




Apolonia zë një vend të veçantë në dy veprat e shkrimtarit humanist Marin Barleti si: “Mbi rrethimin e Shkodrës” (De Obsidione Scodrensi), botuar në Venecia prej Bernardi Vitalit në vitin 1504 dhe “Historia e jetës dhe veprave të Skëndërbeut, princit të Epirotëve” (Historia De Vita Et Gentis Scanderbegi, Epirotarum Principis), botuar në Romë në vitet 1508-1510.





“Apolonia, një qytet me baza shumë të shëndosha për hir të ligjeve të tij. Në kufijtë e tij ndodhet një vend i famshëm që quhet Nymfa, sikurse e dëshmon Straboni. Aty ndodhet një gur që vjell zjarr e metal dhe gjithnjë shkon duke u zmadhuar. Nën atë gur janë disa burime që qitin ujë të vakët dhe, siç na e tregon Posidoni, toka aty është plot me bitum, që vlen për të mbrojtur hardhitë në insektet e dëmshme.





Veç kësaj, aty ka shumë popuj, sidomos kaonët janë ata që banojnë në një pjesë të madhe të atyre vendeve, sepse, si burra të fortë që janë, ata aty mbajtën gjithmonë zotërimin e vendit. Pastaj andej nga lindja, jo shumë larg prej qytetit të Apolonisë, bie rruga Egnatia, e cila për çdo mil është e shënuar më shtylla guri dhe shtrihet për njëmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë stade’’, shkruan autori në veprën e parë: “Mbi rrethimin e Shkodrës”.





“Edhe në të zgjedhurit e vendit, Skënderbeu veproi me atë urtësi e maturi. Kështu, që të mos i linte me përshtypjen se kujdesej më fort për nderin e vet se të të tjerëve dhe që të mos mbetej asnjë shteg për dyshime, nuk i thirri princërit në Krujë.





Por ai nuk i thirri as në Apoloni, as në Dejë, as në Zhabjak apo në ndonjë qytet tjetër të Epirit, me qëllim që të mos linte për të tjerët ndonjë arësye zilie apo bishtënimi, sepse ka njërëz që gjërat e veta i ngrejnë më lart se të rë tjerëvet; prandaj edhe ata, duke i çmuar vendet e veta jo më pak, por më tepër të denja, me siguri që, ose do të tërhiqeshin me zor në vendet e të tjerëvet, ose nuk do të pranonin fare të shkonin”, thekson Barleti në pasazhin rreth Kuvendit të Lezhës, në librin “Historia e Skëndërbeut”.





Foto: Ballina e librit ‘’Historia De Vita Et Gentis Scanderbegi, Epirotarum Principis’’.
Burimi: Mikel Prenushi, “Kontributi Shqiptar në Rilindjen Europiane”, SH. B. “8 Nëntori”, Tiranë 1980, f. 77. Marin Barleti, “Rrethimi i Shkodrës” SH. B. Naim Frashëri, Tiranë 1982, f. 35. Marin Barleti, “Historia e Skënderbeut”, USHT-IHGJ, Tiranë 1967, f. 95.