Lajmet E fundit

Modeli i Albinit e Dritanit, shembull për rrëzimin e kastës në Shqipëri

Në politikë nuk vlejnë protagonizmat false, politika është një garë e hapur se kush është i besuar për njerëzit. Pa të shtyra dhe pa xhelozi, një kompeticion bio i agoras antike të Athinës…

Dilema që kanë pasur në tërë këto vite njerëzit apo edhe subjektet që kanë tentuar të thyejnë hegjemoninë e PS-së e PD-së, është se një element i tretë politik nuk ecën në Shqipëri.
E sjellin këtu si shembull, modelin e LSI-së së Ilir Metës, e cila u kthye në një kancer malinj që infektoi të gjithë politikën, por edhe rastet e pasuksesshme të Gjergj Bojaxhiut, Libra-s së Blushit etj etj.

Por në fakt, ne kemi para syve, krejt ngjitur- brinjasi pra: dy modele të suksesshme të një politike që e ka thyer elitën e vjetër. Të cilët janë Albin Kurti në Kosovë, e Dritan Abazoviç në Mal të Zi.

Modele, që pasqyrohen drejtpërsëdrejti si një mundësi krejt e thjeshtë dhe shumë efektive për tu zbatuar në Shqipëri.
Çfarë përfaqësojnë këto modele?
Albini në Kosovë, arriti në zgjedhjet e vitit të shkuar që të marrë shumicën absolute të elektoratit të Kosovës, kur realisht Vetëvendosja si subjekt, nuk është as sot parti që ka shumicën e votuesve të vendit.

Po çfarë ndodhi?
Albin Kurti dhe Vetëvendosja që ai drejton, për një kohë të gjatë u kthye në ndërgjegjen e pjesës më të shëndoshë të publikut në Kosovë, duke mbrojtur dhe luftuar për parimet më të rëndësishme që janë: politika e pastër, rrëzimi i elitës së vjetër dhe transformimi i politikës, duke ja hequr nga duart vendimmarrjen oligarkisë.

Në momentin e duhur, Vetëvendosja bëri aleancë me një pjesë të rëndësishme të LDK-së që udhëhiqej nga Vjosa Osmani dhe arritën që së bashku edhe me diasporën të kthehen në faktor dominues.
Shikojeni sot panoramën në Kosovë. Nuk është fare perfekte, por gjithçka është në vendin e vet, duke i dhënë politikës një dialektikë të qetë, si një lum që rrjedh në shtratin e vet.

Elita e vjetër është shkatërruar, partitë e vjetra janë rinovuar totalisht në drejtimin e tyre dhe gjërat ecin në një klimë normale.
Albin Kurti, edhe mund të mos arrijë ndonjë sukses relevant në politikën e tij qeverisëse, por realisht ai ka realizuar një objektiv të madh në misionin e tij politik. Me aksionin e tij ka larguar gjithë elitën e vjetër të Kosovës, jo thjesht nga pushteti, por edhe drejtimi në partitë e tjera politike, të cilat sot udhëhiqen nga një klasë e re.

Ndërkaq, në hapësirën politike kosovare nuk ka fare monopol, përkundrazi ka aq fushë të lirë, saqë Vetëvendosja nuk mori shumicën e komunave në zgjedhjet vendore, të cilat u zhvilluan jo shumë muaj pas atyre parlamentare.

Ky është një sinjal i pastër se fusha politike është e lirë për të gjithë aktorët. Sot shumica e komunave të Kosovës janë në duart e opozitës, duke nisur nga Prishtina. Kosova është një vend krejt ndryshe nga disa shtete të rajonit, që vuajnë nga monopoli politik. Kjo ndodhi jo sepse Albini synoi shumicën që në fillim, por ishte konsistent në parimin apo objektivin e tij. E duke qenë konsistent mori aleat rrugës, që rritën fuqinë potenciale të kësaj lëvizjeje politike. E cila dha një pasqyrim të rëndësishëm në publik, ku për dy javë apo një muaj ndodhi ajo që nuk ishte mundësuar në dekada.

Ndërkaq, në Mal të Zi shembulli i Dritan Abazoviç, është edhe më pikant. Ai e nisi një vit më parë, njësoj si Ilir Meta në vitin 2009, pra me vetëm 4 deputetë.

Po çfarë bëri Dritan Abazoviçi ndryshe nga Ilir Meta? Le ta bëjmë krahasimin.
Në vitin 2009, LSI e Ilir Metës kishte 4 deputetë, të cilët ishin realisht “të florinjtë” për Sali Berishën. Ndryshe PD nuk bënte dot qeveri. E çfarë marrëveshje bëri Meta? Kërkoi dhe mori 30% të tortës së pushtetit ekzekutiv.

Po Dritan Abazoviçi? Vuri katër vija të kuqe për koalicionin pro serb me të cilin fitoi zgjedhjet. “Jo tërheqjes së njohjes së Kosovës, jo tërheqjes për anëtarësimit në NATO, jo aleancës me Moskën, e luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Ilir Meta mori nga Sali Berisha dikasteret me lekë, kurse Abazoviçi mori dikasteret e sigurisë që ruanin marrëdhënien me SHBA e BE. Pra ministrinë e Jashtme, atë të Brendshme dhe shërbimin informativ. Në postet drejtuese nuk vuri asnjë anëtar të partisë së tij, por ekspertë të fushës, edhe me ndërmjetësimin e partnerëve perëndimorë.

Edhe pse një partner i vogël, por kyç, Dritan Abazoviç, arriti ta fokusojë si mbështetjen, por edhe sulmin ndaj tij, pra vëmendjen tek pastrimi i klikës së vjetër, dhe lidhjes së politikës me mafian. Këto prioritete, për një vit i shndërroi në çështje që i diskutojnë të gjithë.

Pra thjesht, nuk u merakos për përqindjen e pushtetit, as për të punësuarit në shtet, por për luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe prioritetet e mëdha të vendit. Si përfundim, arriti që të kthehet nga një partner kyç i opozitës filo-serbe, në partner jetik i Perëndimit për të ndalur influencën ruse në një vend të NATO-s si Mali i Zi. E në vetë të parë, pa u fshehur, Abazoviç firmosi mocionin kundër qeverisë ku ishte zv.kryeministër dhe nisi negociatat për një qeveri tjetër properëndimore. Ku si kusht vuri largimin, ose shpalljen e largimit të Milo Gjukanoviç.

Me një fjalë gjithçka varet tek prioritetet. Edhe tek ne, nuk ka rëndësi nëse kjo forcë politike do të jetë e madhe apo që të arrijë të përmbysë raportin e monopolist PS-PD. Mjafton të jetë e qartë çfarë kërkon, të flasë për çështje të rëndësishme, e të aktivizojë aktorë të rëndësishëm e të përgatitur. Politika nuk është një fushë ku mund të aktivizohen poetët delirantë që nuk ua lexon kush librat, në politikë kërkohen lojtarë publikë që kanë qenë të besueshëm publikisht.

Kërkohen profesionistë e analistë, që nuk kanë mbajtur kurrë anën e së keqes. Kaq e thjeshtë është. E shumë shpejt, kur të dalin, të lakohen dëshirat e prioritetet, edhe shqiptarët do të jenë në një linjë me ata që marrin përsipër t’i përfaqësojnë.

Në politikë nuk vlejnë protagonizmat false, politika është një garë e hapur se kush është i besuar për njerëzit. Pa të shtyra dhe pa xhelozi, një kompeticion bio i agoras antike të Athinës…