




Le t’i lëmë për një moment, batutat polarizuese dypalëshe të kundërshtarëve dhe mbështetësve të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Le t’i lëmë për një moment akuzat dhe lavdërimet, e të mendojmë në mënyrë sa më racionale të mundshme.





Çfarë sjell në politikën shqiptare rikthimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës e çfarë sjell largimi i tyre, duke peshuar me logjikë të ftohtë dobitë e problemet që sjellin dy versionet.





Së pari, rikthimi i Berishës dhe Metës, do të sjellë metodën që tashmë e dime, të mënyrës së tyre të drejtimit. Një politikë, e stërnjohur, ku ata kanë pasur të gjitha pushtetet e këtij vendi, kanë pasur të gjitha postet drejtuese të këtij shteti.





Me një fjalë kanë pasur në dorë të ndryshojnë e të bëjnë atë që dinin e donin. Por çfarë sollën? E mbi të gjitha, çfarë të reje do të sjellë kjo dyshe, çfarë mund t’i japin më politikës e vendit, më shumë nga ajo që i kanë dhënë?





Potenciali i tyre shihet qartë çdo ditë, kur i dëgjon që flasin e elaborojnë teza, duket sikur koha jo vetëm ka mbetur në vend, por sikur kthehemi me dekada prapa.





Ata të dy, janë arsyeja kryesore përse një pjesë e madhe dhe më potencialja e shqiptarëve, pra rinia-nuk i afrohet politikës duke mos votuar. Ose rri, pra voton sipas koncepteve militante të prindërve të tyre.





Rikthimi i Berishës për të drejtuar opozitën, ka shumë gjasa që të sjellë një polarizim, që së paku do të ketë kundërshtimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Do të kemi një hap prapa në reformën në Drejtësi, që do të na kthente në kohën e Adriatik Llallës dhe Gjin Gjonit. Kjo drejtësi, ka shumë probleme, e natyrisht nuk po arrin fare në pritshmëritë që duan njerëzit, por një rikthim i pazarxhinjve më toga të zeza, është thjesht një hap prapa.





Një rikthim i Sali Berishës e Ilir Metës, do të çojë në një polarizim të politikës shqiptare, në një futje në kazermë të mazhorancës dhe fuqizim të Edi Ramës, e natyrisht pasardhësit, i cili do të dalë nga xhepi i tij dhe jo nga zgjedhjet.





Rikthimi i tyre do të vr, asë përfundimisht shpresën e një rinovimi të politikës shqiptare, e natyrisht do të çojë në një depresion të atyre që duan të ndryshojnë këtë situatë.





Ndërkaq, nëse Berisha e Meta, thjesht largohen, do të kemi një frymëmarrje dhe një fushë bosh të madhe në politikën shqiptare. Një mundësi e gjerë për rinovim e bashkim të të gjithë pjesëve dhe elementëve që duan një ndryshim në qeverisje, por me duar të pastra e fytyra të reja.





Një largim i Sali Berishës dhe Ilir Metës do të sjellë një dekurajim të paramilitarëve që janë kthyer në çibanë të politikës shqiptare. Që presin të bëhen komisarë e drejtorë policie, inspektorë, doganierë e taksidarë për të fituar para, apo drejtorë drejtorish që fitojnë miliona. Kjo u,shtri barbarësh, së bashku me më të inkriminuarit në vend që i ushqen kjo dyshe prej 30 vjetësh do të mësohet të jetojë jetën e tyre duke ju frikësuar ligjit.





Një ikje e Sali Berishës dhe Ilir Metës, do të sjellë një shpresë për më të rinjtë se tashmë u këput “nyja gordiane” që e mban peng si “gjyle” një klasë politike që është salduar në krye të vendit e nuk ikën.
Ikja e tyre, do të zgjonte të gjitha energjitë pozitive për një opozitë të re, të bashkuar, krejt të përbërë nga një gjeneratë që nuk ka lidhje me 30 vjeçarin tashmë të tejkaluar.





Dhe natyrisht ç’është më kryesorja, ikja e Berishës e Metës nuk do të linte alibi për Edi Ramën, dhe koha e ikjes së tij do të shkurtohej shumë. E në këtë logjikë, cili është versioni më i mirë?!