Lajmet E fundit

Duma flet për situatën në PD: Për t’u ringritur duhet të shkojmë në…

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike dhe deputetja e kësaj partie, Grida Duma insiston që vetëm përmes një dialogu të hapur në mes të demokratëve kjo parti do të tejkalojë krizën me të cilën po ballafaqohet.

Në kohën kur ky subjekt politik ka mbetur pa kryetar, ajo thotë se nuk ka menduar ende për t’i hyrë garës për të udhëhequr partinë, por do të preferonte që kryetari i ardhshëm të mos jetë, as Sali Berisha, as Lulzim Basha.
Në një intervistë për KosovaPress, deputetja e Partisë Demokratike konsideron se ka plotë kandidatë që mund ta udhëhiqnin PD-në, ndërsa thotë se revanshi i demokratëve mbi demokratë duhet të mbarojë.

“Sali Berisha aty duhet të diskutojë me ne, duhet ta bëjmë një dialog të hapur, siç i kam thënë edhe Lulzim Bashës më përpara se ai të jepte dorëheqje se ka vetëm një mënyrë për të krijuar kredibilitet moral, ta bëjmë debatin mes palëve të hapur dhe të plotë dhe ta çojmë deri në fund këtë debat me asnjë skenë të ndarë por në të njëjtën skenë që ne bëjmë një dialog të madh me njërit-tjetrin.

Pavarësisht se cilat janë ndryshimet ligjore PD është e detyruar të kuptojë një gjë, vetëm një grupim, qoftë ky i foltores apo qoftë ky PD zyrtare në të dyja anët jemi të humbur nëse nuk kuptojmë që e vetmja betejë që kemi është të fitojmë zgjedhjet, nuk ka rëndësi nëse një pakicë është më e madhe se një pakicë tjetër, ka rëndësi që ne të jemi shumica më e madhe për qeverisjen e vendit dhe kjo gjë nuk duhet të na bëjë në asnjë moment që të jemi agresivë me njëri-tjetrin.

Asnjëri nuk ka fituar, të dyja palët kanë humbur, dhe tani revanshi i demokratëve mbi demokratët duhet të mbarojë dhe duhet të ketë një amnisti morale për ndasitë që i krijuan dy krerët e partisë dhe që nuk ia kanë borxh më demokratët dhe duhet ta zgjidhim këtë sido që të jetë kosto me një dialog të arsyeshëm properëndimor dhe që e bënë PD-në të gjeneratës të re me një tjetër ndriçim drejt shkuarjes në frymëzim, jo në presion… Për pesë ose gjashtë muaj nëse angazhohemi në këtë platformë ne e bëjmë të mundur që të dakordësojmë”, deklaroi Duma.
Ajo konsideron që vetëm ndryshimi i brendshëm i PD-së është një shans për ndryshim në Shqipëri.

Deputetja konsideron se kjo parti tashmë duhet t’i përgjigjet gjeneratave të reja dhe të dëgjojë eksperiencën e vjetër.
“Partia Demokratike ka detyrën, jo vetëm misionin, të ngrihet mbi vetveten, që do të kuptojë që nëse ka një shans për ndryshim Shqipëria, do të vijë nga ndryshimi i brendshëm i PD-së. PD duhet të bëhet e madhe sërish, për një PD të madhe ne jemi të detyruar të heqim secili diçka nga vetja dhe të shkojmë drejt një dialogu të madh mbarëkombëtar me demokratët dhe shqiptarët. PD duhet t’i përgjigjet gjeneratës së re, të dëgjojë eksperiencën e vjetër, duhet të shkojë drejt bashkimit me arsye dhe jo për të pasur Partinë Demokratike të askujt, por për të pasur PD-në fituese”, theksoi ajo.

E pyetur nëse mendon që të garojë për postin e kryetarit të PD, Duma, e cila deri para pak kohës mbante postin e nënkryetares së Partisë Demokratike, tha për KosovaPress se më shumë mendon për ringritjen partisë.

“Është një gjë që ende nuk e mendoj, mendoj zmadhimin e Partisë Demokratike, mbi ato rrethana unë mendoj që kandidatë në Partinë Demokratike ka plotë, më shqetëson shumë mentaliteti feudal i tipi që jemi mësuar me filanin. Po edhe me zakonet e këqija mësohesh në jetë por duhet të mësohesh të ndryshosh”, theksoi ajo.

Megjithëse, Duma shprehet se do të ishte lajm i mirë nëse as Berisha dhe Basha nuk do të ishin në krye të PD, pavarësisht se ish-kryeministri shqiptar e deklaroi mbrëmë që do të jetë në garë për t’u rikthyer në krye të partisë.