




Presidenti Ilir Meta është politikani më pak i pëlqyer në Shqipëri. Politika po zien nga zhvillimet, por edhe pse kreu i shtetit është distancuar tërësisht pas amnistisë që mori nga Kushtetuesja, ai vijon të mbetet më pak i pëlqyeri nga qytetarët.





Të dhënat janë bërë publike në një sondazh të zhvilluar për muajin mars. Kampioni ka qenë me 1115 intervista të drejtpërdrejta në të gjithë Shqipërinë, ndërsa marzhi i gabimit është +/-2.9%.





Qytetarëve ju është drejtuar pyetja se për kë kanë mendim pozitiv: Për Metën, Ramën, Bashën apo për Berishën? Të dhënat tregojnë se, Ilir Meta ndodhet në fund. Vetëm 4 për qind e të pyeturve shprehen se kanë mendim pozitiv për presidentin.





Pas tij, më pak i pëlqyer është Lulzim Basha. Ky i fundit ka marrë vetëm 6 për qind të mbështetjes. Duket se pas dorëheqjes si kryetar i PD, ai ka humbur shumë pikë. Më i pëlqyeri renditet Edi Rama me 40 për qind, ndërsa pas tij vjen Sali Berisha me 20 për qind. 30 për qind janë shprehur se nuk kanë mendim pozitiv për asnjërin prej tyre. Pra ajo që bie në sy është se një pjesë shumë madhe e qytetarëve nuk e duan këtë klasë politike.





Ata që mbështesin Ramën kanë thënë se kanë votuar për PS më 25 prill. Ata që mbështesin Bashën e Berishën për PD dhe ata që mbështesin Metën për LSI.





I njëjti sondazh është bërë dhe në muajin shtator 2021. Në këtë muaj Rama pëlqehej nga 41 për qind e të anketuarve, pra ka rënie me 1 për qind. Berisha dhe Basha ishin në të njëjtat kuota me nga 14 për qind. Ndërsa Meta ishte në kuotën e 3 për qind. Presidenti ka një rikuperim të lehtë, poe mbetet më pak i pëlqyeri gjithsesi.




