe”, “Trëndelinë”, “Trëndafil”, “Rrap”, “Selvi” etj; nga sfera e botës së kafshëve, si: “Luan”, “Petrit”, “Shqipe”, “Skifter”, “Dren”, “Drenush” etj; nga sfera e emrave abstraktë, si: “Kujtim”, “Gëzim”, “Gazmend”, “Çlirim”, “Shkëlqim” etj; si dhe nga disa sfera të tjera, si: “Yll”, “Hënë”, “Agim”, “Dritë”, “Zanë” etj.