Lajmet E fundit

SKANDAL në Ministrinë e Kulturës/ Si Margariti përzuri Zana Çelën pas sherrit për

Ministria e Kulturës ka hapur ditën e djeshme thirrjen për drejtor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, çka mund të çojë në largimin nga detyra të Zana Çelës.

Por cila ka qenë arsyeja e largimit të Çelës nga TOB-i, institucion të cilin vijon ta drejtojë megjithëse i ka mbaruar prej muajsh mandati 4 vjeçar, pa e njoftuar?! Përgjigja është sherri mes saj dhe Elva Margaritit.

Çdo gjë ka lindur nga investimi kolosal prej miliona eurosh që është bërë në rikonsturksionin e TKOB-it. Projketi ka patur shumë mangësi dhe problematika, por dhe pse ishte e vetëdijshme për këtë Elva Margariti i ka bërë presion Zana Çelës që të firmosë për marrjen në dorëzim të invenstimit. Normal se Elva ka mendjen vetëm të mbushë xhepat.

Mosbindja e Çelës ka sjellë në përplasje të vazhdueshme mes palëve deri në pikën që Ministria e Kulturës, ka kërkuar shpalljen e vakancës për këtë pozicion pa njoftuar drejtoreshën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Si fakt, keni të gjithë shkresat që Zana Cela ka guxuar t’i shkruajë Ministrisë së Kulturës. Mes rreshtash Çela thekson të gjitha problematikat që ka me këtë projekt, duke hezituar të marrë në dorëzim investime prej miliona eurosh mbi pajisje, ndërkohë që shumë prej tyre nuk ishin funksionale. Për të kuptuar më tepër, Pamfleti ka siguruar shkresat e që TOKB i ka nisur Ministrisë së Kulturës.

Korrespondenca mes palëve nis më 9 prill 2021. TKOB i është drejtuar Ministrisë së Kulturës me një kërkesë për zgjidhjen e një sërë problematikash. Zana Çela nuk ka qenë e kënaqur me punën e qeverisë, duke i vënë në dukje neglizhencën e konstatuar që prej nisjes së projektit të rikonstruktimit. Sikurse e lartpërmendëm, problemi fillimisht kanë qenë makineritë. Sipas Çelës, 3 ashensorët vertikal me vetlëvizje të sjellë, janë të përmasave më të mëdha seç duhet.

“Aktualisht 3 makineritë ndodhen jashtë godinës së TKOBAP-se pasi madhësia e tyre nuk lejon hyrjen në godinë. Gjithashtu këto pajisje si pasojë e tonazhit të rëndë nëse do të futeshin në skenë aty ku janë të destinuara për t’u përdorur, do të shembin skenën.”- thuhet në shkresë.

Ndërsa e vë në dijeni se firma kontraktore nuk merr përsipër zgjidhjen e kësaj situate me pretendimin se kanë zbatuar projektet që ju janë dhënë, Çela i ka tërhequr vëmendjen ministrisë që në çdo komunikim mes palëve të jetë edhe një përfaqësues i MK, me qëllim shmangien e incidenteve të tilla.

“Subjektet nuk marrin përsipër zgjidhjen e tyre me pretendimin se kanë zbatuar projektet që ju janë dhënë. Nisur nga ky pretendim i përsëritur ju lutem në çdo komunikim mes palëve të jetë edhe perfaqësuesi i MK, i cili njeh specifiket teknike të parashikuara në Dokumentet Standarte të tenderit. Sot përfaqësuesi i MK nuk ishte prezent në takim.”– bën me dije Çela.

Për të gjetur një zgjidhje për problematikat e hasura gjatë rehabilitimit të TKOBAP-së– sikurse mund të kuptohet nga shkresat– më vonë është zhvilluar një takim 3 palësh mes Ministrisë së Kulturës, TKOB dhe firmave kontraktore. TKOB-së e vë në dijeni ministrinë se megjithëse firmat morën përsipër për t’i dhënë zgjidhje disa ngatërresave për çështjen e pajisjeve, ka pasur “vonesa dhe mos zgjidhje të tyre”.

Kështu veç ashensorëve dhe makinave qepëse profesionale, listës së problemeve të TOKB-së i shtohet edhe ndriçimi.

“E ngremë përsëri këtë shqetësim, pavarësisht se shpesh dëgjojmë pretendimin e firmave “se kjo apo ajo gjë nuk është në projekt”, duke kërkuar zgjidhjen e këtij problemi për të mundësuar funksionalitetin me kapacitet të plotë të ndriçimit.”- shkruan TKOB, duke shtuar se: “Nisur nga ky shqetësim kërkojmë që në vijimësi në çdo diskutim dhe takim mes palëve të jetë prezent dhe supervizori i zbatimit të projekteve.”

E njëjta problematikë, për pajisjet, është ngritur sërish edhe në një tjetër shkresë të 26 majit 2021. Megjithatë, ajo ka hasur në veshin e shurdhërt dhe presionin e bërë nga të gjithë punonjësit e Ministrisë së Kulturës, e veçanërisht nga Ministrja Elva Margariti dhe zv. ministrja Meri Kumbe.

Kështu që, Zana Çela është detyruar t’i drejtohet me një tjetër shkresë Ministrisë së Kulturës, më 10 gusht 2021, ku i bën të qartë se “grupi i punës së TKOBAP-se do të marrë në dorëzim pjesën e aparaturave të cilat kanë kaluar testin dhe janë funksionale, e konform kodeve e ‘standarteve teknike te parashikuara”, duke mos pranuar asnjë aparaturë që nuk përshtatet apo nuk funksionon.

“TKOBAP nuk mund të marrë në dorëzim aparatura/mallra të cilat nuk e kanë kaluar testimin/ inspektimin, që nuk funksionojnë, që janë me defekte apo të papërshtatshme për përdorimin e tyre specifik, ashtu siç është e cituar në kontratën nr. _1_028/9 prot. datë 12.03.2020 që ju keni nënshkruar me konti-aktuesit, konkretisht në nenin 4 “Te drejtat dhe detyrimet kryesore të Autoritetit Kontraktor”. Në pikën 4 të këtij neni është e shprehur se “Autoriteti Kontraktor do të refuzojë të marrë në dorëzim çdo mall që nuk e kalon testimin/inspektimin ose nuk është konform specifikimeve teknike dhe kushteve të kërkuara në zbatimin e kontratës.”– thuhet më tej në shkresë.

Skandali në Ministrinë e Kulturës vijon të thellohet kur kjo e fundit kërkon ngritjen e një komisioni sa për të thënë, i cili do të shqyrtonte situatën për të marrë përfundimisht në dorëzim të punimet e realizuara në kuadër të projektit “Rehabilitimit te Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor”. Në kundërpërgjigje TKOB i dërgon një tjetër shkresë më 13 dhjetor 2021 ku e njofton se: “Objeksioni ynë qëndron vetëm në faktin që, anëtarët e komisionit nuk kanë asnjë kualifikim për të çertifikuar asnjë lloj procesi. Aktualisht jemi para faktit që është marrë në dorëzim situacioni i punimeve për projektin “Rehabilitimi i TKOBAP”, në terma kuantik (vlerë- sasi).

Përsa i përket nënshkrimit të certifikatës ju sqaroj se në zbatim të Ligjit Nr. 116/2014 anëtarët e komisionit të TKOBAP-së nuk janë të pajisur dhe as të akredituar, dhe për më tepër nuk disponojnë as edhe një lloj çertifikate profesionale që të marrin atributet e të drejtës së nënshkrimeve te as edhe një lloj çertifikate.”

Nisur nga kjo marrëdhënie e tensionuar, me përplasje të herëpashershme mes palëve, ministresha e Ramës ka vendosur “të heq qafe” njëherë e mirë Çelën duke shpallur vakancën, pasi kjo e fundit nuk arriti të përmbushte të vetmin “mision” për të cilin e lanë në detyrë jashtë afatit, atë të zhvatjes që u bëhet qytetarëve përmes aferave me tenderat.

Epo, ky është shteti që duam./ Pamfleti

ShareFacebookWhatsAppCopy LinkMessengerTelegramViberGmail
Te rekomanduaraLajme