Lajmet E fundit

Do të bashkëpunosh me Berishën? Edi Rama i habit të gjithë me përgjigjen e tij

“Unë flas për të gjallët, ju flisni për të vde, kurit”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, kur u pyet sot pasdite nga gazetarët nëse do të bashkëpunojë me Sali Berishën për zgjedhjen e presidentit të ri që merr postin 5 vjeçar në korrik 2022.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, kreu i qeverisë refuzoi të japë përgjigje të detajuar nëse do të bashkëpunojë me Sali Berishën për kreun e ri të shtetit, ndërkohë që gjykata ka certifikuar “Rithemelimin” në PD.

Ndërsa për çështjen e deputetit Alqi Bllako, kryeministri Rama tha se deri në momentin që të vërtetohet nga drejtësia, deputeti socialist është i pafajshëm.

Ndër të tjera, kryeministri u shpreh se ky ka qenë edhe qëllimi i Reformës në Drejtësi, ku nuk ka më mburoja politike, siç tha ai.
“Nuk ka përgjegjësi kolektive. Unë qëndrova këtu për respekt dhe besoj se bëhen pyetjet e jepen përgjigjet dhe nuk ndërpritet tjetri. Po jepja përgjigjen e një pyetjeje dhe u ndalova.

Nuk ka përgjegjësi kolektive dhe zgjedhjet e njerëzve në jetë, zgjedhjet me të cilën vendos të lidhësh jetën, zgjedhjet e njerëzve me të cilën bashkëpunon, bazohen mbi një sërë arsyesh, të cilat nuk prezumojnë për askënd se kush zgjedh është përgjegjës nëse i zgjedhur shkel ligjin. Për këtë arsye gjërat janë të ndara.

Sot që flasim përgjigjja ime është si gjithmonë në parim. Në rastin konkret këtë nuk e caktoni ju, as unë, por drejtësia. Deri kur ajo të thotë fjalën e fundit, këta njerëz janë të pafajshëm.

Ndryshimi është që këtu sot për shkak të reformës në drejtësi, kemi arritur në pikën ku nuk ka mburoja politike. Por në pikën që njerëzit të shpallen të fajshëm nëpër mikrofonë, mund të shkojë kush dëshiron, por jo unë”, deklaroi kreu i qeverisë.