Lajmet E fundit

Si Rama shpërbleu me poste ish-deputetët PS kthehet në zyrë punësimi/ 7 emrat që nuk ju ndanë karriges

Kryeministri Edi Rama në zgjedhjet e 25 prillit solli ndryshime rrënjësore në listën e kandidatëve për deputetë, pasi shumë emra i largoi nga Parlamenti. Kjo lëvizje u shit si mënyrë për tu dhënë mundësi emrave të rinj, por në të vërtetë ish-deputetët janë shpërblyer me poste.

Emri më i fundit që “Pamfleti” denoncoi është ai i Reme Lalës, e cila doli nga PDIU si deputete, por ju bashkua PS-së më pas. Ajo u emërua drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror. Ndërkohë një emër tjetër që do të shpërblehet është Anastas Angjeli, i cili pritet të emërohet anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në Kuvend sot votohet emërimi i tij. Ai nuk u kandidua më 25 prill.

Pak kohë më parë post mori edhe ish-deputetja Edlira Bode, e cila u emërua drejtoreshë e Spitalit të Traumës. Ervin Bushati u emërua drejtor i Postës Shqiptare, por nuk e gëzoi gjatë sepse u shkarkua pak ditë më parë. Bushati garoi më 25 prill, por nuk arriti të fitonte.

Adnor Shameti është një tjetër ish-deputet, i cili është emëruar këshilltar i Kryeministrit. Ai ishte në krah të tij gjatë seancës dëgjimore në komisionin hetimor për inceneratorët. Elena Xhina është një tjetër ish-deputete që ka marrë postin e këshilltares. Ajo është emëruar këshilltare e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Ndërkohë ish-deputetja Vilma Bello është emëruar zv/ministre e Turizmit.