




Më 3 shtator ’81 ka qenë vizita e fundit që Enver Hoxha ka bërë në shtëpinë e Mehmet Shehut, ish-Kryeministrit komunist dhe numrit dy të regjimit. Atë mbrëmje ka shkuar për të uruar bashkëpunëtorin e tij më të afërt për fejesën e djalit dhe nga ajo ditë e derisa ndërroi je, të, nuk është shfaqur më aty.





Në bisedën me Ramiz Alinë, mëngjesin e 8 shtatorit ’81, është befasuar nga të papriturat tronditëse që ka mësuar për biografinë e papërshtatshme të nuses që kishte kapërcyer rishtas portën e Bllokut të udhëheqjes. Pas kësaj është interesuar të njihet zyrtarisht me dokumentet që komprometojnë integritetin politik të krushqisë së re të Mehmet Shehut. Atëherë, kur ka siguruar të plotë dosjen përkatëse, e ka thirrur në zyrë dhe ia ka vënë në dukje vetë ish-Kryeministrit.





Pas tri takimeve konfidenciale me këtë të fundit, më 11, 12 dhe 13 shtator të vitit 1981, ka filluar shtjellimin e çështjes me krerët e lartë të partisë e të shtetit, jo thjesht për të denoncuar biografinë problematike të vajzës që ishte futur rishtas nuse në Bllok, por për të qëndruar fort ndaj arsyeve që e kishin motivuar Mehmet Shehun të bëhej pjesë e një krushqie reaksionare.





Në këto rrethana të panjohura, Enver Hoxha nisi divorcin me njërin nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij, për të vijuar me dizenjimin e prapaskenave që do të kryqëzonin jo thjesht dhe vetëm politikisht Kryeministrin, i cili kishte drejtuar ekzekutivin shqiptar plot 27 vite.





E gjitha kjo sipërmarrje është dokumentuar në dosjen se, krete, që Hoxha e ruante në kasafortën e tij. Në të janë pasqyruar në mënyrë kronologjike dhe me detaje të gjitha bisedat e takimet që ai ka zhvilluar pasi është njohur me të dhënat e papërshtatshme të biografisë së familjes së nuses së djalit të Mehmet Shehut.





Në numrin e sotëm, “Panorama” publikon për herë të parë bisedën e Hoxhës me Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain pasditen e 18 shtatorit 1981, për të vijuar me bisedat e tjera që janë konsumuar në zyrën më të rëndësishme të regjimit, në vigjilje të eliminimit të njeriut më të fuqishëm pas Enver Hoxhës…