Lajmet E fundit

Skandali me vjedhjen e pronave në Durrës, Yuri Kim mesazh SPAK-ut:

Ambasadorja Amerikane Yuri Kim ka reaguar për megaskandalin në Kadastrën e Durrësit, ku nga hetimet e thelluara është arritur në konkluzionin se vetëm 15% e dosjeve kanë rezultuar të sakta, ndërsa pjesa tjetër e regjistrave janë me faqe që mungojnë, të grisura madje edhe shumë prej tyre të dubluara që tregojnë se për një pasuri janë ndjekur dy rrugë të ndryshme legalizimi apo kthimi te pronari duke sjellë abuzime shumë të mëdha.

Përmes një mesazhi në Twitter, Kim ka mirëpritur atë që cilësoi si “raport të paanshëm” të Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës.

Ndërkaq i ka bërë thirrje drejtësisë që të ndërmarrë hapa konkretë për të vënë përgjegjësit para ligjit, me qëllim “rritjen e transparencës për të mbyllur mundësitë për korrupsion kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës apo gjetkë në Shqipëri.”

Sipas kryediplomates amerikane, hapat e tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA.

“Mirëpresim raportin e sinqertë të Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës. Ne presim hapa konkretë për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit, për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe gjetkë në Shqipëri. Hapat e tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA. Ata gjithashtu do të bëjnë të qartë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE.“- shkruan Kim.

Vlen të theksohet se, shkrirja e kadastrës së Durrësit dhe nisja e hetimeve të thelluara kanë nxjerrë në dritë abuzimet e bëra gjatë 32 viteve në këtë institucion. Në një raport prej 600 faqesh janë të pasqyruara në mënyrë të detajuar shkeljet, të cilat shkojnë përtej imagjinatës.
Zonat ku janë kryer paligjshmëritë dhe plaçkitjet më të mëdha janë zonat bregdetare të Durrësit si: Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon.

Sipas kreut të Agjensisë së Kadastrës, janë rreth 3 mijë familje që kanë zaptuar toka në Durrës dhe kjo sjell problematika me pronarët e mëparshëm, duke bërë që rreth 30 mijë individë që vuajnë nga kjo shkelje e ligjit. Po ashtu, Artan Lame deklaroi më herët se arsyeja pse zyrat e reja të Kadastrës u zhvendosën nga qyteti i Durrësit në Rinas, ishte për të shmangur edhe presionet që vijnë, pasi është një institucion me rëndësi të madhe.